Opinion

PERDJA PO BIE

(Zgjedhjet para zgjedhjes së Kryetarit të Republikës,- rotacion me apo pa ndryshimin?) 

Gjithçka tashmë ka marrë rrugën e zgjedhjeve. Heshtë vetëm koalicioni qeverisës. Partnerët edhe duan edhe nuk duan. Spirancat, të gjithë pa dallim, i kanë hedhur në molin e LVV-së. Përkundër fjalorit megaloman, ajo po beson më pak se tjerët se do t’i fitoj zgjedhjet në mënyrë plebishitare. Megjithatë, fitorja është e saj dhe për këtë ajo po përgatitet deri me pakësimin e termave që ndërtojnë diskursin e një fushate. Shihet qartë, ajo ka braktisur gjithçka të tepërt nga fjalori i së shkuarës së saj. Them për gjërat që ajo nuk ka hezituar t’i përdorë edhe me tepri në diskursin e vet të shprehur deri në pompozitet dhe të etabluara në programe veprimi. Një mësim për së mbari duket ta ketë marrur nga të qenit në pushtet! Përfundimisht mund të themi se LVV është e gatshme të bashkëqeverisë me secilin nga aktorët e skenës sonë. 

Zgjedhjet e imponuara na tregojnë për kapacitetet e munguara të subjekteve politike që dolën nga koalicioni i deklaruar nga parazgjedhjet e 6 tetorit të 2019, për të menaxhuar me veten e tyre dhe për t’u përshtatur me partnerin. 

Udhëkryqet e mëdha i vetëdijsojnë qeveritë dhe partitë për nevojën e të lëvizurit drejt mundësive. Kosova është në një udhëkryq të madh. Dalja nga ai është lufta me mendësinë dhe lufta për rreshtimin. Veçanërisht në pluralizëm rreshtimi përbënë cilësorin e vlerës politike, por edhe tapetin e kapjes së skenës dhe pushtetit. 

Është koha të pyetemi jo vetëm si qytetar të anësive politike, por si shoqëri në tërësi e përtej ndasive: ku ta gjejmë apo nga çfarë ta ndërtojmë ndryshimin, çfarë rotacioni na duhet dhe si ta arrijmë atë? Nuk është kaq e thjeshtë sa të shkohet në zgjedhje dhe të prodhohet legjitimitet. Legjitimiteti i një qeverisjeje vjen nga numrat në parlament dhe ato mund të arrihen me dyzinë makinacionesh, sikur nuk është nguruar të bëhet në gjithë këto vite. Hera herës kanë ndodhur edhe më të pabesueshmet! 

Në kushtet kur nuk ka besim mes subjekteve se do mbaheshte premtimi për hapin e dytë a të tretë, për çka edhe nuk mund e nuk duhet të zgjidhet Kryetari para zgjedhjeve, shtyrja e tyre në limitet e kohës është faji për çka edhe duhet ndëshkuar partitë po të ishim një elektorat i emancipuar që votën ta japim jo të shtyrë nga zhgënjimi, por të prirur për ndryshimin.  

Sot të gjithë e dimë se do kemi zgjedhje të reja dhe po ashtu e dimë se qeverisja domosdo do pësoi ndryshime, në mos për asgjë tjetër, për mosbesimin e tashëm mes partnerëve qeverisës. Nisur nga kjo premisë politika nuk duhet të guxoi që buxheti i qeverisë në ardhje pas zgjedhjeve që e shumta do nisë punën në pranverë, të projektohet nga një qeveri në rënje.  

Kushti për kryetarin i vënë nga AAK-ja është i pakapërcyeshëm edhe për faktin se tjerët nuk ia dalin të mbledhin 80 deputetë në sallë edhe po të bindet PDK-ja.  

Sa më shumë që të afrohemi te djegia e afateve për kryetarin edhe brenda LDK-së do ketë vota që do kalojnë në anën e iniciativës së Vjosa Osmanit. Kjo i qartëson gjërat akoma më shumë. Pasiguria e LDK-së në numrat e vet ka javë të tëra që po e bënë Isa Mustafën skeptik për çfarëdo ndërmarrjeje.  

Ne po e paguajmë me humbje kohe hetimin e brendshëm të LDK-së se kush po mbetet në parti e kush po shkon me Vjosën. Ndarja e LDK-së është proces që do të agravoj metastazë. Gjithë të fjeturit e pezmatuar në të shkuarën tani po zgjohen dhe nuk duhet të çuditemi sikur t’i shohim pjesë të Iniciativës së z.Osmani edhe emrat e mëdhenj të së shkuarës së LDK-së si Eqrem Kryeziun, ish presidentin Sejdiu , znj.Gërvalla. Z.Gagica e plot dhe këdo që nuk ka patur vend nën strehën e Isa Mustafës. 

Kjo bjerrje kohe që mund të kthehet fatalitet organizativ për partitë tjera e veçanërisht për të vegjlit, sikur nuk po i mëson ata të lëvizin në drejtimi të duhur, apo për atje ku më mirë është të përfundojnë nga ndërmarrja e tyre se sa nga inercioni i zhvillimeve. Sot partitë e vogla rrezikojnë deri në atë masë sa të mbeten vetëm identifikimi i liderit të tyre, sikur u dergjen e vegjetuan; partia socialiste, Alternativa e znj.Kusari, Partia Fjala apo Partia e Drejtësisë, etj. me dhjetëra emra.  

NISMA i ka të gjitha mundësitë ta zhbllokoi situatën, meqë votat e tyre mjaftojnë që mocioni i mosbesimit ta merr rrugën e trajtesës në kuvend, ku ka kohë që PDK-ja është shprehur se po erdhi iniciativa ajo do ta votoi.  

Karshi këtij kaosi stepës për partitë e mëdha dhe sfidues deri në zhbërje të atyre të voglave sikur janë NISMA, AKR, Alternativa, e ndonjë tjetër që ka pasur elektorat identifikues, Vetvendosja ka filluar ritualin dëshmues të pushtetardhjes duke lënë gjurmët e tashme relike të së djeshmës dhe duke dhënë në skenë një aureolë të re identifikuese.  

Se LVV po ndryshon na thotë së fundi edhe kohëkalkulimi që iu desh kreut të saj z.Kurti, i cili nuk shquhet për kompromis me të përmbajturit e tij. Atij kësaj radhe iu desh një javë e tërë që të hamendësohej derisa në fund doli me një deklaratë as mish as peshk për vrasjen e Klodian Rashës në Tiranë, deri sa në të shkuarën e afërt gati në kohë reale nuk e pati për gjë jo vetëm të deklarohej, por edhe të rreshtohej me protestën për Teatrin dhe Astirin.  

Një e dytë ndryshuese, po ashtu është rikuperimi që po tentohet të arrihet në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara përmes stafetës që po bënë gjiron e javës, letrës dërguar kohë më parë ish zëvendës presidentit Pence në Shtëpinë e Bardhë nga z.Kurti, edhe përkundër se ishte rreshtuar me kohë në krah të fitores së Bajdenit. Ky reflektim i fundit se Amerika e madhe ka një rrugë për të ndjekur pa marrë parasysh kush vie në krye të Shtëpisë së Bardhë, tregon se ajo akoma  ka për të mësuar, se pak ka pasur njohuri për mardhënjet ndërkombëtare dhe se i duhet kohë të kuptoj natyrën e raporteve diplomatike që Kosova duhet të ndjek me Amerikanët për dallim nga ato që mund t’i ndërtoi me tjerët.   

Përkundër teprimeve sikur është panevoja e vënies së theksit në atë që opinioni tashmë e di për vokacionin e saj voluntarist, nga sjellja që LVV ka ofruar në këta muaj shohim dritë në fund të tunelit.

Frika se po hynim në një cikël zgjedhjesh e rizgjedhjesh, meqë LVV po rritej dhe po mbetej ajo kryeneqja e vijave të kuqe, tashmë është mënjanuar. Ajo duket se e ka kuptuar se vijat e kuqe të deklaruara në të shkuarën, sikur janë bërë vet dënimi i saj meqë LDK-ja e pat kuptuar se kjo nuk kishte kur tjetër të gjente mundësinë, në të ardhmen mund ta nxjerrin nga skena nëse i irriton të gjithë dhe skena ka pak aktorë. 

Rrotacioni me ndryshim a jo, ai do të ndodhë. Na takon ne qytetarëve të bëjmë një pakt mes nesh, ku prurjet e zgjedhjeve në pushtetet e ardhshme të kenë jetë vetëm aq sa na shërbejnë brenda ofertës elektorale. Përndryshe rrezikojmë të futemi në një riciklim zakonesh e veprimesh ku politika e re do bëhet shpejtë më e vjetër sa vet e vjetra. 

Ndryshimi që ne qytetarët po kërkojmë fillon nga ndryshimet brenda subjekteve politike, pikërisht atje ku meritokracia duhet të vihet në vend.  

Të fituarit e betejës elektorale për partinë, gjithmonë ka rrezik të përfundoi fitore në duart e klanit rreth të parit, andaj detyra e parë që na shtrohet është ta luftojmë fenomenin e egzistencës së rreth liderëve.  

Peshku qelbet nga koka – thotë populli. Ta druajmë dhe ta pengojmë kësaj radhe!