TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Në Vlorë nisi sot puna në kantierin e ri për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një vepër madhore, e cila ngre në një nivel tjetër rrjetin infrastrukturor të vendit, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit në bregdetin jonian dhe rritur cilësisht sigurinë për të gjithë udhëtarët vendas e të huaj, në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm turistik të Shqipërisë.
I pranishëm në nisjen e punimeve në kantierin e ri, kryeministri Edi Rama tha se po realizohet një ëndërr e cila na ka shoqëruar përgjatë tre dekadave.
“Një ditë e shënuar në kapitullin e ditëve të punëve të mëdha publike, sepse sot nis të realizohet një ëndërr që na ka shoqëruar përgjatë atyre dekadave pas ndryshimit të sistemit këtë zonë, por edhe këdo që ka parafytyruar një Shqipëri të re moderne, turistike. Projekti, i cili ka qenë në sirtar për tre dekada, ka qenë një nga kryefjalët e premtimeve të gjithë atyre që kanë kaluar nga këto anë në fushata elektorale gjatë tre këtyre dekadave dhe ndryshe nga të tjerët, siç ka ndodhur edhe me vepra të tjera të mëdha ne zotimin tanimë e kemi futur në rrugën e jetësimit në realitet”, tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, tuneli nuk na sjell vetëm më afër me jugun, por lidh të gjithë pjesën e padukshme të Labërisë, duke ofruar një infrastrukturë të re që krijon mundësi të reja për turizmin, zhvillimin e zonave rurale dhe për ekonominë.
Tanimë hap pas hapi shpaloset gjithnjë e më shumë në sytë e të gjithë shqiptare dhe udhëtarëve të huaj, sepse e gjithë pjesa e fshehur përtej zonës së plazhit mes maleve të Labërisë, e cila shtrihet deri tutje në Tepelenë e pastaj lidhet me pjesën tjetër të fshehur të Përmetit e të Gjirokastrës e deri në Leskovik e Kolonjë e në kufi me Korçë, tanimë po lidhet me një infrastrukturë të re krejtësisht që krijon mundësira të reja për turizmin, zhvillimin e zonave rurale, për ekonominë e tyre por edhe për ekonominë tonë kombëtare
Faktikisht ky tunel është pjesë e gjithë kësaj harte investimesh, të cilat po realizohen njëra pas tjetrës duke krijuar hap pas hapi një gjerdan në tërë këtë kurorë të mrekullueshme të natyrës shqiptare”, deklaroi Rama.
Rama shpjegoi rëndësinë e ndërtimit të tunelit sidomos në aspektin e turizmit.
“Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, rritje të sigurisë dhe lidhje organike me segmentin tjetër, i cili është në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me bajpasin e Vlorës që do të jetë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik dhe më tutje me bajpasin e Fierit nëse shohim drejt Veriut. Nëse shohim drejt Jugut po punohet në një tjetër segment që është segmenti që lidh Palasën me pjesën tjetër të bregut drejt Dhërmiut duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në një zone që po njeh zhvillim të konsiderueshëm nga pikëpamja e ofertës turistike për të shkuar në një tjetër vepër që ka qenë një nga të shumëkërkuarat që është Kardhiq-Delvinë që është në rrugën e realizimit që bën një tjetër shkurtim të kohës së lëvizjes duke e afruar ndjeshëm Sarandën dhe duke ofruar pamje dhe zona të tëra për tu vizituar që deri dje ishin të paaksesueshme dhe të panjohura. Pa harruar rrugën e lumit të Vlorës dhe lidhjen mes Kurveleshit dhe bregut të Jonit poshtë, duke mos lënë mënjanë pjesën tjetër që lidh Nivicën me Tepelenën e pastaj drejt Përmetit, që ndërkohë po lidhet me një rruge të re me Leskovikun, për të kaluar në Kolonjë për të kaluar në lidhjen përfundimtare me Korçën dhe duke i dhënë mundësi turistëve brenda apo atyre që vijnë nga jashtë që në një kohë të shkurtër të qarkullojnë në të gjitha këto territore, gjë e cila ishte e pamundur më parë.
Rama foli për zhvillimin ekonomik që sjell ndërtimi i kësaj infrastrukture.
“Në aspektin ekonomik flet vet rritja e menjëhershme e vlerës së tokës dhe pronës, tokës së mundur për zhvillim turistik e agroturistik. Flet vet për faktin se tanimë gjithë ky zhvillim I ka hapur rrugën një parafytyrimi më të prekshëm për të cilat nuk do të jenë më prodhime mbijetese për ata që janë ende në këto vise. Sot është shumë e qartë se realiteti i ri është jo dhjetëra vite e as dekada të tëra para, por vetëm pak vite para nesh për të parë një rritje të natyrshme të prodhimit në këto vise, në funksion të turizmit në bregdet por edhe më thellë”, u shpreh kryeministri.
Tuneli i Llogorasë do të ndërtohet nga një konsorcium, pjesë e të cilit është edhe kompania turke ASL, e njohur për eksperiencën e saj në infrastrukturë, konkretisht për ndërtimin e tunelit më të gjatë në kontinentin tonë.
“Kjo do të jetë një vepër që do të krenohemi kur të jetë përfunduar”, u shpreh kryeministri, ndërsa shprehu besimin se kompania do të mund të përfundojë punimet më shpejt se sa 33 muaj për të cilët kompania është zotuar.