Histori

Organizat e Dëshmorëve: Pa male nuk ka maja

PA MALE NUK KA MAJA
Në këtë datë të veçantë të besimtarëve bektashianë, një figurë e veçantë e historisë kombëtare, dalë nga ky sekt fetar, është Baba Faja Martaneshi.
Lufta e popullit tonë kundë pushtimit fashist, foli qartë dhe drejtë se asnjë pushtues nuk vjen për të mbjellë trëndafila në tokën që pushton, dhe fundi i kësaj lufte, vërtetoi katërcipërisht drejtësinë e mendimit dhe të kahut të drejtë që mori populli shqiptar, tashmë i radhitur krah popujve fitues të Luftës së Dytë Botërore.
Për figurën e veçantë të Baba Fajës, nga https://www.voal.ch › baba-faja-heroi-tragjik-i-bektashi…, kemi shkëputur disa fragmente nga autori Zenel Gjoni, të përgatitur për botim nga Xhevdet Shehu.
“Historia e çdo vendi që lirinë e ka të shenjtë, me shumë të drejtë do të krenohej me figurën e Baba Faja Martaneshit.
Ky klerik i madh i lirisë së Shqipërisë me moton rilindëse: “Pa Atdhe nuk ka Fe”, tërë jetën e tij, tërë pasurinë e tij shpirtërore dhe materiale e vuri në dispozicion të luftës kundër fashizmit, duke krijuar një simbiozë të plotë të qëllimeve të drejta të mbretërisë së qiellit dhe të tokës. Ai u priu besimtarëve të vet me besimin e madh tek Zoti dhe tek Atdheu. Martaneshin ai e shndërroi në një kështjellë të bektashizmit dhe të lirisë, të luftës kundër fashizmit.
Si formim, si bindje dhe si busull në veprimtarinë konkrete Baba Faja Martaneshi kishte idenë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
“Pa male nuk ka maja” është thënia shumë e njohur e popullit.
Baba Faja ishte në majë në vargmalet e familjes së njohur Xhani. Por jo vetëm ai. Figura e Bajram Xhanit i dha atij simbolin e luftës për liri dhe progres shoqëror. Familja Xhani nëpër breza ka spikatur dhe vazhdon të spikasë për këto veti të larta.
Njëkohësisht edhe Martaneshi mburret, që pati në gjirin e tij në një periudhë tepër të vështirë kohore një nga pinjollët e kësaj dere patriote dhe atdhetare, Baba Fajën, me të cilin formoi një amalgamë solide e të pazhbëshme. Martaneshi lartësoi gjithnjë e më shumë figurën madhore të Baba Fajës, të këtij luftëtari hero. Njëkohësisht Baba Faja ngriti akoma më lart, ngriti në majë të piedestalit të nderit dhe të lavdisë atdhetare e patriotike Martaneshin dhe martaneshasit, të njohur në mot e jetë për gjenin patriotik dhe atdhetarë të mbartur përjetësisht në trashëgiminë e breznive kohore.”
Baba Faja Martaneshi në Konferencën e Pezës ishte përfaqësues i Elbasanit, dhe me themelimin e Fronit Nacionalçlirimtar në shtator të vitit 1942 ishte anëtar në Këshillin e Përgjithshëm, ndërsa në korrik 1943 u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Çlirimit Kombëtar Shqiptar. Në maj të vitit 1944 u zgjodh nënkryetar i Komitetit të Përhershëm të Këshillit Kombëtar Antifashist Nacionalçlirimtar. Pas luftës ai shërbeu si përfaqësues nga Elbasani në Asamblenë Kushtetuese, më pas u zgjodh nënkryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor.
Lufta e tij kundër pushtuesve, nisi nga Çeta e Martaneshit, çeta II e formuar në qarkun e Elbasanit, më 27 shtator 1943, dhe batalioni me këtë emër, formohet më 20 qershor 1943 po me komandant Baba Fajën. Partizanë të kësaj çete ishin të gjithë fshatarë, kryesisht nga Martaneshi por dhe nga fshatrat rreth qarkut të Elbasanit, si nga Kostenja, Çermenika, Shëngjergji etj.
Në idealin e lirisë, ai afroi rreth vetes dhjetëra atdhetarë besimtarë, të cilët e donin atdheun të lirë, duke e shndërruar teqen e Martaneshit, në një nga bazat ku niste dhe përhapjen fryma e lirisë, fryma e idealit të shenjtërisë së saj.
Duke uruar në këtë ditë të bukur dhe të shenjtë për miqtë tanë dhe mbarë shqiptarët e besmit bektashian, historia që ka lënë pas njeriu që atdheun e ka të shenjtë si vetë hyjninë qiellore, Elbasani dhe trevat e tij, janë krenarë që në kohë të vështira për atdheun, ka njerëz të tillë që nuk kursehen për lirinë dhe atdhetarizmin.