Shqipëria/Aktualitet

Organizata e Dëshmorëve: Një Ditë Vere me vëllezërit përtej Drinit

NJË DITË VERE ME VËLLEZËRIT PËRTEJ DRINIT
Dita e Verës në çdo vit është nga ato ditë apo data të rralla, të cilat lënë gjurmë me gjatësi vale, gati të pashuar. Ndjesia e saj fillon disa ditë para datës 14 mars, dhe kalimi i saj, shënon takime të bukura, takime që mbeten në kujtesë dhe bëhen pjesë e bukur e historisë bashkëpunuese vëllazërore.
Një bekim tejet të veçantë na dhuroi kjo Ditë Vere në Elbasanin tonë, kryeqyteti dhe kryefjala e kësaj feste shumë shekullore.
Tre vite më parë, me rastin e 75 vjetorit të rënies së 104 martirëve në kampin e përqendrimit në Prishtinë, katër nga të cilët janë nga Elbasani, patëm fatin të takonim, të njihnim dhe bisedonim gjatë me vëllezërit tanë përtej Drinit: Xhavit Jasharin, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës, dhe Xhevat Gjinin, Kryetar i Shoqërisë LËVIZJA.
Më 14 mars 2022, dy miqtë tanë të mrekullueshëm, erdhën në Elbasan, enkas për të shijuar festën, pikërisht në vatrën ku ajo gjeneron prej shekujsh.
Bashkë me ta, ishin dhe bashkëmiqtë tanë, Axhim Hajrizi, atdhetar që ka vuajtur 5 vite dënim me heqje lirie, në vitet 1982 – 1987 për veprimtari “armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste”, në ish Jugosllavi, si dhe Bejtulla Tahiri, i dënuar me 10 vite heqje lirie, në vitet 1981 – 1991, me të njëjtat motive si bashkëvuajtësi i tij, pra saktë dhe pastër, janë dënuar për lirinë e Kosovës shqiptare…, sot, veprimtarë të LËVIZJES.
Pas një shëtitjeje në mjedisin festiv të qytetit, katër vëllezërve, ashtu siç e ka tradita jonë, iu ofrua një drekë mirëseardhje nga kryetarja e OKDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, shoqëruar nga bashkëshorti i saj, fisniku Petrit Graceni. Më pas, kësaj tryeze iu shtua edhe nënkryetari i organizatës sonë, Bardhul Toda me bashkëshorten e tij, Hedijena.
Mjedisi vëllazëror, bisedat me tema të ndryshme për bashkëpunimet në vazhdim, si dhe biseda të tjera argëtuese me humor, krijuan një kënaqësi të kompletuar, dhe shumë mbresëlënëse. Para nisjes së tyre, iu dhuruam edhe ëmbëlsirat e traditës, bollokumet e Elbasanit.
Falenderojmë miqtë tanë të çmuar, që na dhuruan këtë kënaqësi të veçantë, pikërisht në datën më simbolike, atë të 14 marsit!