Shqipëria/Aktualitet

Pirro Prifti: Protesta e dështuar ose përgatitja për një 1997 të dytë

Kush do të triumfojë: Nuri Beu me orientalizmin e tij apo Nolistët?

Kur pashë për të disatën herë ndër vite “Koncert në vitin 1936” më intrigoi pjesa kur Nuri beu nxjerr paratë për t`ja dhënë shoferit duke i thënë: Sa para do për t’u prishur dyzenin atyre, përfshi xhengijet që këndonin këngën e deformuar dhe qesharake me dajre plot turqizma “O më marsh të keqen o mu bëfsh kurban me jaranin isha me jaranin jam”, kuptova ngjashmërinë që paska akoma, madje edhe në një distancë kohore të ngjarjes në film prej 94 vitesh apo 44 vitesh nga dalja e filmit, midis dy botëve ekstremisht të kundërta që jetohej në Shqipërinë e atëhershme dhe jetohet edhe sot në Shqipërinë e sotme. Nuri beu një anadollak i pasur i traditës së vjetër ku jetonte popullsia e Shqipërisë së atëhershme rurale, përpiqej të pengonte nëpërmjet ryshfetit dhe “protestave” me këngë xhengiejsh, të ardhmen e Shqipërisë drejt Perëndimit drejt Europës së kulturës dhe nga ana tjetër këngëtaret dhe populli plot kureshtje dhe patriotizëm, i gëzoheshin të ardhmes dhe lirisë. Kjo po ndodh në Shqipëri edhe pas 94 vitesh nga 1936. Po ai Nure Beu i atëhershëm edhe sot ka plot nipër e mbesa që u pasuruan padrejtësisht gjatë 30 viteve të demokracisë, që morën pushtetin, të emëruar dhe të caktuar nga PPSH, që përvetësuan rezervat e shtetit të varfër shqiptar të kohës së diktaturës, që shkatërruan me qëllim të gjithë industrinë dhe bujqësinë, që vodhën thesarin e shtetit të paktën dy herë njëherë gjatë transportit dhe një herë gjatë shpërbërjes së shtetit gjatë ‘97, që nxorën ligje të gabuara për pronat të cilat ua dhuruan besnikëve të tyre duke harruar që prona në sisteme demokratike është e shenjtë, që me sistemin e korruptuar të krijuar detyruan që 1/3 e popullatës të largohet, duke u zënë e u kacafytur çdo herë që vinte data e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale për të marrë pushtetin, duke harruar se ashtu sikundër përmendi Presidenti i zgjedhur Biden se “Në Amerikë (pra kudo edhe në Shqipërinë demokratike), politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre”. Sot në Shqipëri vërehet një ndarje e madhe, e cila nuk është luftë klasash, por është një ndarje e thellë interesash të lidhura në radhë të parë me kulturën, traditën, religjionin, gjeopolitikën, dëshirën për t’u larguar, nga konfliktet brenda vendit, dëshirën për të mos u prekur nga ligji, dëshirën për të qenë mbi ligjin, dëshirë për të marrë pushtetin me dhunë kur humbet pushtetin me votë, dëshirë për t’u pasuruar sa më shpejt, dëshirë për të mos punuar. Kush do të triumfojë? Nuri Beu me orientalizmin e tij apo Nolistët? Këtë na e treguan protestat disa ditore të zhurmshme, të dhunshme e plot dëme materiale, dhe më e trishtueshmja vërehej në pasqyrimin që i bënin mediat e blera nga nipërit e Nuri Beut, duke transmetuar debate analistësh të paguar që u “qante shpirti” për të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërsa nga ana tjetër, në kontekstet e tyre, shfrynin mllef dhe urrejtje kundër çdo gjëje pozitive në Shqipëri, duke harruar që viti 2020 mbetet një nga vitet më të pazakonta në të cilën Shqipëria u përball jo vetëm me pasojat e tërmetit, por edhe me pandeminë, me analistë dhe moderatorë (faktikisht janë acarues të situatës), shikohet në leximin e gazetave ku gazetari lexues gazetash, pyet dhe nxit çdo ditë mëngjes-leximi, komentuesit që të shajnë me soj e sorollop qeveritarët, vendin, me botues gazetash të paguar nga nipërit e Nuri beut, për të nxirë atdheun e tyre për të mllefosur popullatën duke nxjerrë nga tualetet e banesave, hoteleve dhe nga lumi i ndotur i Lanës çdo gjë që bën dhe ndot shoqërinë, duke baltosur me fjalë banale dhe urrejtje çdo njeri që i dëgjon dhe i shikon, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Nëse nuk do të jetoje në Shqipëri, do të mendoje se Shqipëria i paska punët keq, megjithëse SHBA dhe BE e ndihmon vazhdimisht të rrijë brenda binarëve të ligjit, që të përfundojë vetingun, që të kapërcejë vështirësitë e përkohshme të pandemisë dhe të pasojave të tërmetit. Por, përse me gjithë përpjekjet e shtetit shqiptar për të qëndruar në radhët e qytetërimit europian për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve “E duam Shqipërinë si Europa”, brenda vetë Shqipërisë ngrihen zëra kundër atdheut të tyre nën pretekstet nga më të kamufluarat prapa të cilave shihen arsyet e vërteta të kundërshtimit? Kuptohet që ish-pushtetarët e 30 viteve, përpiqen të kundërshtojnë reformat në emër të paradoksit se “…reformat po i pengon vetë qeverisja e tanishme” (e cila në fakt ishte vetë iniciatorja e reformave) duke përdorur metoda makiaveleske dhe djallëzore të shpifjes dhe shtrembërimit të së vërtetës. Për ta kuptuar këtë mund të shikohet se si Presidenti ka 3 vite që pengon realizimin e Gjykatës Kushtetuese duke penguar emërimet, mund të shikohet gjithashtu se si vrasësit e Gërdecit dhe të 11 janarit bërtasin për drejtësi, duke nxitur protesta të dhunshme kundër një ngjarjeje për të cilën qeveria veproi konform ligjit duke burgosur fajtorin-duke shkarkuar ministrin e brendshëm dhe duke kërkuar ndjesë publike për ngjarjen, mund të shikohet në mllefin dhe urrejtjen e të ashtuquajturve gazetarë investigative (në fakt janë gazetarë politikë të paguar nga ish-pushtetarët) në komentimin e ngjarjeve të ndryshme duke shtrembëruar të vërtetën. Djallëzia për të shmangur përgjegjësitë dhe për të justifikuar korrupsionin, krimin, drogën, është tek britma dëshpëruese: “Hajduti thërret kapeni hajdutin”, dhe më kujton një ngjarje të kaluar kur një hajdut hyri në një shtëpi, vodhi dhe plaçkiti shtëpinë, dhe iku me të shpejtë. Familjarët të tmerruar lajmëruan policinë. Policia erdhi, kishin me vete një qen-langua kufiri, i cili nuhati dhe zbriti me vrap shkallët sipas erës së hajdutit. Aty jashtë në rrugë afër shtëpisë së vjedhur, ishin mbledhur njerëz e po bënin sehir ngjarjen. Hajduti ishte aty në turmë madje në radhë të parë duke komentuar e thënë njerëzve përreth: …Epo, ç`janë këta njerëz të poshtër që vjedhin në mes të ditës, si nuk kanë turp, të poshtrit…. Në këtë kohë qeni i policisë doli përjashta dhe me vrap ju hodh në gjoks hajdutit që po fliste. Njerëzit të habitur heshtën nga habia pastaj murmuritën, ou, po ky qenka hajduti i vërtetë, por fliste sikur të mos ishte i tillë…. Policia i vuri prangat. E thënë ndryshe, ish përgjegjësit e zullumeve dhe të shkeljeve të ligjit në Shqipëri, drejtues partish apo president, të pasuruar dhe të korruptuar deri në palcë në mënyrë të paligjshme, duhet të dalin para ligjit kushdo qoftë opozitarë apo pushtetarë, por kundërshtojnë në mënyrat më të sofistikuara duke blerë pushtetin e ashtuquajtur “të katërt”- mediat e shkruara, radio-tv, dhe kundërshtojnë çdo gjë që shpreh apo që ka sukses qeverisja e cila po bën reformat dhe ka një përkrahje të fuqishme perëndimore si nga BE ashtu dhe nga SHBA, po bëjnë çmos që të destabilizojnë vendin duke gjetur shkaqe apo sebepe nga të çuditshmet, madje partia më e madhe opozitare është bërë si shoqëri funeralesh duke harruar se detyra e një opozite është të ketë program dhe projekte për të përmirësuar gjendjen, dhe jo për të numëruar viktimat e kapitalizmit. Protestat e dhunshme që sapo përfunduan, nuk e dhanë rezultatin e dëshpëruar nga Opozita “Presidenti i Opozitës” (madje ndoshta dhe nga ndonjë klan politik i shteteve fqinjë që nuk e do Shqipërinë të stabilizuar) – anarkinë dhe kaosin e shumëpritur, por do të përpiqen që të krijojnë një precedent edhe më të rrezikshëm me afrimin e zgjedhjeve politike të 25 prillit, ndoshta një ‘97 të dytë me qëllim që të justifikojnë humbjen dhe të shmangin drejtësinë që po vjen. Harrojnë se Shqipëria nuk mund të ketë më ngjarje si ‘97-‘98, si 2007, si 2011, sepse Shqipëria është vendosur në binarët e ligjit tashmë, dhe duke patur mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe BE, do të hapin negociatat për anëtarësim në BE për të mirën e popullit shqiptar, i cili nuk do me kaos dhe rrëmuja rurale e katundareske, por do qetësi, punë dhe prosperitet.