PRISHTINE, 4 janar /ATSH/ – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron, shkruan Kosovapress.
Në njoftimin e presidencës u bë e ditur se në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.
Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare.
Bëhet e ditur se ajo ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Cameron mbrëmë ka zhvilluar takimin me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se ka qenë një diskutim i shkëlqyer me të. Ndërsa, sot në mëngjes ka takuar ministren e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. /os/