Kulturë\Letërsi

Nasip Kaçi: ”Bilbilenjtë trembëdhjetë, vanë në litar vetë!..” (historia e një kënge)

Cila është historia e kësaj kënge trimash, që vjen prej një shekulli deri në ditët tona, ku ka ndodhur kjo ngjarje e jetuar, që historia e ngriti në legjendë.

Bilbilenjtë ishin trembëdhjetë djem të rinj patriotë dhe atdhedashës nga fshati Tërbaç i Vlorës, që u dhimbej populli i varfër, i cili  vuante nga bejlerët dhe agallarët, nga taksidarët dhe nga zgjedha e pushtuesve osmanë. Për të ndëshkuar pushtuesit e huaj, bejlerët, taksidarët dhe qeveritarët, që ishin në shërbim të Sulltanit,   për t’i dalë zot vegjëlisë, që të hiqte qafe zgjedhën e huaj dhe shfrytëzimin feudal, kishin marrë armët në dorë dhe ishin ngjitur në male  shumë djem trima, që në atë kohë i quanin kaçakë. Ata kishin krijuar çetat e tyre që mbështeteshin nga populli dhe i kishin rrënjët  në popull. Një nga këto çeta ishte edhe ajo e drejtuarnga Bilbil Shako në Tërbaç e përbërë nga trembëdhjetë djem që u dhimbej populli dhe sakrifikonin për të. Me që i pari i tyre quhej Bilbil, çetës së  trembëdhjetë djemve, populli i Tërbaçit  dhe gjithë Labëria ua ngjiti emërin Çeta e Bilbilenjve, e njohur tashmë në githë shqiptarinë. Me ta krenohet me të drejtë Tërbaçi, Vlora dhe gjithë Labëria, që në çdo festë dhe gëzim ia merr këngës  “Bilbilenjtë trembëdhjetë”.

Tani të shikojmë se çfarë kanë bërë këta djem për popullin fukara. Në atë kohë ishte një kryetaksidar  shumë i egër, i cili fshatarët që nuk paguanin taksat e Sulltanit i rripte të gjallë, emëri i tij quhej Xhelil Voshtina. Bilbilenjtë, për t’i prerë hovin këtij taksidari dhe për të frenuar babëzinë e tij, rrethuan sarajet e tij në Voshtinë, ( Voshtina është prapa maleve të Libohovës, prapa Pogonit, sot në Greqi), pasi mposhtën rrezistencën e rojeve të sarajeve të kryetaksidarit, i vunë zjarrin sarajeve, flaka e tyre u pa deri në Janinë. Valiu i Janinës nisi kundër Bilbilenjve koshadhet (reparte të ndjekjes të ushtrisë osmane), premtoi shpërblime e shuma  të mëdha për ata që do të kapnin Bilbilenjtë, por më kot, Bilbilenjtë dhe i pari i tyre Bilbil Shako, nuk u frikësuan por vazhduan sulmet kundër osmanllinjve.

Sulmi i radhës është ai në fshatin Vajzë në rrethin e Vlorës. Pasi çarmatosën karvanarët, që furnizonin ushtrinë osmane, Bilbilenjtë i detyruan ata  të shkarkonin karvanin dhe rrobat, drithërat, ushqimet, mallrat e tjera, armët, monedhat e floririt  etj, ua ndanë popullit të varfër, që u lajmërua dhe erdhi shpejt në vendin e ngjarjes.  Populli mori veshje, misër, grurë, sapun,kafe sheqer, monedha floriri, armë  dhe gjithëçka  që iu rrëmbye karvanit. Bilbilenjtë nuk prekën gjë me dorë,  gjithëçka ia dhanë popullit.

Ata e kishin të qartë se me këtë nuk shpëtonin dot fshatarët  dhe populli nga vuajtjet dhe varfëria por  lehtësoheshin për pak kohë nga hallet e tyre të shumta dhe goditej idea e moskundërshtimit dhe e paprekshmërisë së pushtuesve osmanë dhe veglave të tyre qorre në Shqipëri.

Aksioni tjetër i radhës i Bilbilenjve ishte goditja e një karvani  që shkonte nga Janina në Tepelenë për garnizonet e ushtrisë turke. Armët,  municionet dhe gjithëçka që iu kapën këtij karvani, kaçakët, që në rastin konkret ishin Bilbilenjtë, ua dhanë fshatarëve të atyre viseve kryengritëse që të mbroheshin nga pushtuesit osmanë, bejlerët dhe taksidarët.

Goditja e këtij karvani e tërboi valiun e Janinës, i cili për të kapur këta kaçakë, nisi kundër tyre një numër të madh të forcave të ndjekjes, që në gjuhën turke i quanin koshadhe. Veç kësaj, valiu i Janinës  për  ata që do të tregonin se kush u jepte kaçakëve të hanin dhe  ku fshiheshin, vuri një shumë të madhe para- flori. Dikush i tërhequr nga shuma e madhe e shpërblimit që do merrte, e lajmëroi valiun se kaçakët  ishin vënë re, ishin dukur në afërsi të Tërbaçit. Pas pak ditësh  në Tërbaç mbriti një tabor i madh me osmanllinj, që e rrethuan fshatin nga të gjitha anët. Osmanllinjtë nuk lanë shtëpi e kasolle pa bastisur në Tërbaç por nuk gjetën asnjë të dhënë për  Bilbilenjtë dhe u larguan duarbosh për në Janinë. Valiu, pasi mësoi nga komandanti i taborit rezultatin e kontrollit në Tërbaç, që doli bosh, i urdhëroi të niseshin përsëri  drejt  Tërbaçit, duke i kërcënuar se po të  ktheheshin dhe një herë duarbosh në Janinë, në vend të kaçakëve në burg do përplaseshin  këta, që e merrnin  kot rrogën e sulltanit. Të frikësuar nga ky kërcënim  i valiut, osmanllinjtë nuk lanë vrimë e skutë pa kërkuar në Tërbaç por Bilbilenjtë nuk i gjetën. Osmanllinjtë nuk dilnin dot duarbosh para valiut, se e dinin ç’i priste, prandaj ata vunë në pranga pesëdhjet burra në Tërbaç dhe i nisën në Janinë, ku i vunë në burgun e Sulltanit nga nuk dilnin dot më të gjallë.

Bilbilenjtë që ishin strehuar në shpellën e Somait në rrethinat e Tërbaçit, prisnin që të vinte dikush nga fshati, ushqimet dhe drutë e zjarrit u ishin paksuar. Ata kishin frikë se mos i kishte ndodhur gjë Sinan Abazit, burri që herë pas here u sillte ushqim dhe u tregonte gjithëçka të re. Para se t’i vinin prangat, Sinan Abazi i kish thënë së shoqes që t’u shpinte ushqim Bilbilenjve në shpellë, por të  mos u thoshte se Sinanin dhe pesëdhjet burra nga Tërbaçi i kishin nisur duarlidhur në Janinë. Siç e porositi i shoqi, gruaja e Sinan Abazit, që quhej Hyrije, mbushi torbat me ushqime  dhe shkoi te vendndodhja e kaçakëve, te Shpella e Somait. Kaçakët porsa e panë e ndihmuan të lëshonte torbat dhe e afruan te zjarri. Bilbil Shako e pyeti nënë Hyrijen, pse nuk na ka ardhur xha Sinani. Ka vajtur për disa punë në Vlorë, tha ajo, pa e bërë veten dhe pa i treguar asgje se ku ishin burrat e fshatit. Ndërkohë nënë Hyrija u uroi djemve shendet dhe doli nga shpella, u fut në pyll, bëri dru dhe u kthye në shtëpi.

Por Bjlbilenjtë nga mosardhja më në shpellë e Sinan Abazit  dyshuan në shumë të papritura. Bilbil Shako, në mëngjezin e vrrërët të së pasnesërmes që ishte në shpellë nënë Hyrija, me dy shokë zbriti në Tërbaç ku pyeti një grua të moshuar ; Kërkoj një mikun tim Sinan Abazi por nuk e gjej, mos t’a ka zënë syrie, ku është? Në fshat, i  tha ajo, nuk ka mbetur asnjë burrë, i kanë çuar lidhur në Janinë se mbajtën ca kaçakë dhe aty do ti varrin. Ky lajm e goditi rëndë Bilbil Shakon dhe dy shokët e tij dhe u kthyen te shokët  e tjere.  Nënë Hyrija atë ditë u solli përsëri  ushqime dhe Bilbil Shakoja e pyeti; Pse nuk na ke thënë se burrin tënd dhe pesëdhjet burra të tjerë nga Tërbaçi i kanë çuar në Janinë për ti varrur ? Se ashtu më tha burri im, që të mos u tregoja gjë juve, iu përgjigj Bilbil Shakos e shoqja e Sinan Abazit, Hyrija.

Pas largimit të nënë Hyrijes, Bilbilenjtë biseduan midis tyre se ç’farë duhej të bënin për të nxjerrë nga litari dhe për t’i  shpëtuar në Janinë pesëdhjet burrat e Tërbaçit. Ata, thanë Bilbilenjtë, nuk na dhanë, nuk e treguan limerin (vendndodjen) tonë, ata dhanë kokën për ne, tani është radha jonë.

Nënë Hyrija shkoi pas pak ditësh në shpellë dhe u shpuri bukë kaçakëve por nuk gjeti njeri atje, zjarri ishte i fikur,  ajo pa mbi një trung një shami të palosur me kujdes, e hapi dhe në të gjeti një unazë floriri, me atë Bilbilenjtë kishin dashur të thoshin se do ta mbanin deri në fund besën që u kishin dhënë tërbaçiotëve.

Me të ikur nga shpella e Somait, Bilbilenjtë shkuan në shtëpitë e tyre për t’u përshëndetur me njerzit e tyre, veshën rrobat më të mira, morën armët në krah dhe u nisën drejt Janinës, e dinin se po shkonin drejt vdekjes por asnjë nuk u kthye prapa. Mbritën në Janinë ku morën vesh se burrat e Tërbaçit do t’i varrnin në litar të nesërmen, ditë e diel. Të dielën Bilbilenjtë u ngritën, u bënë gati pastaj zbritën te një kodër me ullishte mbi Janinë.

Të lidhur me pranga tërbaçiotët i nxorën nga burgu dhe i nisën drejt pazarit të Janinës, i ndalën para Rrapit të Falë ku lidheshin litarët që varreshin armiqtë e Sulltanit. Edhe para torturrave në burg  para se t’i varrnin tërbaçiotët nuk kishin pranuar se u kishin dhënë bukë kaçakëve dhe as nuk kishin treguar vendndodhjen e tyre.

Rrugët ishin plot njerëz që afroheshin te Rrapi i Falë  për të parë varrjen e tërbaçiotëve. Në momentin që kadiu (gjykatësi) filloi të lexonte vendimin e dënimit me varje, nga shpati i kodrës zbritën me shpejtësi trembëdhjetë burra me armë në krah. Në krye të tyre ishte Bilbil Shako, që dallohej nga flokët e gjatë e të verdhë, veshur me rroba shajaku të bardha. Bilbilenjtë ndalën te Rrapi i Falë përballë tërbaçiotëve të lidhur me pranga. Pse erdhët në gojë të ujkut, Bilbil, i tha Sinan Abazi. Burrëria me burrëri, iu përgjigj Bilbili, i cili iu drejtua komandantit të zaptijeve duke i thënë: Unë jam ai që kërkon valiu juaj. I thoni t’i lërë të lirë tërbaçiotët se nuk kanë faj! Komandanti i zaptijeve mbeti i shtangur nga fjalët e prijësit të kaçakëve. Kur dëgjoi valiu se Bilbilenjtë  ishin gati të dorëzoheshin, po  të liroheshin tërbaçiotët, tha se tani që më erdhët në dorë do t’u a ha mëlçinë të gjallë! Tërbaçiotëve iu hoqën prangat dhe i lanë të largoheshin nga Janina.

Bilbilenjtë gjykata osmane i dënoi me varje në litar dhe të trembëdhjetë i varën te Rrapi i Falë në Janinë  në prani të Valiut. Kur kadiu i pyeti Bilbilenjtë se cila ishte dëshira e tyre e fundit, ata i thanë: Të hedhim një valle! Me t’u hequr prangat  ata u kapën dorë për dore dhe hodhën valle me të cilën shprehën dashurinë  e tyre për jetën. Vallja mbaroi, këtu mbaroi dhe jeta e tyre. Bilbil Shako i puthi shokët me radhë dhe tha: Dal të shoh një herë vatanë, Për të malli do më marrë! Pastaj i çuan te Rrapi ku i priste litari. Të trembëdhjetë bilbilenjtë  e  varur  në litar në krah të njeri-tjetrit, u bënë heronj të pavdekshëm. Lavdi heronjve që çanë qiellin!

Shumë shqiptarë,  që ishin rreth Rrapit, derdhën lot, por ishin krenarë për ta.

Këtë histori të dhimbshme ka kënga: Bilbilenjtë trembëdhjetë, shkuan në litarë vetë!