Shqipëria/Aktualitet

Plazhet e bukura shqiptare po mrekullojnë të huajt (“Si Shqipëria vend nuk ka”)

Vendi i shqiponjave, me pamje nga Adriatiku dhe Joni, është një destinacion i ri për turizmin veror. Arsyet? Ndodhet afër Italisë, është i pasur me bukuri natyrore dhe ka disa nga plazhet më të bukura në Iliri (Ballkan), shkruan Francesca Masotti për gazetën më të njohur italiane ”Il corriere della sera” (https://viaggi.corriere.it)

Vitet e fundit Shqipëria ka rilindur. Ajo është e re, dinamike, me qytete plot gjallëri, dete të kristalta dhe peizazhe të pacënuara.

Ja plazhet më të bukura për t’u vizituar e frekuentuar në Shqipëri:

Velipoja

Plazhi i Velipojës është një rrip i gjatë me rërë të artë me veti të forta shëruese, falë përqëndrimit të lartë të jodit në ujërat e tij, jo shumë larg Shkodrës dhe liqenit me të njëjtin emër.

Në veri të plazhit ndodhet Rezervati Natyror i Velipojës, një mbretëri fazanësh, dhelprash, çakejsh dhe derrash të egër, në fund të të cilit është e dukshme pika ku derdhet lumi Buna në Adriatik.

Kepi ​​i Rodonit

Kepi ​​i Rodonit është një kep shkëmbor, që shtrihet në Adriatik rreth një orë larg kryeqytetit Tiranë.

Plazhet përgjatë kepit janë të rrethuar me pyje mesdhetare.

Këtu mund të vizitoni kishën e Shën Antonit dhe mbetjet e kalasë së ndërtuar në kohën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë, në vitet 1400.

Narta

Në veri të Vlorës, qyteti i tretë më i madh në vend dhe porti i dytë pas Durrësit, Laguna e Nartës karakterizohet nga plazhe të gjera ranore me ujëra të cekëta, ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë shumë të vegjël.

Në fund të lagunës, ndodhet manastiri ortodoks i Zvernecit, i ndërtuar midis shekujve XIII-XIV.

Karaburuni dhe Sazani

Ish-zona ushtarake me qasje të kufizuar deri para disa vitesh, gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit kanë hapur dyert për vizitorët dhe mund të arrihen vetëm më këmbë, makina 4×4 ose me anijet që nisen çdo ditë nga porti i Vlorës.

Karaburuni, në veçanti, është i famshëm për shpellat e tij, si ajo e Piratëve, për ujërat e tij të kristaltë dhe për limanet e izoluar me plazhe me guralecë të bardhë.

Palasa

I ndodhur nën qafën malore të Llogarasë, Palasa është plazhi i parë që hasni përgjatë rivierës së famshme shqiptare.

Pikërisht në këtë gji, në formë gjysmëhëne, zbarkoi Cezari me legjionarët e tij në shekullin II para Krishtit.

Guralecë të bardhë, një det për t’u patur zili dhe një peizazh shkëmbor i mbuluar me bimësi.

Dhërmiu

Guralecë të bardhë, gjire të fshehura, ullinj shekullorë, por edhe shumë klube plazhi dhe turistë në muajt e verës.

Dhërmiu, një plazh i bukur menjëherë pas Palasës, është një nga destinacionet më të famshme bregdetare në Shqipëri.

Gjithashtu, vlen të vizitohet fshati që i jep plazhit emrin e tij: shtëpi të ulëta, kisha të bardha me kupola blu dhe pamje të pakrahasueshme të gjirit më poshtë.

Drimadha

Drimadha është vazhdimi i plazhit të Dhërmiut, një gji i fshehur mes dy plazheve, njëri me rërë dhe guralecë të vegjël, tjetri me guralecë të bardhë, i ndarë nga një formacion shkëmbor.

Një mrekulli e natyrës, që mund të arrihet më këmbë përmes një shtegu të shkurtër, një nga plazhet më romantike në Shqipëri.

Gjipeja

Ata me këmbë të stërvitura mirë mund të vizitojnë Gjipen, një perlë e fshehur në fund të një kanioni, që zhytet në detin e bruztë. Një nga gjiret më të bukura në Ballkan.

Jala

Poshtë fshatit Vuno, një nga më karakteristikët e rivierës shqiptare, është Jala, një plazh i vogël i lagur nga ujëra të bruzta, i vendosur midis formacioneve shkëmbore.

Himara

Perla e Rivierës, qyteti i Himarës ka një det të mrekullueshëm, të pastër dhe blu.

Plazhi i Livadhit , rreth tre kilometra larg qendrës, wshtw njw nga mw tw frekuentuarit, për shkak të bukurisë së tij.

Nuk duhet humbur as gjiri i Filikurit.

Llamani

Midis Himarës dhe Porto Palermos, Llamani është një nga plazhet më pak të frekuentuar të Rivierës shqiptare, një gji me ujëra të kristalta, i rrethuar nga kodra që zhyten në det.

Porti i Palermos

Gadishulli i vogël i Porto Palermos është një nga destinacionet më evokuese në Shqipëri.

Borshi

Ai është plazhi më i gjatë në bregdetin e Jonit, ideal për ata që duan ta kalojnë ditën duke notuar ose duke shëtitur përgjatë bregut.

Plazhi magjepsës rrethohet nga natyra e harlisur, kryesisht nga pemë ulliri, që e mbushin ajrin me aroma të freskëta dhe verore.

Saranda

Qyteti më i famshëm bregdetar në Shqipëri, mbretëresha e padiskutueshme e jetës së natës dhe plazheve të bukura, si ai i Krorezit, Kakomesë ose Pulëbardhës.

Ksamili

Shumë e konsiderojnë atë plazhin më të bukur në Shqipëri.

Ai është një liman me rërë të artë dhe guralecë të imët të larë nga ujëra të kristalta.

Veçantia e këtij plazhi qëndron në faktin se në gjirin e tij ka tre ishuj idilikë, të mbuluar me bimësi të harlisur, të arritshme me not ose një udhëtim të shkurtër me varkë.

Pas tij, Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s, një mikrokozmos mesdhetar me relike që variojnë nga epoka ilire deri në atë osmane. (ATSH)