Portreti/intervista

Organizata Dëshmorëve: Haziz Ruçi trashëgimia e të bukurës historike

HAZIZ RUÇI TRASHËGIMIA E TË BUKURËS HISTORIKE
Miq dhe dashamirësit tanë, kudo ndodheni! Ju urojmë mbi të gjitha shëndet dhe mbarësi në çdo familje!
Familja jonë e OKDA Elbasan, familje që ka rreth çerek shekulli në mbrotje dhe lartësimit të vlerave të Dëshmorëve të Atdheut të rënë në LANÇ, dhe Dëshmorëve të të gjitha kohërave, në gjirin e saj ka njerëz me zemër të hapur, me bindje drejt idealizmit dhe mbi të gjitha, në vlerësim të drejtë të historisë së popullit tonë në periudha të ndryshme historike, e veçanërisht në LANÇ.
Një nga këta njerëz me cilësi atdhetare, me rrënjë tek njerëzit e thjeshtë por me zemër të madhe, është edhe Haziz Ruçi, me banim në fshatin Cërujë, dhe tashmë është dhe Kryetar i OKDA për zonën e tij.
I nderuar gjatë gjithë jetës der më sot, ai ka justifikuar plotësisht prejardhjen e tij të trungut familjar, Hazizi është një nderim i organizatës sonë, pasi pasioni dhe puna e tij e përkushtuar, ka sjellë ndryshime cilësore në zonën e tij, në nderim të luftëtarëve dhe Dëshmorëve të lirisë.
Duhet të nënvizojmë se e tërë kjo zonë ku banon Hazizi, si Mollagjesh, Funar, Bixëlle, Cërujë, Preçë e Poshte dhe Preçë e Sipërme, Krrabë e Vogël etj., gjatë LANÇ, kanë pasur 92 partizanë, kryesisht në Brigadën III Sulmuese, por edhe në Brigadën e I dhe II, zonë nga e cila kemi dhe shtatëmbëdhjetë Dëshmorë të Atdheut.
Në këtë zonë një nga njerëzit e nderuar ka qenë dhe Isuf Deliu, që zgjidhet si fillim anëtar i KANÇL të zonës, dhe më pas, anëtar i KANÇL të Qarkut Elbasan.
Në Brigadën III Sulmuese, kanë qenë dhe dy xhaxhallarë të Hazizit, Ibrahimi dhe Hazizi, sot Dëshmor i Atdheut.
Në postimin e tij më të fundit në rrejtin social facebook, më 10 maj 2022, ai na sjell një përmbledhje të shkurtër, por shumë domethënëse të freskimin e kujtesës historike, jo vetëm si vlerë e asaj treve, por ato janë vlera që nderojnë Elbasanin që i ka brenda hartës së tij gjeografike, dhe, këto vlera, janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare.
Por kjo nuk është e gjitha.
Më 5 maj 2022, ai po në këtë rrjet social, ka shkruar pak rreshta të sinqertë, për një nga dëshmorët e LANÇ, Haziz Ruçi, emër të cilin ai e trashëgon vetë me shumë dinjitet, nga xhaxhai i tij, që luftoi për lirinë e vendit, por pa e shijuar vetë atë.
Ajo që bën të veçantën tek miku ynë Haziz Ruçi, është fakti i sjelljes së disa të dhënave për Dëshmorin e trevës së Elbasanit, duke pasuruar sado pak jetën e vetë dëshmorit, por duke pasuruar në të njëjtën kohë edhe të dhëna intersante dhe të domosdoshme, që na nevojiten për të plotësuar portretet e të gjithë dëshmorëve tanë.
Ndaj, miq të nderuar, me shumë dashamirësi dhe mirëkuptim, OKDA Elbasan, është e nderuar nga të gjithë ju, që në faqet tuaja në rrjetet sociale, të shkruani ato fjalë zemre për të afërmit tuaj Dëshmorë të Atdheut, qoftë kjo në data të shënuara historike, ose në datëlindjet apo në datat e rënies së tyre. Kjo nga të gjithë ju, do të ishte një vlerë e shtuar ndaj trashëgimisë suaj, por, në të njëjtën kohë është një ndihmë e madhe që do t’i bëjmë historisë, dhe mbi të gjitha, është nderim për atë dëshmor, si detyrim të përhershëm që kemi për të gjithë ata.
Të nderuar miq, në këtë kuadër, nëse nuk mundeni që këtë ta bëni vetë, OKDA ofron ndihmën e saj, dhe nëse dëshironi, na dërgoni në messenger të dhëna dhe informacionet që keni, mundësisht të shoqëruara të paktën me një foto, dhe ky do të ishte nder për ne, të cilin e vlerësojmë maksimalisht.
Është kjo një shtysë që na e dha miku ynë Haziz Ruçi, por që ka një domethënie të madhe, që duhet të vazhdohet më tej nga të gjithë.
Me shumë mirënjohje, urojmë mikun tonë Haziz Ruçi, për shëndet dhe mbarësi në famolje, urim që shkon për të gjithë ju miqtë tanë, që jeni ndjekësit më të denjë dhe miqtë më të ngushtë!
OKDA ELBASAN