Shqipëria/Aktualitet

Nisin punimet për aksin Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Nisin punimet për aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e  Korridorit 8.

Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi tha se punimet për këtë aks do të shtrihen në tri faza, për shkak të kostos së lartë në buxhetin e shtetit, ndërsa aktualisht punimet kanë nisur në aksin Fushë Labinot-Mirakë.

“Është ngritur kantieri për fillimin e punimeve. Ka filluar segmenti i parë prej 5.3 km që fillon nga Fushë Labinot dhe mbaron në Mirakë. Vlera e fazës së parë të projektit është 2.6 miliardë lekë me TVSH, kontrata e nënshkruar”, tha Berberi.

Aksi i ri i Kategorisë B, i cili përfshin 4 korsi të lëvizjes me një shpejtësi minimale 110 km/h, anashkalon Përrenjasin duke dalë në Rrajcë.

Berberi tha në një intervistë për mediet se, “me pikën e re doganore që ndërtohet ne nuk futemi fare në Përrenjas, por marrim direkt urën e Bushtricës, kthehemi majtas dhe dalim në luginën e Lunikut”.

Ky aks i rëndësishëm për juglindjen, por edhe për rajonin, pritet të përfundojë brenda 2 vitesh.

Aksi Elbasan-Qafë Thanë, e klasifikuar si rrugë interurbane kryesore do të jetë e përbërë me korsi 3.75 metra secila, me trafikndarëse në mes të gjelbëruar dhe po ashtu edhe gjelbërim pranë bregut lumit. Po ashtu do të shkurtojë edhe kohën e lëvizjes. Nëse deri më sot, Qafë Thana bëhet 1 orë e 30 minuta, ajo do të përshkohet për vetëm 35 minuta.

/j.p/r.e/