Kulturë\Letërsi

Perikli Jorgoni: Udhëve të lirisë (poezi)

UDHËVE TË LIRISË
Nga: Perikli Jorgoni
(Atdhetarit dhe publicistit Rilindas, Josif Bageri, mikut të ngushtë të gjyshit tim, Hilë Mosi)
1.
Nga shkon kështu, Josif Bageri,
Në këmbë a mbi vithe kali,
Ku s’bredh as ujku e as dreri,
Në ç’pyll, në ç’vah, në ç’breg moçali?
S’të lodhën gërxhe e rrëpira?
S’të lag dot shiu, s’gulçon prej vape?
S’t’i shpon si thikë brinjët e ngrira
Kjo erë-brisk ndër këto shpate?
2.
Nga shkon me ngut nën qiell pa hënë,
A nën një diell që djeg si saçi,
Shpesh i pagjumë e i pangrënë,
Grisur nga drizat e gjëmbaçi?
Me letra e libra nëpër hejbe,
Me gjuhën që buron nga gjaku,
T’i çosh në fshatin rrëzë bjeshke,
A shpellave nga rri kaçaku.
3.
Tek ec, të vjen si nëpër mjegull
Ndërmend Nistrova, pyje e krepa,
Baba Jovani që ngre pjergull,
Mbath kalin, qep e arnon rrjeta.
I vjetri han, diku në Sofje,
Ku mblidhet, çlodhet mërgimtari,
Bisedat, zënkat përreth sofre,
Vallet a tinguj prej longari.
4.
Pa brof me vrull Dhimitër Molja,
Lexon nga Mjeda e Naimi,
Ndërsa vërtitet me mund rrota
E botës lodhur nga shtegtimi.
Po ndodhte, plasnin dhe shakara,
Përqeshet keq ndonjë trumykur,
Përtallet, pritet me të shara
Ndonjë mehmur nga qesja yshtur.
5.
Ta nxorën gruan prej banese,
Nuk ka para më për qiranë.
Fëmijtë e mardhur me dënesë
Nisën të dridhen e të qajnë.
Ta vranë djalin syfajkua
Në kodrën pranë Manastirit.
Luftoi si burrë e s’u ankua
Nga lodhjet, plagët prej marshimit.
6.
Se ti me kohë ke kuptuar,
Se veç me mund edhe me dije
Zbardh ditë e bardhë e dëshiruar,
Ik terri plot myk plogështie;
Kjo dhimbje e kjo zgjyrë e nëmur,
Që erdh nga dyndjet e hordhisë,
Kur sulej si një bishë e çmëndur
Nga humbëtirat e Azisë.
7.
Nuk pyet ti, kur prej rrufesë
Përflaken retë e vjellin shira,
Rrebesh, murlan, a mes xhadesë,
Nën urë, gryka e rrëpira,
Të pret një vrasës i paguar
Me pare turku apo sërbi.
Ti ec, ngjit kreshtat i malluar
Nga pah dëbore si argjendi.
8.
Nëpër artikuj e me vjersha
Ia çore maskën çdo zuzari,
Teksa mejhanes me ngërdheshje
Ngrefoset horri e kusari.
Fanari rrit shtërpinj, nëpërka,
Thur rrjeta krimi e nxit sherre,
Turgudi sjell topa e gjëma,
Sa dheu ngjan si hon skëterre.
9.
Në udhë a tryezë pune
Të gjen agimi e mesnata,
Se ndryshe ky kular përdhune,
Që na shtërngon e kjo lëngatë,
Që mënt na mbyt e ha si tenjë
Kaq shekuj terri e robërie
Nuk hiqet, por ngul thellë rrënjë,
Pjell ditë kobi edhe zie.
10.
Halldupit po i mirren këmbët,
I ranë dhëmbët, mbet kokallë,
Tërhiqet zvarrë e po shembet,
Si ujk a qen me bisht ndër shalë.
Prandaj ngado nis kryengritja,
U ngrit në këmbë Arbëria,
Shpërthen stuhia e Rilindja
Po ndez pishtarin tek liria.
Perikli Jorgoni
Durrës, më 8 tetor 2010