Kulturë\Letërsi

Pano Hallko: “Koreografi” që kërkonte Evropa – “In Memoriam” për Mjeshtrin e Madh të Polifonisë, Arap Çeloleskaj

…“Brez pas brezi vranishtiotët
Sa herë do mblidhen te Rrapi,
Të bashkuar do gëzojnë,
Do këndojnë si Arapi!…
…Ju mbetët simbol i Valles
Ikona që s`vdisni kurrë,
Arapi me a-pa-pa-në,
Leskua, mbyll vallen-Flamur”!..
Më datën 4 Janar 2012, në orën 05.30 minuta, më mori në telefon Krahu i Djathtë i Arapit në Valle, i pavdekshmi Artist, Hetem Shkurti.
Duke qarë, më tha: – “Iku Arapi, o Pano”!
“In Memoriam” për Mjeshtrin e Madh të Polifonisë, Arap Çeloleskaj
“KOREOGRAFI”, QË KËRKONTE EUROPA…
Në shtator të vitit 1989, erdhi në Shqipëri Kryetari i Jurisë së Europës për Folklorin, zoti Aleksandër Fenton. E sillte në vendin tonë këtë autoritet të lartë një detyrim profesional i tij. Qysh në muajin maj të atij viti kishte shkuar nga shteti shqiptar për të konkuruar në Europë, një kasetë filmike e realizuar nga stafi i Tvsh-së, me këngë dhe valle nga Jugu i Shqipërisë, konkretisht nga Lumi i Vlorës-Labëria. Në kasetë ishte Grupi i Këngës i Vranishtit me këngën dhe vallen e tij, Treshja e Dukatit, dhe një sërë grupesh të tjerë.
Vizitori i famshëm erdhi dhe solli Çmimin e lartë, që në rrang Europe e fitoi kjo kasetë, pra Shqipëria. Por “sekretet” profesionale, ai i nxori në Koncertin e realizuar “live” në njërën nga ish shtëpitë e Kulturës që kishte në atë kohë në Tërbaç të Vlorës, në skenat e të cilave Ansambli i Këngëve dhe valleve realizonte lirshëm vallen “Shqipja e Andeve”.
Përshembull, ai bëri pyetjet: -Kush është koreografi i valles së Vranishtit? Kush ua mëson vallen këtyre njerëzve? Ku, në cilën palestër, bëjnë ata provat për këtë valle, dhe sa kohë u duhet atyre për ta mësuar?
Këto pyetje si dhe shumë të tjera, vizitori i lartë i shtroi me të njëjtin sinqeritet me të cilin i kishin bërë atje, në Juri, duke parë kasetën, bashkëpunëtorët e tij…
Njerëzit në fillim, sapo dëgjuan përkthimin e pyetjeve, bënë buzën në gaz, pasi menduan se skocezi në origjinë(ai krenohej me origjinën e vet, edhe pse gjyshi i tij kishte lindur në Londër), po bënte shaka…
Pastaj, iu sqarua nga specialistët e Institutit të Folklorit(të cilët ishin aty), se kjo valle nuk kishte koreograf(!), madje këtë valle njerëzit e mësojnë dhe e trashëgojnë brez pas brezi-qysh kur nuk mbahet mend! Dhe Aleksandër Fentoni, edhe pse u bind nga spjegimet e specialistëve, shfaqte njëfarë skepticizmi(me veten e vet kësaj radhe), teksa shikonte treshen virtuoze të valles: Hetem Shkurtin, Arap Çeloleskaj dhe Selman Aliaj si dhe nëntë valltarët e tjerë të talentuar në lëvizjet e vrullshme e të vështira të valles. Në fund, pasi e kërkoi edhe një herë ekzekutimin e valles(por pa mikrofona, ashtu siç kërkoi edhe treshen e Dukatit), tha:-“Ky vend, paska një kulturë më të lashtë sesa e kisha menduar”… Diku aty nga mesi i drekës së shtruar për nder të vizitorëve të lartë, Fenton-i ngriti një dolli ku ndër të tjera shprehu edhe një habi tjetër: -“Më bën përshtypje një gjë: Në skenë u mrekullova nga tingujt dhe nga timbri i zërave, nga përpikmëria artistike e realizimit të valles. Por po shikoj edhe këtu, ku njerëzit hanë mish të pjekur, pijnë raki të zier dy herë, dhe… është i njëjti interpretim”?!?-tha ai…. Arap Çeloleskaj iu përgjigj dollisë së skocezit me vargjet e këngës: “Jemi zot të këtij vatani”-krijim i Mjeshtrit të Madh të Punës, Profesor Muhamet Tartari…
Ajo ditë përbën kthesën e mendimit dhe fillesën e Idesë europiane, për ta shpallur Këngën Labe shqiptare, Pasuri të Kulturës Botërore…
LAMTUMIRË ARAP!
Fjala e mbajtur në përcjelljen e Tij, më datën 5 Janar 2012
NGA PANO HALLO
Ishin tre vëllezër e një motër jetimë, e na kishin një Nënë! Nëna e tyre, nënë Nazja, një grua trime vranishtiote, aktiviste e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, grua që mbështeti partizanët me fuqinë e shpirtit. Grua që organizonte të gjitha gratë për të punuar në shtiza natën bluza dhe çorape për ata që bënin luftën, por edhe për të transportuar ushqime për ta. Detyrat e rritjes së tre vëllezërve, ia kishte ngarkuar fëmijës së madh, vajzës së saj, Raziesë, e cila i ndihmonte të rriteshin, por i ndihmonte edhe në këngë. Pas përfundimit të Luftës, kjo Nënë iu fut një tjetër Lufte, të një tjetër natyre, luftës së madhe të jetës, për të rritur fëmijët jetimë në Vranishtin e zhuritur nga Lufta e Dytë Botërore.
Shtëpia e nënës dhe e tre vëllezërve, në anë të xhades së fshatit. Ishin të varfër. Shumë herë ishin pa bukë dhe i merrte uria. Por edhe urisë ia kishin gjetur ushqimin dhe ilaçin: Këngën!
Dhe këndonin të tre vëllezërit, bashkë me motrën, njëri më mirë se tjetri, e të katër bashkë i falnin gëzim e shpresë Vranishtit. Ngrinin peshë zemrat e bashkëfshatarëve, falnin buzëqeshje në buzët e plasura të njerëzve që kishin humbur trimat në Luftën e Madhe, u jepnin atyre guxim dhe motiv për të rindërtuar shtëpitë e djegura nga zjarri, e të rrënuara nga gjylet. I madhi, Iliazi, shkëlqeu në bangot e Shkollës Ushtarake shqiptare. Ai ishte ndër të paktët oficerë të këtij vendi, që u gradua Toger qysh në mbarim të shkollës. I dyti, Leskua, punëtor ndër më të dalluarit e fshatit e të zonës, i ndershëm e me zemër në dorë.
I vogli, Arapi, mori timonin e makinës së fshatit, por edhe timonin e këngës dhe të valles vranishtjote…
Dhe u bënë të tre vëllezërit shembulli i mirëkuptimit, harmonisë, idhuj për imitim në vëllezëri, për të gjithë vranishtiotët dhe më gjerë. E djemtë e tyre edhe pse me fëmijë, ende sot e kësaj dite nuk e dinë mirë se ç`janë: vëllezër, apo kushurinj të parë…
Të dashur e të nderuar pjesëtarë të Familjes emërmirë Çeloleskaj!Të dashur bashkëfshatarë,Të nderuar miq dhe shokë, pjesëtarë në këtë ceremoni të përmortshme!
Sot, po përcjellim në banesën e fundme Arapin, njërin nga bijtë më të denjë të fshatit.
Arapi u lind këtu, në Vranishtin tonë, këtu u rrit e u moshua, pavarësisht se nuk arriti dot moshën e pranueshme të ikjes.
Ai u rrit me hallet që u thanë më sipër, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, e ndoshta edhe me më shumë halle.
Por Arapi shkëlqeu në disa drejtime në jetë, edhe pse nuk mbaroi shumë shkollëra. Ishte pikë referimi e rinisë së fshatit në shumë plane: Ai ishte futbollist i shkëlqyer, shtylla por edhe shkolla e skuadrës së fshatit, ishte ai që i jepte zemër, edhe kur ndeshej ajo me skuadra profesioniste.
Natyra, të tre vëllezërve u fali zërin e bukur, por edhe talentin për dhe dashurinë për këngën. Ata janë themeluesit e Grupit modern të Vranishtit, bilbilat e tij. Por edhe brenda treshes së vëllezërve, Arapi pati të veçantën e tij: Kur këndonte Arapi në Pallatin e Kulturës në Tiranë, regjizorët dhe kompozitorët por edhe poeti mirënjohur shqiptar Agim Doçi, thoshin: “ZËRI I ARAPIT ËSHTË SHTATË OKTANË”.
Nën drejtimin e të mirënjohurit intelektual Muhamet Tartari-Mjeshtër i Madh i Punës, por me kontributin njerëzor dhe artistik të vëllezërve Çeloleskaj, emri i Vranishtit i kapërceu shpejt kufijtë e Shqipërisë. Treshja virtuoze e Vranishtit: Hetem Shkurti, Arap Çeloleskaj dhe Selman Aliaj bashkë me nëntë valltarët e talentuar të tjerë, ngritën në këmbë sallat më të mëdha të Botës, qysh nga Festivali i Dizhonit në Francë, e deri tek Çmimi i Parë i Jurisë së Europës për Folklorin. Arapi ishte ai që niste dhe që ndizte këngën, por ishte Leskua ai që e nxirrte Grupin faqebardhë para sallës me “terezinë” dhe “ekonominnë” e tij në lëvizjet e vështira të valles së Vranishtit, me fytyrë nga salla në vargun e fundit.
Arapi i dekorua disa herë e me çmime të ndryshme nga shteti shqiptar. Por Arapi kishte vetëm emrin, të shkruar në Dekorata. Ato dekorata ishin dhe mbetën pronë e Grupit, pronë e Vranishtit.
Në kabinën e “Zisit” të Arapit nuk pushonte kurrë kënga, madje as kur ai ishte i vetëm brenda saj. Me këngën e tij, ai u bë shembull imitimi për rininë vranishtiote, të krahinës dhe të të gjithë Vlorës.
Në pamje të parë, dukej sikur suksesi i Arapit qëndronte vetëm tek zëri i tij i lartë dhe i fortë. Nuk ishte kështu. Arapi, edhe pse ishte me natyrë të rëndë në dukje, kishte një shpirt të pastër fëmije. Ai e përjetonte këngën me të gjithë qenien e tij, kur këndonte ai, nuk mirrte pjesë vetëm zëri i tij, por çdo qelizë e trupit të tij. Prandaj ai u bë shembull për imitim për dhjetra të rinj vranishtiotë, që ai vetë, me durim në provat e pafund nëish-Shtëpinë Kulturës, deri në mesnatë, i përgatiste. Ai ishte një artist, që me shembullin dhe përpjekjet e tij nxori shumë artistë të tjerë në Vranisht. Ai kurrë nuk e pa Grupin si një burim përfitimi, përkundrazi, ai dhe shumë të tjerë i kanë qëndruar edhe me lekë nga xhepi, për sedrën e artistit, që kënga dhe vallja vranishtiote të arrinin deri në perfeksion të plotë, në majat e artit shqiptar.
Arritja më e madhe e Arapit, ishte Familja e tij. Ai e lidhi jetën e tij me Havanë, një grua dinjitoze vranishtiote. Me Havanë ai ndërtoi një familje të shkëlqyer. Ata të dy bashkë, lindën dhe rritën 5 fëmijë, njërin më të bukur se tjetri, të gjithë të zotët dhe të ndershëm, të aftë për të përballuar jetën. Doemos si fëmijë të tij, ata trashëguan edhe këngën dhe vallen, madje Krenari ishte krenaria e fëmijëve të Vranishtit në valle, në vendin që mbante i ati, heqës i valles së grupit të fëmijëve të Vranishtit, që ngriti në këmbë sallat e këtij vendi, deri në Pallatin e Kongreseve. Grupi i fëmijëve, ishte padyshim njëra nga arritjet më të mëdha të Profesor Muhamet Tartarit.
Një jetë të tërë, Arap Çeloleskua ishte njeri dinjitoz. I tillë, dinjitoz ishte ai edhe në parballjen e fundit me sëmundjen e rëndë. Ai dinjitoz ndahet nga ne sot, dinjitoz mbetet për të gjithë brezat.
Ne sot ndahemi vetëm fizikisht me të. Pasi në magnetofonët dhe në televizorët e Vranishtit por dhe të gjithë Shqipërisë, do të buçasë, zëri i tij, Zëri i Arapit. Ai edhe me mosqënien e tij në këtë jetë, do të vazhdojë të nxjerrë këngëtarë në brezat që vijnë, të cilët do të mrekullohen me zërin e tij, dhe do ta kenë shembull stili dhe karakteri në këngë. Edhe pse kurrë nuk kanë për ta njohur.
Sot, ai përcillet nga gjithë korifejtë e këngës labe, nga e gjithë bota artistike e Vlorës dhe e gjithë Labërisë.
Prandaj sot, të gjithëve u ka lezet loti në sy për Arapin.
Fëmijët e tij kanë një emër të madh për ta justifikuar dhe nderuar. Por edhe ne të gjithë do të themi me krenari: Unë kam kënduar me Arapin, qoftë edhe në një dasmë, apo gëzim shoqëror.
NË SHENJË RESPEKTI PËR EMRIN DHE JETËN E TIJ, JU FTOJ TË GJITHËVE TË MBAJMË NJË MINUTË HESHTJE.
I PAVDEKSHËM EMRI YT, ARAP!