Lëvizja\UÇK

Ndoc Logu: Kulla që lindi djem dhe rriti tempuj lirie

-Në kujtim dhe nderim për 56 dëshmorët e tre kullave të Jasharëve, në 25 vjetorin e rënies së tyre, në Marsin e vitit 1998 nga masakra e fashizmit  serb e cila mbetet akuzë e përjetshme dhe krim i pandëshkuar.

Të shohin larg një epope,

Të shohin sfidë të pakufi,

Një Adem me një Serbi,

 

Me sy të shohë ky planet,

Si lufton për komb të vet,

Një kullë e vetme me një shtet…

                      HYSNI MILLOSHI  

 

Nga Ndoc Logu

Adem Jashari nuk jetoi gjatë, vetëm 43 vjet. Aq sa gjysma e jetës të shumë të tjerëve që bëjnë vetëm hije mbi tokë dhe nuk i vë re kush, dhe as nuk sjellin ndonjë dobi shoqërore. Adem Jashari jetoi në kohën më të vrullshme historike, më të lavdishme, më të pavdekshme, më të madhe e më të suksesshme në tërë historinë e Kosovës. Por në këtë jetë të shkurtër, Adem Jashari, nuk ishte një vrojtues çudibërës si jo pak të tjerë. Veçanërisht që nga viti 1981, kur u betua mbi trupin e pajetë të Tahir Mehes, edhe ky një luftëtar nga Drenica, për 17 vjet rresht, derisa ra heroikisht më 7 Mars 1998, ai bëri një jetë revolucionare e mjaft të vështirë, por e denjë dhe e barabartë me atdhetarët më të mëdhenj të kombit shqiptar.

Dhe në këtë jetë të shkurtër Adem Jashari na la shembullin dhe mësimin e pavdekshëm se: ç’duhet bërë e ç’mund të bëhet për popullin, lirinë dhe atdheun e vet. Jeta ose vlera e jetës revolucionare e tij, vërtetoi të pamohueshmen se Ai ishte njëri nga bijtë më të denjë të kombit të vet, i veçantë dhe i papërsëritshëm edhe për kohë të gjatë në hapësirat shqiptare. Adem Jashari jo vetëm dha shembullin e vet përpara tërë kombit shqiptar e mbarë botës se si duhet luftuar e sakrifikuar për lirinë dhe të ardhmen e popullit. Por Ai la mësimin e rëndësishëm brezave të ardhshëm se: ndjenjat e atdhetarisë dhe sakrificave për të ardhmen, t’i ngremë në ato nivele organizimi e sakrifice për t’u përballur edhe me pushtues të mëdhenj e të fuqishëm si ishte ushtria mizore serbe, e cila për rreth 100 vjet rresht e quante veten zot në Kosovë. Adem Jashari gjeti forcat dhe mjetet, kohën e duhur dhe pikat e dobëta të armikut për ta zbuar “zotin” mizor të Kosovës nga toka dhe jeta e popullit vet që ishte bërë sinonim i vuajtjeve, i poshtërimit e mjerimit, i shtypjes e shfrytëzimit duke e shpallur Serbinë edhe si zot të fatit të jetës në Kosovë.

Në jetën dhe vdekjen e Adem Jasharit janë përjetuar, konkretizuar dhe shkrirë në gjak, shpirt e sakrificë sublime, më mirë se tek cilido shqiptar në 100 vjetët e fundit mësimi historik se: lufta dhe shembulli i të parëve tanë përgjatë shekujve është argumentet dhe nevojë e ngutshme për tërë ata shqiptarë që duan për të jetuar në liri, në shtëpitë e tyre dhe në bashkimin kombëtar. Atdhedashuria e Adem Jasharit arriti shkallën më të lartë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare ose vetë ndërgjegjja e ngritur me heroizëm e më pas në legjendë. Kombit shqiptar, vazhdimisht ju kanë dashur sakrifica sublime për të përballuar dramat tragjike të mbijetesës së vetë. Janë të rrallë ata kombe a popuj si shqiptarët që mbijetesën e vet e kanë arritur vetëm nëpërmjet luftës dhe sakrificave mbi njerëzore. Është domethënëse dhe reale për popullin shqiptar thënia e mençur e poetit atdhetar Hysni Milloshi sipas së cilës se: “Popujt e vegjël kalojnë nëpërmjet tragjedive të mëdha”. Jeta atdhetare, luftarake, heroike dhe sakrifica sublime e Adem Jasharit dhe e tërë familjes Jasharajve, i ngjajnë një poeme e pavdekshme që lexohet dhe do të jetojnë aq sa do të ekzistojnë toka dhe kombi ynë, ku sa më shumë të shkruhet në të nuk ke dëshirë të mbyllet kurrë… Sa madhështor qëndron Adem Jashari atje në Prekaz, me atë bustin e Tij madhështor përbri tre kullave, në të majtë, të larë me gjakun e 56 bashkëluftëtarëve të vet. Ndërsa nga ana e djathtë është minimuezumi kushtuar tërë këtyre dëshmorëve të atdheut. Përballë këtyre, vendvarrimi i të 56-tëve që luftuan dhe vdiqën në të njëjtën llogore, përballë të njëjtit armik që u flijuan me të njëjtin ideal në shpirt, Lirinë e Drenicës, të Kosovës dhe mbarë Kombit shqiptar. Në krye të këtij njësit luftarake, tashmë të shpallur që të gjithë dëshmorë të kombit, ju qëndron komandanti Adem Jashari ashtu siç ju qëndroi në ballë të luftës prej 17 vjetësh,e në përballjen e fundit për pesë ditë e net kundër hordhive serbe.

Ky “njësit” luftarak, siç po e quajmë ne tani, njëzet e pesë  vjet më parë, në ditët e para të Marsit 1998, ishin njësiti më i veçantë, më i padëgjuar në historinë e përballjeve ushtarake. Aty gjeje tëra moshat e shtresat nga Besarta 6 vjeçe, Kushtrimi 13 vjeç që dha jetën i fundit me automatik në dorë e deri tek më i moshuari, daja, siç e thërrisnin Osman Geci, por edhe ky në moshën më të mirë të burrërisë, vetëm 55 vjeç. Që të gjithë ishin betuar, të ndërgjegjshëm e të vendosur për vendimin që kishin marrë: rezistencë dhe luftë kundër pushtuesit serb deri në vdekje. Askund nuk mund të gjesh një rast të ngjashëm si ky, por kurrë askund të njëjtë. Por në këtë vend-varrim dëshmorësh në Prekaz të Drenicës, si rrjedhojë e një tragjedie e shkaktuar nga fashizmi serb, fshihen dhe jetojnë bashkë edhe tragjedi të tjera. Njëra nga ato është se, dhjetë bashkëluftëtarët e atyre tre kullave mungojnë në varreza. Në kompleks memorial, ata kanë vetëm varrin dhe emrin, por jo trupin. Varret janë bosh. Edhe pas vdekjes, hakmarrja fashiste serbe vazhdon. Ata pasi i masakruan me predhat e të gjitha armëve përfshi edhe artilerinë e rëndë, i çuan diku në Prishtinë, grumbull në kamionë, gjoja për ekspertizë. Dhjetë trupa të vdekurish i mbajtën. Askush nuk e dinte se përse. Askush nuk është interesuar se përse serbët i mbajtën dhe ku ndodhen sot. Autoritetet u mjaftuen vetëm të ndërtojnë varret bosh, pa trupa.

Kur pashë dhe tani që shkruaj këtë libër për historinë dhe madhështinë që mbaret dhe përcjell qendra Memoriale “Adem Jashari” në Prekaz të Drenicës, nuk ka se si të mos më kujtohet edhe ai i vdekuri, diku në Prishtinë, i rrethuar me ca pisha, në mes të cilave qëndron një mermer i ftohtë, ku brenda tij janë mbetjet mortore të një mumje, i cili edhe pse arriti deri në President i atij populli për të cilin dha jetën Adem Jashari dhe 55 të tjerë, ky njeri i zi, i skutave të errëta, kurrë nuk e deshi Adem Jasharin, as UÇK-në, as luftën çlirimtare, as lirinë e Kosovës. Aq mllef e urrejtje mbante në shpirt, ky njeri i zi, kundër Adem Jasharit dhe UÇK-së sa kjo fantazmë kurrë sa qe gjallë nuk u shkoj për ti nderuar këta dëshmorë të lirisë. Ndërsa ish luftëtarët e UÇK-së (nuk e di përse) në çdo rast shkojnë dhe vënë lule në atë gropë septike në të cilën levrin helmi si të një gjarpëri tradhtie nga i cili mund të shpërthejnë dhe të ndotin e helmojnë përsëri paqen e brishtë dhe lirinë e pakonsoliduar të Kosovës.

Për pjesën më të madhe të kombit shqiptar, brenda atyre pishave janë vetëm fosilet e një sulltani të zi e një fantazme ndjellakeqe. Bashkë me atë fantazëm, flijnë për jetë edhe jo pak mistere vrasjesh dhe derdhje gjaku të pafajshëm nga radhët e UÇK-së etj, që zor se do të dalin kurrë në dritë. Burrat  e florinjtë si Adem Jashari që lanë gjurmë të arta në rrugëtimin e lirisë e kanë vendlindjen, frontin e luftës, vdekjen dhe përjetësinë, jo midis pishave i vetmuar, por në tokën që i lindi e i rriti për të cilën dhanë jetën, atje në Prekaz të Drenicës, midis të 55 bashkëluftëtarëve.

Rënia heroike e Adem Jasharit dhe të 55 dëshmorëve të tjerë solli cilësi e nivele më të larta në kualitetin e filozofisë dhe të mendimit e të vlerësimit të shqiptarëve për jetën, atdheun, lirinë e identitetin e kombit tonë. Këto vlera që u evidentuan pas heroizmit të Jasharajve i dhanë cilësi e vrudhe të reja, luftës, mobilizimit, ristrukturimit me të larët e të fuqishëm nga ana profesionale, taktikë e strategjike të luftës UÇK- së kundër ushtrisë pushtuese serbe.

Poeti dhe shoku im  Hysni Milloshi, ndër të tjera e ka përkufizuar kështu kullën e Adem Jasharit në një baladë të pavdekshme.

Ajo flakë kur dogji natën,

Zgjoi Kosovën të rrokë shpatën,

Zgjoi një komb martir në shekuj,

Që lindi djem e rriti tempuj,

Nëpër dritë të asaj flake,

Se ç’u ngrit një bllok armate…

Si pa kuptuar, si nëpër mugëtirën e një mjegulle kaluan 25 vjet nga heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari, e cila përfundoi me një tragjedi nga e cila mbeti një lavdi shqiptare e përjetshme. 25 vjet janë shumë, janë të mjaftuara që Adem Jashari , familja, heroizmi, sakrifica, motivet dhe idealet e rrënjës tyre, të bëheshin, të promovoheshin, të masivizoheshin, të europianizoheshin, madje të bëheshin edhe të përbotshëm, duke ju referuar e përkufizuar si: sakrifica në shkallën më të lerët njerëzore për lirinë, barzinë, të drejtat shoqërore e demokratike. 17 vjet me armë në dorë, krijues i UÇK-së në kullën e Tij dhe komandant i saj, përballja e me armë mbi 30 herë me pushtuesin, rënia heroike pas pesë ditë e netë në kullat si kala, e pas luftës finale të UÇK-së që ndezi dhe frymëzoi Adem Jashari me shembullin dhe gjakun, e cila përfundoi si e florinjtë me lirinë e Kosovës, janë akte e veprime të pavdekshme, të paçmuara, të pamohueshme, që çdo popull, i çdo vendi të botës, do ta kishte për nder po të ishin të tija.

Në këtë aspekt, për Adem Jasharin,është bërë diçka,por jo gjithçka, jo sa duhej bërë,jo sa ishin mundësitë të bëhen. Konservimi i skeletit tre kullave të luftës, vend-varrimi me roje nderi, minimuzeu, një bust allçie, dy vizita në vite; në datat e lindjes e të rënies nga politikan e qeveritar; janë me rëndësi, por kurrë të mjaftuara. Në mjaft qytete të Kosovës,emrin as bustin e Adem Jasharit  nuk e gjen askund. Çuditërisht as në Prishtinë,nuk kam parë një monument të tij. Mund të qëndrosh me muaj në qytetet e Kosovës dhe këngët dhe krijimet e tjera për Adem Jasharin dhe UÇK-në,madje as për heronjtë e tjerë,nuk i dëgjon më. Për turpin e tyre,as këtë në Shqipëri. E ndërsa heshtet për Adem Jasharin dhe atdhetarët e tjerë,një TV në Prishtinë,protestonte një ditë se përse nuk ka fonde për restaurimin e shtëpisë së Xhaferr Devës,ish ministër fashist,organizatori i masakrës së 4 shkurtit në Tiranë ku u pushkatuan 84 njerëz të pafajshëm. Të krijohet përshtypja se sa më shumë vitet ikin tutje,tek ne shqiptarët,po largohen,ose po i largojmë,nga jeta e përditshme dhe shpirti ynë,i njerëzve që kanë bërë historinë e lavidshme të shqipëtarëve si Adem Jashari.

Adem Jashari nuk ishtë më pak,ose ishte i barabartë me tërë heronjtë e mëdhenj të kombit shqiptar. Është i përmasave me Isa Boletinin, Idriz Seferin, Azem Galicën, Jakup Ferrin, Mic Sokolin, Ded Gjo Lulin, Oso Kukën, Shaban Palluzhën, Ahmet Delinë, Barjam Currin, Çerçiz Topullin, Kajo Karafilin, Avni Rustemin, Vasil Shanton, Vojo Kushin, Emin Durakun e dhjetra heronj, në kohë të ndryshme,të popullit tonë. Në pak kohë (vite) u deshën që Ernesto Çe Guevara të kthehet në mit e simbol i vlerësuar në mbarë botën; edhe pse trupi i tij u coptua dhe u gropos i veçuar në pyll. Çe Guevara u bë një hero i përmasave botërore falë luftës së drejtë,idealeve të lirisë që mbronte,për barazinë dhe të drejtën,por edhe i tragjedisë së vdekjes. Adem Jasharit nuk i mungojnë cilësitë as vlerat shoqërore për tu cilësuar një martir e hero i këtyre vlerave. Ishte me fat Prekazi, Drenica dhe shqiptarët e tjerë nga gjiri i të cilëve lindin të tillë djem;që i patëm bashkëkohës,hero të gjallë,legjendë e mite pas vdekjes. Ai mbeti një hero simbol. Janë realist dhe të pavdekshëm vargjet e baladës poetit Hysni Milloshi kur shkruante :

Mos Ore e Zana bën magji

Që fluturoi kjo yllsi?

Nuk është Ora,Zana e Mali

Po kulla e Adem Jasharit,

Që çau natën mespërmes

Gjersa pushtoi një Univers…