Portreti/intervista

Organizata Dëshmorëve: Ne shqiptarët dimë të nderojmë vetëm shqiptarisht – JORGJI DILO (1923 – 1944)

NE JEMI SHQIPTARË DHE DIMË TË NDEROJMË VETËM ALLASHQIPTARÇE.
JORGJI DILO
1923-1944
4 gushti i vitit 1944, është një tjetër datë që bart nderimin e pjesëmarrësve në LANÇ. Lavdia e tyre është e përjetshme, ashtu si detyrimi i nderimit të çdo brezi ndaj tyre.
Kjo datë përjetëson Dëshmorin e Atdheut Jorgji Dilo, i vrarë në një betejë të ashpër në zonën e Shpatit, betejë në të cilën mbeti i vrarë edhe Xhafë Bali.
Jorgji ishte djali i madh i prindërve Thanas e Ana Dilo. Ai ka lindur në prill të vitit 1923, dhe më pas kjo familje shtohet edhe me fëmijët e tjerë, Katina, Nikoja e Diamanda.
Vështirësitë ekonomike për këtë familje kanë qenë të shumta, ndaj Thanasi, me përgjegjësinë e kryefamiljarit detyrohej që të punonte edhe larg familjes për të siguruar ato të ardhura të pakta për ushqimin e fëmijëve.
Fryma e revoltës së brendshme ndaj regjimit të Ahmet Zogut, ashtu siç burrëroi para kohe atë pjesë të rinisë atdhetare, ndikoi po aq shumë edhe tek i riu Jorgji Dilo, gjatë kohës që vazhdonte Normalen në Elbasanin e tij të lindjes. Nuk pranonte kur ndonjë mësues italian apo shqiptar kërkonin të nderonin allafashiste, ai refuzonte duke ju thënë: Ne jemi shqiptarë e dimë të nderojmë vetëm allashqiptarçe.
Duke e ndjerë dhe kuptuar llojin e atij regjimi të kalbur, ai u vu në lidhje me grupet edukative të të rinjve antifashistë që funksiononin në Shkollën Normale. Më pas ai lidhet dhe me grupet komuniste të të rinjve në shkollë. Lexonte letërsi të ndaluar për kohën, si “Kapitali”, “Manifesti i PK”, “Nëna”, libër ky që ishte shoku më i mirë i tij. Idhulli i tij ishte Pavëll Vllasovi. Rreth këtyre librave u fliste edhe shokëve.
Por për Jorgji Dilon, për mendimet, dëshirat, idealet, për botën e tij të brendshme, më shumë se kushdo, na flet ditari i tij. Ai ditar fillon që më 1 janar 1939.
Duke e shfletuar atë me kujdes, të ravijëzohet mjaft mirë portreti i tij, i të riut shqiptar në vitet e fundit të sundimit të mbretit Zog, gjatë pushtimit fashist dhe fillimit e në vazhdim të LANÇ.
Familja Dilo si shumë familje të tjera në Elbasan, bashkua tërësisht me vrullin antifashist popullor të Elbasanit, në protestat e organizuara që më 3 e deri më 7 prill të 1939 pa ndërprerje.
Kur popullin e Elbasanit, e një pjesë të nxënësve të Normales i mbyllën në kazermat e Krastës, për të mos penguar ikjen e tradhtarit Zog, Jorgji u kthye në shtëpi me tri pushkë: një për vete, një për të atin dhe një për të vëllanë si dhe mjaft municione…
Ndonëse fare i ri, vetëm 16 vjeç, zgjuarsia, formimi dhe intuita e tij, e ndjenin kryengritjen që po përgatitej dhe e radhiste veten që në atë kohë midis luftëtarëve të lirisë, pa marrë parasysh rreziqet që e kërcënonin…
Nuk është e rëndësishme të jesh i pasur për të qenë një atdhetar i mirë, por një atdhetar i mirë, jep gjithçka ka, për vendin e tij!
Ky ka qenë parimi më i lartë për familjen Dilo. Me këtë kryefamiljari i saj Thanasi, bashkëshortja e tij Ana, fëmijët Jorgji, Niko, Katina dhe Diamanda, me ndërgjegje të plotë, duke parë dhe përjetuar gjithçka erdhi nga pushtimi i vendit, u bashkuan me LANÇ, për të përballuar dhe për të shkatërruar të keqen që ishte ulur këmbë kryq. E mira për familjen ishte edhe e mira për vendin dhe anasjelltas.
Kjo familje organizohet dhe përkushtohet tërësisht me LANÇ. Jorgji Dilo, sot Dëshmor i Atdheut, militoi në njësitin gueril, më pas komisar i batalionit të Dumresë e atij të Shpatit.
Ana Dilo, bashkëshortja e Thanasit, ishte nga gratë më aktiviste dhe anëtare e këshillit të parë të grave ilegale të lagjes “Kala”.
Niko Dilo, djali tjetër i familjes, militoi në fillim si nxënës kur ishte në shkollën Normale, dhe është një nga 100 normalistët që më 1 maj 1943, u bashkuan me formacionet çlirimtare partizane.
Po kështu edhe vajzat e familjes, Katina Dilo (Andoni), e organizuar me të rejat antifashiste bashkë me Saibe Myhyrdarin, Hedije Mollohollin, Bule Dardhën etj., ndërsa Diamanda Dilo (Doda), më e vogla në moshë, ka qenë pjesë e organizatës së pionierëve, organizatë e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në ndihmë të luftës çlirimtare.
Shtëpia e Dilove në lagjen “Kala”, që në fillim të vitit 1942, ishte një nga bazat e rëndësishme dhe të sigurta në ndihmë të të gjithë pjesëmarrësve në LANÇ. Edhe pse më vonë, e vënë në shënjestër të armikut, është kontrolluar dhe bastisur disa herë, arti i mbulimit dhe i fshehjes së sigurt të materialeve të ndryshme të luftës, nuk u arritën të zbuloheshin qoftë dhe një herë të vetme.
Janë zhvilluar në këtë shtëpi mbledhje të ndryshme të rëndësishme për organizimin dhe planet e luftimit, por dhe janë strehuar ilegalët Sotir Lubonja, Musa Karapici, emrat e të cilëve janë bërë të njohur vetëm pas luftës. Janë strehuar gjithashtu edhe ilegalë të tjerë, shokë të Jorgji Dilos, emrat e të cilëve nuk diheshin nga familjarët, për arsye konspirative që kërkonte koha.
Ishte kjo një nga arsyet, që pushtuesit nuk kursyen internimin e Ana dhe Katina Dilos në kampet në të egër të përqendrimit në Beograd, në kampin famëkeq të Zemunit, në maj të vitit 1944, i transferojnë në kampin e Banicës, dhe në Ravensbruk të Gjermanisë, afër Berlinit.
Më 28 gusht të vitit 1945, nënë e bijë, më në fund mundën të prekin sërish tokën amë, tashmë të çliruar plotësisht.
Vetëm pas kthimit nga internimi, nënë Ana merr vesh që i biri Jorgji Dilo, ishte vrarë më 4 gusht të vitit 1944, në një betejë të ashpër…
Lavdi Dëshmorit të Atdheut Jorgji Dilo!