Kulturë\Letërsi

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i jashtëzakonshëm i kinematografisë shqiptare Xhemil Tagani

TIRANË, 4 janar/ATSH-Bledi Naska/

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët dhe miqtë e ngushtë të aktorit.

Artisti ka lindur më datë 6 shkurt të vitit 1945. Ai ka studiuar dhe është diplomuar për specialitetin Aktor  me nota të shkëlqyera në vitin 1967 pranë Fakultetit të Artit Skenik në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë. Menjëherë pas diplomimit, në vitin 1968 emërohet aktor në trupën e Teatrit Popullor, sepse spikati me interpretimet e tij brilante që në fakultet.

Aktori njihet mes kolegësh dhe për publikun si një aktor mjaft i mirë karakteresh dhe figurave artistike.

Një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar është roli i Priftit tek “Përrallë nga e kaluara” nga Dhimitër Anagnosti.

Gjatë karrierës së tij të pasur artistike, aktori Xhemil Tagani ka interpretuar rreth 70 role të rëndësishme në teatër, por edhe shumë të tjerë në kinematografi.

Ndër to përmendim:

“Ngadhnjim mbi vdekjen” 1967

“Përse bie kjo daulle” 1969

“Fije që priten” 1976

“Tokë e përgjakur” 1976

“Taulanti kërkon një motër” 1984

“Përrallë nga e kaluara” 1987

“Kush është vrasësi” 1989

Role në teatër:

“Shokët” 1969

“Studentja e vitit të fundit” 1970

“Një nuse për Stasin” 1971

“Arturo Ui” 1971

“Prefekti” 1974

“Cuca e maleve” 1974

“Epoka para gjyqit” 1976

“Nën dritat e skenës” 1986.