Kulturë\Letërsi

Organizata Dëshmorëve: 112 vitet e Shkollës Normale “Luigj Gurakuqi”

112 vite Shkolla Normale “Luigj Gurakuqi” (1 Dhjetor)
Sot, me krenari legjitime, Shkolla Luigj Gurakuqi në Elbasan, festoi me dinjitet 112 vjetorin. Rrënjët e kësaj shkolle e kanë zanafillën prej Kongresit të Arsimit, apo Kongresi i Elbasanit, i mbajtur 2 deri më 9 shtator 1909 në Elbasan, nga vendimet e të cilit, ishte dhe hapja e Shkollës Normale. Ky fidan institucional arsimor, u mboll më 1 dhjetor 1909, duke nisur një rrugëtim jo vetëm të vështirë për shtrëngesat e kohës, jo të lehtë për nga vështirësitë e ndryshme, por, përpos të gjithave, ky rrugëtim fisnik, duke shpërfillur gjithçka, me guximin e atdhetarëve shqiptarë, u bë një e vërtetë e prekshme, u bë pema me frute cilësorë, duke përhapur në mbarë trojet shqiptare, kulturën shkollore dhe arsimore, dije të gjera, dhe në themel, kultivoi atdhetarizmin e kthjellët…
Drejtori i parë i kësaj shkolle, ka qenë Luigj Gurakuqi, Hero i Popullit, emrin e të cilit mban kjo shkollë.
Sot, Shkolla Luigj Gurakuqi, shkolla e trashëguar nga Normalja, si çdo vit në këtë datë, ishte krejt në mjedis festiv.
Për të nderuar veprimtarinë e rastit, ishin të pranishëm, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Prefektja e Qarkut Elbasan, zj. Majlinda Perriu, Ministre e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, anëtare e kryesisë së OFDA Elbasan, zj. Evis Kushi, deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, z. Klevis Xhoxhi dhe Florenc Spaho, si dhe drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Elbasan, z. Ermir Çela.
Nga organizata jonë e Familjeve të Dëshmorëve Elbasan, veprimtarinë e nderuan sekretarja Rolanda Suli dhe nënkryetari Bardhul Toda.
Nën shoqërimin e drejtorit të kësaj shkolle, z. Arjan Gani, si dhe të mësuesve dhe nxënësve, të ftuarit vizituan muzeun e kësaj shkolle dinjitoze.
Në ceremoninë zyrtare, pas fjalës së hapjes nga drejtori i kësaj shkolle, z. Gani, fjalën e mori kryetari i Bashkisë, z. Llatja, pasuar nga Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, zj. Kushi, Prefektja e Qarkut Elbasan, zj. Perriu, si dhe deputetët, z. Xhoxhi dhe z. Spaho.
Në emër të OFDA Dega Elbasan, nënkryetari Bardhul Toda, theksoi edhe vlerat e larta atdhetare të historisë së kësaj shkolle, duke kujtuar datën 1 maj 1943, datë ku rreth 100 normalistë, lanë bankat e shkollës, dhe dolën të luftojnë për çlirimin e vendit. Në vazhdën e përçimit të atdhetarizmit dhe të vlerave të shëndosha të historisë kombëtare, me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit, nënkryetari i organizatës sonë, i dorëzoi drejtorit të kësaj shkolle, vlerësimin NDERI I ORGANIZATËS KOMBËTARE TË DËSHMORËVE TË LANÇ DHE TË GJITHË DËSHMORËVE TË ATDHEUT, akorduar nga kryesia e përgjithshme, që për shkak të kufizimeve prej pandemisë, nuk ka qenë e mundur të dorëzohej më parë.
Nga Shkolla Normale, altari i shenjtë i Dëshmorëve të LANÇ, ka 70 emra të ndriçuar në përjetësi, sikundër është në këtë altar, Avni Rustemi, Hero i Popullit, një nga nxënësit e parë në vitin 1909, apo Myzafer Asqeriu.
Më pas me organizimin e drejtorisë së shkollës, trupës mësimore dhe nxënësve, ishte përgatitur një program i pasur artistik, me tematikë atdhetare, e drejtuar nga mësuesja e përkushtuar, zj. Klodiana Dushku.
Kjo ditë e bukur, është një nga ato vlera që kjo shkollë ia bashkangjit historisë së saj 112 vjeçare, ku lindi dhe u rrit arsimi ynë kombëtar.
Gëzuar këtë datë të shenjtë Shkolla Normale! Lavdi Dëshmorëve që dolën nga kjo shkllë! Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!