Shqipëria/Aktualitet

Nga parkingu nëntokësor te skenat gjigante, Veliaj zbulon detajet e teatrit të ri

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar më shumë detaje nga projekti për teatrin e ri, i cili do të jetë 3 herë më i madh se i vjetri dhe më modern.

Duke folur në ceremoninë për hapjen e garës ndërkombëtare, Veliaj theksoi se ndërtimi i kësaj vepre në tokën ku ishte, është një nevojë për t’u shërbyer të gjithëve dhe se nuk ka kohë për të humbur, pavarësisht bindjeve politike.

Ai nënvizoi edhe faktin që projekti parashikon një parkim nëntokësor, që sipas tij, është një mënyrë e mirë për të mbuluar kostot e projektit, siç ka ndodhur me parkimin te sheshi “Skënderbej”.

“Duam që në çdo projekt të ri, të përdorim nëntokën, por dua t’ju them se nga këto mbi 7000 metra nëntokë, një pjesë do jetë patjetër për parkim. Ajo që kemi vënë re në këto vite është se parkingu poshtë sheshit “Skënderbej” ka paguar koston e sheshit “Skënderbej”; pra, është edhe një burim të ardhurash, për të gjeneruar para që të mirëmbahet institucioni, të paguajë shërbimet e ndryshme që mund të duhen, internet, drita, ujë. Ndaj, parkingu është edhe një pjesë e kontributit për të fituar të ardhura në ditë kur s’ka shfaqje. Në pjesën tjetër të nëntokës do vendoset gjithë teknika, skenat rotative, sigurimi ndaj zjarrit, emergjencat, etj.”, tha Veliaj.

Për sa i përket hapësirës së sallave të Teatrit të ri Kombëtar, kryebashkiaku tha se i është qëndruar projektit origjinal.

“I kemi qëndruar projektit origjinal si një fjongo ose perde e kapur, e kthyer horizontalisht. Hapësira më e madhe është salla kryesore, ku teatri mund të akomodojë në mënyrë simultane, pra në skena të ndryshme, 1514 vetë; kjo është disa herë më shumë se ç’akomodonte shtëpia prej tallashi që trashëguam. Nga këto 1514 ulëse, 629 vende janë vetëm auditori kryesor, ai që quhet salla ikonike apo salla e madhe. Kemi edhe një black box me 250 vende, në formën e një shkallare. Kemi edhe një skenë të ndërmjetme, për ata që duan të vënë vepra të këtyre kapaciteteve dhe kemi pastaj një skenë në tarracë të hapur. Vendosëm që në fillim fare që ne të kemi edhe një skenë me 500 vende, që është komplet në tarracë, me shërbimet dhe lehtësirat e nevojshme. Pastaj, janë zonat e pushimit dhe ato teknologjike. Ne duam që të jetë një ndërtesë si stadiumi, që jetohet 24/7”, deklaroi kreu i bashkisë së Tiranës.