Shqipëria/Aktualitet

Pamje fantastike nga fauna e egër në Malin e Tomorit

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Në parkun Kombëtar “Mali i Tomorit” në Berat ditët e fundit janë regjistruar pamje të mrekullueshme të faunës së egër nga kamerat kurth të vendosura në këtë park.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Berat ka përcjellë pamje nga kafshët e rralla që rriten në këtë park si ariu i murrmë, ujku, macja e egër etj.

“Duke qenë të qeta dhe në një habitat të pasur që i siguron nevojat jetësore, popullatat e tyre janë në rritje nga viti në vit”, thekson ADZM Berat.

Punonjësit e ADZM i bëjnë thirrje qytetarëve t’i mbrojnë ato nga veprimet e kundërligjshme që i shqetësojnë dhe u rrezikojnë jetën.

Në parkun Kombëtar “Mali i Tomorit” gjatë muajit nëntor janë monitoruar mbi 30 lloje gjitarësh si dhe disa kafshë që prej vitesh nuk ishin parë në pyjet e vendit tonë.

Kafshë të shumta si ariu i murrmë (Ursusarctos), macja e egër (Felissilvestris), derri i egër (Susscrofa), kunadhja (Martesfoina), dhelpra (Vulpesvulpes), ujku (Canis lupus), kaprollja, gjeli i egër, dhia e egër etj, janë “kapur” nga kamerat kurth në habitatin e Parkut Kombëtar të Tomorit me anë të kamerave speciale, të pajisura me sensorë.

Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe në zonat e mbrojtura në Berat të ketë një shtim të kafshëve të egra gjatë viteve të fundit.

Tomori u shpall park kombëtar në vitin 1996 dhe më pas në vite të ndryshme, përkatësisht në 2012 dhe 2019 ka marrë zgjerim të vazhdueshëm, deri sa ka arritur sipërfaqen aktuale prej 26,106.2 ha. Lartësia mbizotëruese e parkut është 800-1000m mbi nivelin e detit./k.s/j.p/