Histori

Organizata Dëshmorëve: Njëqindvjetori i lindjes së Gjeneral Major Ndreko Rinos

Në përkujtim të njerëzve që nuk u kursyen për atdheun, për ata që luftuan dhe u përkushtuan gjatë gjithë jetës në kryerjen e dytarave, dhe ishin në ballë të nevojave që kërkonte vendi, sot, me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta (2 dhjetor 1998), kujtojmë të nderuarin, ish-partizan dhe kuadër i lartë ushtarak gjatë LANÇ dhe më pas, ushtarakun me shpirt të pasur artisti e krijuesi, atdhetarin Ndreko Rino.
Për këtë figurë të plotësuar, më së miri flet shkrimi i mëposhtëm, ku përmblidhet një jetëshkrim për jetën e tij. (Marrë me pak shkurtime nga gazeta Telegraf. Autori dhe data e publikimit janë sipas faqes elektronike të kësaj gazete)
“Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi
Ndreko Rino – Personalitet i mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë
30 Janar, 2015
Ndreko Rino u lind në vitin 14 shtator 1921 në Libohovë, në një familje me tradita patriotike. Pas pjesëmarrjes në vitet e luftës, si një ndër personazhet kryesore të LANÇ-it, njihet gjithashtu si protagonist kryesor i Armës e i Mbrojtjes së Kufirit të Shqipërisë, si veprimtar i spikatur i shoqërisë civile dhe me cilësinë e njeriut të letrave. Jeta dhe vepra e Ndreko Rinos si shqiptar i përflakur, si luftëtar e komandant i luftës dhe i paqes, si intelektual i pushkës dhe i penës, radhitet në piedestalin e njerëzve të shquar të kombit. Përgjegjës i njësitit gueril dhe komandant i partizanëve të Libohovës, Ndreko Rino është ndër të paktët që emërohet komandant batalioni i Brigadës së Parë Sulmuese.
I kompletuar si lidership lufte, dërgohet në veri të vendit me cilësinë e komandantit të parë të Brigadës së 24-t Sulmuese të Rrethit të Kukësit. Libohoviti Ndreko Rino iu betua banorëve të zonës, duke iu thënë se “Ju i besuat vullnetin dhe i dhatë votën tuaj Avni Rustemit. Unë do t’ju jap zemrën dhe e fal jetën time për çlirimin e atdheut nga shkelësi i huaj”. I shquar për aftësi drejtuese, shumë shpejt u inkuadrua në sferat e kuadrove të lartë operativë të luftës e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare… u bë komandant i Divizionit II dhe VI të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Për shumë probleme të rëndësishme të luftës bashkëpunoi ngushtë me krerë të Veriut.
Ishte modest, edhe pse kryente detyra madhore në interes të kombit.
Historia e ecurisë, veprimtarisë heroike dhe e përballimit të situatave të mprehta nga ushtria e kufirit nuk kuptohet pa personalitetin e gjithanshëm të Ndreko Rinos. Ai i dha jetën kufirit. Përveç 15 dekoratave, Ndreko Rino u nderua edhe me Medalje të Artë (1969). Por ai njihet edhe në fushën e krijimtarisë shkencore dhe artistike, si shkrimtar e studiues. Këndoi gjithë mall për ushtarët, oficerët, kolegët, eprorët dhe për heroizmin e popullit. Ndreko Rino ishte shkrimtar e poet i realitetit njerëzor. Ai përshkruante me detaje pikën e djersës së kufitarëve, shkruante me patos për vështirësitë e tyre, “atje ku ngjitej kali për të çuar ushqimin e njerëzve me uniformë”, ku nata dhe dita bashkoheshin me shqetësimin për ruajtjen e kufirit etj. Ky gjeneral ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është autori i një sërë gjinish artistike, si poezi, prozë, publicistikë e përkthime. Firma e Ndreko Rinos u shpalos në organe të përditshme të shtypit ushtarak, letrar dhe studimor. Biblioteka Kombëtare u bë shtëpia e tij e dytë. Gjenerali i letrave u dha lexuesve disa tituj, si “Pëllëmbë e gjak”, “Ditë lufte”, “Në roje të kufirit”, “Lufta vazhdon”, “Dyluftimi”, “Edhe unë di të luftoj”, “Ditar poetik”, “Zambakë të kuq”, “Gurra e këngës”, si dhe qindra artikuj, për të cilët u nderua me disa Çmime Republike. Pas karrierës si udhëheqës ushtarak, hero dhe shkrimtar, Ndreko Rino ka shërbyer për 10 vjet (1971-’80) si sekretar i përgjithshëm te veteranët e Komitetit Kombëtar të LANÇ-it.
Gjeneralin e nderuan dhe e respektuan në Algjeri, Itali, Angli etj., shtetet ish-aleate në Koalicionin Antifashist Botëror. Shteti shqiptar e ngarkoi me misionin kombëtar për sjelljen në atdhe nga Mali i Zi të eshtrave të partizanëve shqiptarë, si dhe për të sjellë nga Selaniku eshtrat e personalitetit të Kosovës e të Shqipërisë, Hasan Prishtina. Figura e Ndreko Rinos është jeta e një personaliteti ushtarak të luftës e mbrojtjes, që mbi gjithçka pati virtytin njerëzor, që për çdo lloj vlere kombëtare shkriu talentin e tij. “Jeta ka kuptim kur atë e vë në shërbim të atdheut”. Kjo devizë tipike, për dhjetëra heronj të këtij kombi, i shkon shumë për shtat edhe Heroit të Popullit, gjeneral Ndreko Rinos.”
Kjo figurë emblematike, siç është thënë edhe në një nga takimet përkujtimore për të, është cilësuar në vitet ’70, si babai i kufirit shqiptar.
Gjeneral Major Ndreko Rino, si bir i truallit shqiptar, veç vendlindjes, është dhe pjesë organike e trashëgimisë së gjenezës, edhe me Elbasanin, pasi nipi i tij, është pjesë e një nga familjeve më të nderuara të qytetit tone, siç është ajo Myzyri.
Të nderuar miq, të nderuar bashkëatdhetarë kudo ndodheni! Vlerat e njerëzve që për Shqipërinë nuk kursyen asgjë, janë jo vetëm detyrim i shoqërisë, por edhe etaloni për ta trashëguar në brezat e ardhshëm. Me busulla të tilla, të përkushtimit, sakrificave dhe atdhedashurisë, duhet të jetë motoja e gjeneratave tona, për të pasur një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri të denjë në gjirin e madh të familjes europiane, një Shqipëri ashtu siç na e do zemra të gjithëve! Atdheu nuk është plaçkë e askujt, por është pronë e shqiptarëve që e duan dhe japin gjithçka për të!