Politikë

Politikani shqiptar, Dritan Abazoviq propozohet për zëvendës-kryeministër të Malit të Zi

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, paraqiti propozimin përfundimtar të përbërjes së kabinetit qeveritar. Zëvendëskryeministër do të jetë Dritan Abazoviq, udhëheqësi i Aksionit të Reformës së Bashkuar (URA), dhe i koalicionit “E zeza në të bardhë”. Krivokapiq tha se negociatori kryesor me BE-në do të emërohet rreth datës 15 dhjetor. Për përbërjen e re të qeverisë së Malit te Zi parlamenti do të votojë më 2 dhjetor. “Nëse për katër vjet arrijmë të realizojmë paktën 50 për qind të asaj që kemi planifikuar, ne do t’i afrohemi mjaftueshëm një cilësie ndryshe të jetesës”, tha Krivokapiq në një konferencë për media, duke shtuar se kjo është një qeveri e ekspertëve dhe se gjëja më e rëndësishme tani është që ata të fillojnë punën. Më 8 tetor, presidenti malazez Millo Gjukanoviq emëroi Krivokapiqin si mandatar për formimin e qeverisë, pasi opozita fitoi zgjedhjet e 30 gushtit. Pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit, u largua nga pushteti dhe një shumicë e re në parlament tani përbehet nga tre koalicione: “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe koalicioni ‘E zeza në të bardhë”.