Shqipëria/Aktualitet

Novak, fjalim në Kuvend: Paqja dhe siguria e Evropës varet nga Ballkani Perëndimor

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Presidentja e Republikës së Hungarisë, Katalin Novak deklaroi sot se “duam që Shqipëria të jetë zyrtarisht pjesë e Evropës, kemi nevojë për Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.

Në fjalën e saj përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, Novak tha se “jo vetëm ju keni nevojë për BE-në, por edhe ne hungarezët edhe gjithë kombet e BE-së kanë nevojë për ju brenda BE-së”.

Më tej, Novak tha se “do të përpiqem të bëj sa më shumë për marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Me Shqipërinë kemi një marrëdhënie të lartë miqësore, shqiptarët dhe hungarezët e kuptojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin”.

Presidentja Novak u shpreh se “kam ardhur në një kohë kritike këtu në Shqipëri. Evropa është në rrezik, ka vështirësi përballet me vështirësi me të cilat prej kohësh nuk u përball. Nga këto dua të theksoj luftën në Ukrainë dhe pasojat e kësaj lufte, Ballkanin Perëndimor, stabilitetin dhe rëndësinë e tij, emigracionin ilegal, sfidat demografike që do të përballemi më fort se ndonjëherë në histori si dhe fuqinë politike të Evropës e cila është në pikëpyetje se në çfarë vendi mund të jetë Evropa në politikën botërore”.

Sa i takon luftës në Ukrainë, Novak tha se “të gjithë ishin të habitur me atë që ka ndodhur në Ukrainë. Vendimi i Rusisë prej një viti që të sulmojë fqinjin e tij na ka vendosur në një situatë të re. Ne mbështesim sovranitetin, integritetin territorial të Ukrainës dhe ata që janë refugjatë nga lufta”.

“Si fqinjë të Ukrainës deri tani kemi ndihmuar 2 milionë refugjatë, edhe pse shumica e emigrantëve nuk kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Hungari”, shtoi Novak.

Novak u shpreh se “në vend të armëve kemi nevojë për bisedime, në vend të refugjatëve duam të shikojmë familjet bashkë, në vend të të vdekurve duam të shikojmë lindje të re. Duam të shikojmë një rrugë drejt paqes”.

Lidhur me stabilitetin, paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor Novak theksoi se “tani të gjithë shohim Ukrainën, por harrojmë sa e rëndësishme është që Ballkani Perëndimor të ketë paqe e siguri. Të shohim Kosovën apo Bosnjë-Hercegovinën dhe të shohim se sa e vështirë është situata dhe sa pak duhet për të rritur tensionin dhe kjo pastaj të kalojë edhe në nivel lufte. Prandaj është shumë e rëndësishme për ne që të ruajmë që përsëri të krijojmë stabilitet, paqe dhe sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Në Kosovë kemi ushtarë hungarezë gjithashtu, në KFOR kemi mbi 400 ushtarë nga ata 20 janë lënduar nga sulmet e fundit, shumica e tyre janë në spital. Situata mund të kalojë në agresion dhe këtë duam ta shmangim në çdo lloj mënyre. Jam e bindur që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është integrimi evropian. Po ashtu jam e bindur që integrimi evropian do na çojë drejt paqes, stabilitetit në të gjithë Evropën, sepse paqja siguria e Evropës varet nga Ballkani Perëndimor prandaj kemi nevojë sa më shpejt për integrimin evropian”, theksoi Novak.

Sa i përket emigracionit ilegal, Novak tha se ” është një problem në rritje për Evropën dhe duhet të bëjmë çdo gjë që të ndalojmë emigracionin ilegal, që t’ua bëjmë të pamundur atyre që çojnë njerëzit në mënyrë ilegale nga një vend në një tjetër dhe të ndalojmë këtë tendencë dhe të mbështesim njëri-tjetrin”.