Histori

Organizata Dëshmorëve: Premtimi i dhënë dhe fjala e mbajtur fisnikëri nga gjeneza shqiptare

Trashëgimia jetësore ecën, shtohet e zhvillohet, nga e cila çdo brez që i lë vendin tjetrit, lë dhe porositë bazë të kulturës, fisnikërisë, traditës paraardhëse që duhet ruajtur me çdo mjet dhe në çdo rrethanë, e shumë e shumë porosi, të cilat kanë mbajtur gjallë dhe kanë njësuar dhe karakterizuar me cilësi të larta shqiptarizmin, pra qenien tonë kombëtare.

Kjo forcë, kjo dëshirë dhe kjo mbrujtje për të mësuar sa më shumë nga gjithçka ka të bëj me të kaluarën e afërt dhe të largët, me historinë dhe rrethanat e zhvillimit të saj, por dhe për të vërtetuar atë çka hiri i së kaluarës ka lënë pas, djali i Elbasanit Ilir Hoxha, na solli foto me pamje rrëqethëse, edhe pse ato na vijnë pas 75-80 vitesh nga ndodhitë reale të përjetimit të tmerreve që ka në ndodhur atje.

Jo thjeshtë kultura apo kureshtja njerëzore, ishin shtysat që e dërguan Ilirin në kampin e përqendrimit në Mat’hauzen të Austrisë, duke dërguar në këtë vend jo të zakonshëm edhe nënën e tij, Sixhire Hoxha, por vizita e tyre në atë kamp tashmë muze, nga thellësia e viteve të luftës, për familjen e tij, ka një pjesë të jetës, tashmë të përfshirë në historinë kombëtare shqiptare, ka në ajrin e atij mjedisi aromën e trupit dhe në muret e tij spërkatjen e gjakut nga Dëshmori i Atdheut, Isuf Ibërshimi, që mbeti përjetësisht këtu, bashkë me shokë të tjerë të një ideali, vëllezër të një gjaku, bashkëluftëtarë të të njëjtit qëllim, atë të lirisë së vendit nga thundra e huaj. Në këtë vend morti po të shprehemi kështu, kanë qenë 133 të internuar shqiptarë, nga të cilët 13 kanë qenë nga qyteti i Elbasanit.
Në udhëtimin e gjatë për të mbërritur në këtë muze, Ilir Hoxha, shkonte në atë rrugë për të cilën dikur ia kishte premtuar nënës së tij, për të parë atë vend në të cilin babai i saj Isufi, kaloi rreth dy vite jete, ndoshta më të gjatat e jetës së tij për nga vuajtja, tmerri dhe torturat. Pra, me vizitën në këtë vend, duke marrë nga Shqipëria edhe nënën e tij të dëshiruar për babanë e saj, ai përmbushte premtimin e dikurshëm, që i ndikuar nga kushte dhe rrethana të ndryshme, mundi ta realizojë këto ditë korriku të 2019-ës.
Në fund të këtij udhëtimi, ajo që merr vlerë të padiskutueshme, është fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur e Ilirit para nënës së tij, si një premtim të realizuar edhe për të gjithë ata, që për çdo rrethanë pamundësie, nuk kanë mundur të shkojnë ende deri sot.
Isuf Ibërshimi është babai i nënës së Ilirit, pra gjyshi i tij. Ai ka marrë pjesë në grupet dhe njësitet guerile të qytetit të Elbasanit. Gjatë viteve 1942–1943, ka kryer veprimtari kundër okupatorëve nazifashistë në këtë qytet. Në shtëpinë e tij organizoheshin mbledhjet e grupeve antifashiste nacionalçlirimtare, ndaj dhe kjo shtëpi ishte një nga bazat e takimeve të anëtarëve të grupeve guerile. Veprimtaria e tij kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre ra në sy të tradhtarëve, të cilët, menjëherë (si dhe në raste të tjera), detyrën antikombëtare e kryen me shumë zell. Një mbrëmje, forcat gjermane hyjnë në dyqanin e lagjes dhe e arrestojnë menjëherë bashkë me Hysen Abdihoxhën dhe Ibrahim Dukën. Duhet të nënvizojmë faktin se të tre të arrestuarit, ishin të martuar dhe prindër me fëmijë. Isufi kishte vajzën Sixhirien, tre vjeçe, dhe djalin Qani, pa mbushur vitin e parë të lindjes. Që nga çasti i arrestimit ata i internuan në kampet naziste në Mat’hauzen në Austri, në nëntor 1943. Në atë kamp ka pasur matrikullin me numër 60154, ndërsa si shumë të tjerë, jeta e tij u ndërpre në atë kamp. Ai dhe mijëra të tjerë, u shuan në kushte të cilat mundet vetëm t’i përshkruajmë, por, sado të mundohemi, sado të gërryejmë nga leksiku ynë fjalët më të përshtatshme, sërish jemi të vetëdijshëm, që nuk do të mund të bëjmë veçse një gërvishtje të lehtë mbi letër apo në historinë e asaj kohe, nga më të zezat e historisë mbarëbotërore.
Ecjet dhe ndalesat në çdo vend të kampit, në çdo foto, poster e pllakat që përshkruante fragmente të jetës të para 75-80 viteve, në mënyrë të pavetëdijshme të përthithnin në përqendrim, për të mos lënë asgjë pa lexuar. Por ajo që na rrëfen Iliri, është një tjetër emocion i thellë, kur tregonte ndjesitë e nënës së tij, e cila gjatë gjithë vizitës rreth katër orëshe, ishte e përlotur, e mallëngjyer, dhe gati-gati, i dukej se ishte aq pranë të atit, dhe prekte e ledhatonte çdo vend, duke belbëzuar nën zë, ndoshta edhe këtë vend e ka prekur me dorë babai, ndoshta edhe këtu ka kaluar, ndoshta edhe tek ky gur lavaman është larë mëngjeseve të trishta të zgjimeve përditësisht të egër…
Kur u ndalën para krematoriumeve, Sixhiria, në belbëzimin e saj të vajtimit, i dukej se më në fund, pavarësisht kohës, iu duk se ndoshta ishte para varrit të të atit, që në fakt, edhe sot varr nuk ka. Ta kenë djegur tek ky, apo tek ky, apo ndoshta tek ky i treti!? Mos ndoshta e kanë pushkatuar këtu, tek ky vend pushkatimi?..
Edhe pse koha ecte pa u ndjerë, edhe pse lodhja ngadalë kishte zbritur mbi ta, në fund të vizitës, para largimit, më në fund, një ndjesi qetësie kishte zbritur në shpirtrat e tyre nënë e bir, sepse më në fund kishin përmbushur një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tyre. Ato lule që u vendosën diku në atë rrethim, ishin buqeta e parë që vajza vë aq pranë të atit, dhe nipi pranë gjyshit, dhe njëherazi, ata pohojnë se ato lule, ia kushtuan të gjithë të ikurve në atë kamp, të gjithë timave antifashistë që nuk u pajtuan kurrë me të keqen, edhe pse, për idealin e tyre ata humbën jetën.
Në këto labirinte historike, të një historie njerëzore aspak njerëzore, thirrja e brendshme shpirtërore për të parë nga afër, tashmë në një formë vetëm përfytyruese të asaj që ka ndodhur, që siç ai vetë pohon, sado të mundesh të riprodhosh me mendje skenarë të atij “filmi” në bazë të fotove të muzeut të sotëm, sërish, forca riprodhuese, nuk arrin të perceptojë atë kafshëri naziste që ka ndodhur brenda atij rrethimi mizor.
Nazizmi tashmë është një nga njollat më të zeza të historisë, i lindur nga pjella e mendjes njerëzore, është një kapitull i cili nuk duhet të përsëritet më, asgjëkund, dhe asnjëherë.
Ky vend tashmë muze, i ruajtur, i mirëmbajtur dhe i rregulluar, në thelb të tij, veç pasqyrimit të një periudhe të caktuar historike, synon që thellë brenda çdo vizitori, apo gjithkujt që mund ta shohë nëpërmjet emisioneve të ndryshme televizive, të kuptojë çfarë ka ndodhur dikur, të dallojë të mirën nga e keqja, dhe të parandalojë mendësi të tilla, mendësi që mendja njerëzore të mos mundet kurrë të riprodhojnë të tilla fenomene në të ardhmen.
Me këto përshkrime kaloi pasditja e së shtunës, në takimin që patëm me Ilirin, nënën dhe bashkëshorten e tij. Dëshira e këtij takimi ishte kaq e dëshiruar si nga Iliri dhe familja e tij, por edhe nga ne, përfaqësuesit e kryesisë së OFDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, kryetare e organizatës, Landa Suli, sekretare e organizatës, dhe Bardhul Toda, nënkryetar i organizatës sonë.
Është veprim fisnik dhe me botëkuptim të jashtëzakonshëm, që ky kamp, tashmë është muzeu nga i cili kemi ç’të shohim, të kuptojmë dhe të lexojmë, dhe njëkohësisht, dërgojmë një vlerësim dhe respekt për shtetin gjerman dhe austriak, që me veprime të tilla, dënojnë të keqen që i erdhi njerëzimit nga paraardhësit e tyre, dhe ky është një tjetër mesazh i fortë dhe i qartë, për të ndarë me ngjyra bardh e zi, të mirën nga e keqja. Ky mesazh, duhet të forcohet dhe të marrë përmasat që i takojnë edhe tek ne, sa i takon ngjarjeve të luftës, duke vlerësuar ata që vërtetë e deshën atdheun pa vënë në mes marrëveshje të ndyra siç bënë një pjesë, pjesë e cila, herë-herë merr revanshin e nxirjes së sakrificës popullore, që u ndesh dhëmbë për dhëmbë me pushtuesit. Kur vetë vendet nga ku lindi kjo e keqe, e dënojnë atë, po ne, a duhet të ledhatojmë ata që në Shqipëri u bënë palë me të? Më mirë se çdo fjalë, për këtë secili po të mendojë me logjikë të kthjellët dhe me ndërgjegje të pastër në vetvete, nuk e ka të vështirë të pranojë atë të vërtetë, edhe pse për disa ajo është një njollë e zezë. Duke pastruar ndërgjegjen, të gjithë bashkë jemi shumë herë më të gatshëm dhe të bashkuar, për të kuptuar dhe përballuar të keqen e re që kemi nëpër këmbë, që ende pengon zhvillimet pozitive të vendit, për të nisur zyrtarisht rrugëtimin e ri, drejt së ardhmes perëndimore. Vetëm me ndërgjegje të pastër, pa emocione ndrydhëse, duke e ndalur të keqen, i bëjmë nderin historik vetes, familjeve tona, dhe nderojmë kombin e shqiptarëve, që vërtetë e meriton të jetë i nderuar!
Tee falenderojmë miku ynë Ilir Hoxha, që realizove një premtim të mbajtur ndaj nënës suaj, premtim si ta kishe bërë para të gjitha nënave shqiptare që i dhuruan lirisë së atdheut, jetën e bijve të tyre, të cilët i nderojmë si detyrë që e ka çdo brez për ta bërë!

Postimet e fundit !