Më 20 mars 1920, në Elbasan, familja e Hasan Stafës, shtohet me djalë. Vite më parë, Hasan Stafa kishte mbaruar shkollën ushtarake në Turqi, shkollë në të cilën ka pasur bashkëstudent, shok dhe mik, shqiptarin, arkitektin e Turqisë moderne, Qemal Ataturkun. Për nder të këtij emri, i sapolinduri i familjes Stafa, u quajt Qemal.
Pikërisht në Elbasan, lindi një Qemal i ri, vizionar dhe idealist i së bukurës përparimtare, një simbiozë kjo, sa domethënëse për emrin, aq dhe e fortë për karakterin njerëzor.
Kur Qemali ishte në moshën 3 vjeçare, familja Stafa shpërngulet në Shkodër, atje ku Qemali nisi dhe rrugëtimin e dijeve, ku gërshetimi i kulturës familjare, dhe origjina nga vatra e arsimit kombëtar, Elbasani, ndikuan në botën e brendshme shpirtërore të të riut Qemal Stafa.
Në moshën 16 vjeçare, në vitin shkollor 1934-35, hartimi i tij mbi disa vargje të “Vilhem Telit” të Shilerit, ishte shpërthimi i parë i guximshëm dhe i vendosur i Qemalit, për ndryshimin e madh. “E vjetra shembet, një botë e re po lulëzon gërmadhadh”, ishin fjalë nga brendësia e tij shpirtërore, që ndikuan tek brezi i tij, por që shqetësuan dhe autoritetet e kohës…
Në janar të vitit 1939, me krenari dhe vendosmëri të pa tundur, ai pranon para trupit gjykues, se është krenar që është komunist…
Pas pushtimit fashist, veprimtaria e tij është shumë aktive, duke u bërë ideatori dhe organizatori i Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri.
Pas formimit të PKSH më 8 nëntor 1941, ku ishte organizatori kryesor, më 23 nëntor po të atij viti, formohet Komiteti Qendror i Rinisë Komuniste Shqiptare, ku Qemal Stafa është drejtuesi dhe udhëheqësi i saj.
Qartësia e mendimit idealist, shkathtësia dhe veprimtaria e dendur antifashiste, zgjoi ndërgjegjen e rinisë dhe të popullit shqiptar, kundër dogmës dhe fashistizimit të vendit, nga pushtuesit italianë…
Qemal Stafa nuk ishte kurrsesi një mit, por ishte simboli dhe figura më domethënëse e ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, ishte dhe mbeti figura kryesore e idealizmit dhe ndërgjegjes së lartë të lirisë pa kushte, të vetëbesimit, trimërisë dhe vetëmohimit.
Sot mbushen plot 102 vite nga lindja e tij, 102 vite nga lindja e Ataturkut shqiptar në Shqipëri, që në 22 vite jetë, trashëgoi një legjendë të mirëfilltë të shembjes të së vjetrës së thërmuar, për një rend të ri të barazisë shoqërore, një rend të përbashkët, një rend kundër varfërisë dhe ndryshimeve të niveleve të shtresave ekonomike në shoqëri.
OKDA Elbasan
add a comment