Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar dhe shkrimtar. U lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës.
Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit vajti në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin “Garibaldi” të Brigadave Internacionale.
Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra.
Më 1940 u kthye në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika në detin Tirren.
Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan.
Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë, 1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh.
Veprat e tij më të mira janë cilësuar: “Hasta la vista”, Tiranë, 1958; “Qyteti i fundit”, Tiranë, 1960; Rrugë pa rrugë, Tiranë 1964; Nata e Ustikës, Tiranë 1989 etj..
Më 27 dhjetor 1991 ndahet nga jeta. Në vitin 2003 është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Nga Petro Marko*
…. Kur u shporr Italia nga vendi – dhe dua të shtoj edhe këtë, po me keqardhje: himarjotët nuk morën pjesë siç duhej në Luftën e Njëzetës, përveç disa patriotëve si Nase Beni, që ishte kapedan – unë isha i vogël, por e mbaj mend shumë mirë kur erdhën në bregun e fshatit luftanije greke.
Shumë fshatarë u ranë kambanave dhe thirrën: “Zito i Ellas! – Rroftë Greqia!” “Zito i aneksartisia, zito i aftonomia! – Rroftë pavarësia, rroftë autonomia!”. Madje u shpall nga paria njëfarë autonomie dhe burrat shkonin e bënin rojë në Llogara.
Pas pak ditësh erdhi ushtria shqiptare dhe populli doli në xhade me raki, me petulla, me flamuj. Therën mishra dhe hodhën valle. Po disa arhondë nuk dolën nga shtëpitë. Në krye të ushtrisë ishin Riza Cerova, Azis Çami e të tjerë…
Ishte hera e parë që Himara inkuadrohej në pushtetin shqiptar dhe letrat që vinin nga mërgimtarët, nuk vinin me adresën Drimades-Himara-Epir, po Dhërmi-Himarë-Albania…
Shkollat ishin greke. Disa mësues patriotë, si Naqe Konomi, Foto Vitoja, Gaqo Kaporra, Ibrahim Kushta e të tjerë, u mblodhën në shtëpinë e mësuesit tim të parë Pavllo Vretos dhe, me këshillat, udhëzimet e ndihmat që u dha Halim Xheloja, shkolla u bë shqipe. Bënim edhe greqisht, po vetëm shkrim e lexim me tekste greke. Halimi u dha mësuesve librat “Bagëti e bujqësi” të Naimit, që ishin leximet e para të shqipes në shkollën time.
Pasi ra fjala për shkollat, këtu dua të zgjatem ca. Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe-seminar për priftërinj në gjuhën shqipe; kjo sipas raporteve që i dërgonin priftërinjtë bazilianë Papës, një pjesë e të cilave janë botuar (doemos ato që u interesonin atyre) të Nilo Borgias, i cili përmbledh një pjesë të veprimtarisë së priftërinjve unitë (bazilianë) që ndenjën në Himarë për rreth tre shekuj…