Botë

PËRMBLEDHJE – Zhvillimet më të fundit të krizës ruso-ukrainase

UASHINGTON/MOSKË, 12 shkurt /ATSH-ANSA-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se sot do të ketë një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov për krizën në Ukrainë.

Blinken tha se kishte shenja të një përshkallëzimi në Ukrainë.

“Ne vazhdojmë të shohim shenja shumë shqetësuese të një përshkallëzimi të Rusisë, siç është ardhja e trupave të reja në kufirin ukrainas”, tha ai në një konferencë për shtyp nga Fixhi.

Edhe Biden telefonatë me Putinin

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë sot një bisedë telefonike, pasi frika se Rusia mund të pushtojë Ukrainën po bëhet gjithmonë e më konkrete.

Dje, SHBA lëshoi një paralajmërim se një sulm i tillë mund të ndodhë brenda 10 ditëve të ardhshme, ndërsa qeveritë perëndimore u kërkuan qytetarëve të tyre të largoheshin nga Ukraina.

Duke folur me gazetarët pasi presidenti Biden zhvilloi një video-konferencë me liderë të shumtë botërorë, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se ka shqetësime të reja se sulmi i shumëpritur mund të fillojë përpara përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, më 20 shkurt.

Moska kundërpërgjigjet

”Histeria e Shtëpisë së Bardhë i thotë të gjitha. Anglo-amerikanët duan një luftë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova duke komentuar deklaratat e këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili foli për mundësinë e një sulmi të afërt nga Rusia ndaj Ukrainës.

Kievi: Ukrainasit të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun

Qeveria e Ukrainës u ka kërkuar qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun.

”Për momentin është thelbësore të qëndrojmë të qetë, të bashkuar brenda vendit, për të shmangur veprimet destabilizuese që krijojnë panik”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme ukrainase.

Rusia redukton stafin diplomatik në Kiev

Ndërkohë, Moska ka filluar të reduktojë stafin e saj diplomatik në Kiev, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.

”Duke pasur frikë nga provokimet e mundshme nga regjimi i Kievit apo nga vendet e treta, ne kemi vendosur të optimizojmë stafin diplomatik rus të pranishëm në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë.

Vazhdojnë manovrat ushtarake ruso-bjelloruse

Marina ruse ka nisur stërvitjet në shkallë të gjerë në Detin e Zi duke lëvizur 30 anije nga Sevastopoli dhe Novorosijski.

Kjo u njoftua nga Ministria ruse e Mbrojtjes duke nënvizuar se qëllimi “është mbrojtja e bregdetit të gadishullit të Krimesë, bazat e Detit të Zi dhe sektori ekonomik i vendit nga kërcënimet e mundshme ushtarake”.

SHBA dërgon 3 000 trupa në Poloni

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë 3 000 trupa shtesë në Poloni në ditët në vijim, pasi frika për një pushtim rus të Ukrainës po rritet, njoftoi agjencia britanike e lajmeve, Reuters, të premten, duke cituar katër burime të njohura me situatën.

Një nga burimet, duke folur në kushte anonimiteti, tha se dislokimi i trupave amerikane do të vijë nga Divizioni i 82-të Ajror i SHBA me bazë në Fort Bragg, Karolina e Veriut, dhe jo nga forcat amerikane në Evropë.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, i cituar nga agjencitë e lajmeve AP, AFP, DPA dhe APA, konfirmoi të premten informacionin e Reuters në lidhje me dislokimin./ a.jor.