Shqipëria/Aktualitet

Në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe

“Në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe”

Të enjten, me datën 28 korrik 2022 përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të
Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), Dr. Vaxhid Sejdiu (kryetar) dhe Mustafë Krasniqi
(nënkryetar) zhvilluan një takim pune me drejtorin e Institutit Albanologjik në
Prishtinë z. Hysen Matoshin.

Një takim mbresëlënës, një takim brenda të cilit u prezantuan përpjekjet dhe
angazhimet e mësuesve në Diasporë rreth organizimit të mësimit plotësues. Një
mision që kërkon punë dhe përkushtim vullnetarë të të gjithë faktorëve relevantë
me qëllim, që në orët mësimore të mësimit plotësues në gjuhën shqipe të
përfshihen sa më shumë fëmijë shqiptarë, të cilët pa fajin e tyre lindin dhe rritën
larg atdheut. Një bashkëbisedim se si të veprojmë nën hijen e flamurit “Një komb –
një gjuhë”, sepse kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, fëmijët e tyre kanë të
drejtë ta mësojnë, ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën amtare, kanë nevojë për mbrojtjen e
identitetit kombëtar ashtu siç kanë nevojë për integrimin e tyre në shoqëritë e
vendeve pritëse. Sensibilizimi i prindërve shqiptarë në ruajtjen e gjuhës amtare
është obligim i të gjithëve, në veçanti i institucioneve kombëtare. Faleminderit
drejtor, prof. dr. Hysen Matoshi për mikpritjen. Faleminderit për durimin të dëgjoni
shqetësimet tona, sfidat me të cilat përballet ky lloj mësimi, si dhe gatishmërinë që
së bashku të punojmë dhe të veprojmë që fëmijët shqiptarë t`i kenë sa më afër
pikat shkollore, me qëllim që ta mësojnë në mënyrë institucionale gjuhën e nënës.

Përhapja e diturisë në gjuhën shqipe është sfidë e kohës sepse numri i fëmijëve
shqiptarë që regjistrohen në shkollat e vendit në Evropën perëndimore dhe më
gjerë në botë rritet dita – ditës. Për këtë qëllim duhet të veprojmë të gjitha
bashkërisht në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare. Fakt është se
numri i fëmijëve që ndjekin orët mësimore në gjuhën amtare është i vogël, në
krahasim me fëmijët që janë të regjistruara në shkollat e vendit. Prandaj në këtë
mënyrë duhet të veprojmë të gjithë bashkërisht me qëllim që të mos bëhet vonë.
Institucionet tona të pavarura, arsimore dhe shkencore kanë një rol të
pazëvendësueshëm në sensibilizimin e prindërve shqiptarë që fëmijët e tyre ta
ruajnë gjuhën amtare. Së bashku mundemi!
Prishtinë, 28 korrik 2022
KKAD- sektori për informim