Lëvizja\UÇK

Myrvete Dreshaj-Baliu: Konceptet politike të Jusuf Gërvallës

TRASHËGIMIA KRYENGRITËSENë Arkivin e Kosovës, Fondi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë (1918-1941), gjendet lista e personave që i takonin Lëvizjes Kaçake të Rrafshit të Dukagjinit, të cilëve pushteti planifikonte t’ua merrte tërë pasurinë tokësore për nevoja të kolonëve sllavë. Në mesin e tyre është edhe Bardhosh Dina nga Duboviku, atëherë komuna e Strellcit, i cili që nga data 4 mars 1921, bënte jetën e kaçakut të malit. Në Kosovë në përgjithësi dhe në Rrafshin e Dukagjnit në veçanti, ka pasur shumë kryefamiljarë dhe personalitete të shquara të fshatit, krahinës apo fisit, që pas pushtimit të trojeve etnike shqiptare nga Serbia, bënin jetën e kaçakut. Njerëzit e tillë, herë veç e veç e herë në grupe, të njohur si Lëvizja kaçake, me vite dhe dekada kanë shënuar fatet personale, familjare dhe kolektive të popullit shqiptar nën Jugosllavi.

Në qoftë se qëndrimi dhe vepra e tyre individuale deri në vetëflijim, për një kohë të gjatë e ka mbajtur të gjallë lëvizjen shekullore të popullit shqiptar për çlirimin e trojeve kombëtare dhe bashkimin në një shtet, pasojat e kësaj lufte përgjithësisht ilegale në kurrizin e tij i ka mbajtur vetë populli shqiptar. Heronjtë e këtillë ishin vetë ndërgjegjja kryengritëse e popullit shqiptar, që vazhdonte të reflektojë protestë kundër përndjekjes individuale dhe kolektive të popullit shqiptar, kundër shpronësisë dhe shpërnguljes masive në Shqipëri dhe në Turqi, kundër asimilimit dhe nënshtrimit gjuhësor, kulturor e historik. Kjo është vazhdimësia e lëvizjes kombëtare shqiptare, që për 80 vjet me radhë nuk e ndali veprimtarinë për asnjë çast dhe për asnjë kusht. Lufta ishte e gjatë. Kjo është lëvizja, së cilës me brezin e tij do t’i bashkohet edhe Jusuf Gërvalla.

KUJTESA E HIDHUR E DHUNËS

Jusuf (Bardhosh) Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në fshatin Dubovik të komunës së Deçanit. Ishte koha e përmbysjeve të mëdha në historinë e popullit shqiptar në përgjithësi dhe tragjedisë së popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi në veçanti. Ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe vendosja e pushtetit ushtarak në Kosovë, një pushtet dhe një sistem politik represiv, i cili funksiononte dhe do të funksionojë në forma dhe mënyra të ndryshme pothuajse gjatë gjithë historisë 90-vjeçare të Kosovës nën Jugosllavi.Kështu, pashkëputshëm, bashkë me historinë 37-vjeçare të gjysmës së dytë të shekullit XX të Kosovës nën Jugosllavi, do të rritet dhe do të formohet edhe Jusuf Gërvalla. Në kujtesën e tij prej fëmije do të vulosen dhunshëm shumë ngjarje individuale, familjare dhe shoqërore, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër do të barten dhe reflektohen deri në fund të jetës së tij, duke ndikuar edhe në formimin shpirtëror, kulturor, kombëtar dhe intelektual të tij. Pamja e parë që do t’i reflektohet në mendjen e tij prej fëmije është kthimi i babait (deri vonë kaçak i malit) në shtëpi dhe vdekja në shtratin e një kasolleje, pranë shtëpisë së tij, të cilën për së dyti, tash pas Luftës së Dytë Botërore, ia kishte zënë koloni malazez Shaliq.Mbi këto kujtime dhe kontekste shoqërore të kohës do të krijohet edhe mendimi politik i Jusuf Gërvallës, i cili këtu mund të tipizohej si: koncept për mentalitetin popullor, për klasën politike, për programet e ilegales politike dhe për gjendjen e klasës politike, për misionin e idealistit pragmatist dhe për idealistin ushtarak.

KONCEPTET POLITIKE TË TIJ

Në këtë kontekst pikëpamjet politike të Jusuf Gërvallës mund të reflektonin jo vetëm prej qëndrimit atdhetar që ka mbajtur ai në shkrimet e tij, por edhe prej disa parimeve të tjera, përmes së cilave mund të bëhej një sintezë më e përmbledhur e temave, mendimeve dhe vlerësimeve të tij.

1. Jusuf Gërvalla ka trajtuar filozofinë popullore për politikën ditore, nivelin e mendimit politik, si dhe pikëpamjet e tij për politikën si mendim dhe si veprim. Ai është njëri prej veprimtarëve të pakët të ilegales politike, i cili, sigurisht, me pjekuri të plotë ka trajtuar injorancën popullore për politikën si shkollë dhe si ide, prandaj në artikujt e tij e ka ironizuar atë me një gjuhë konkrete, të pasur e të kuptueshme.

2.Në trajtesat, në komentet dhe në kritikat e përditshme të tij, Jusuf Gërvalla ka trajtuar klasën politike jugosllave dhe klasën politike shqiptare në kuadër të saj. Në shkrimet e tij Jusuf Gërvalla ka vlerësuar sjelljet e tyre, duke u nisur nga gjuha dhe fjalori, të cilin e përdornin e deri te mendimi politik, të cilin e artikulonin. Pavarësisht prej qëndrimit të tyre politik, pavarësisht prej sjelljes së tyre antihistorike, Jusuf Gërvalla nuk akuzon, nuk dënon, nuk thërret për hakmarrje, por pret përmirësimin e tyre dhe grish ndërrimin e mendimit të tyre, duke ia lënë të keqen dhe tragjedinë që ia kanë sjellë popullit të tyre, gjykimit të historisë. Me shkrimet e tij ai angazhohet për një tejkalim të situatës nga bartësit e pushtetit në radhët e shqiptarëve, jo duke i mënjanuar, por duke i ftuar që të vetëdijësohen edhe pse më në fund, ndërrimin e fatit historik të popullit shqiptar nuk e shihte në duart e tyre, por mbi koncepte të tjera. Prej fjalorit të tij politik dhe prej mendimit të tij, sot do të mund të mësonin shumë gazetarë dhe analistë politikë, të cilët mendimet e tyre ia atribuojnë popullit çdo ditë dhe për çdo gjë.

3.Në shkrimet e tij, dhe në letërkëmbimin e dendur të tij me veprimtarët e Lëvizjes, Jusuf Gërvalla ia ka bërë kritikën programeve dhe aktiviteteve të lëvizjes ilegale. Në letrat e tij, më shumë sesa në tekstet e botuara, mund të lexohen reagimet e tij personale dhe të pjesëtarëve të partisë së tij, rreth aksionit për bashkimin programor e ideologjik të grupeve shqiptare që vepronin në diasporë. Jusufi shkruante: “Po të kihet parasysh pesha e situatës aktuale, një detyrë prioritare del bashkimi optimal i organizatave e grupeve ilegale, patriotike dhe revolucio¬na¬re, të cilat luftën kombëtare dhe shoqërore të popullit tonë të shumëvuajtur e marrin në tërë seriozitetin e saj. Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e “politikës së madhe”, lojën e arrivizmit revolucionar, të udhëhequara prej karrie¬ristësh megalomanë, dhe ato që janë organizuar prej elementesh të dyshimta, e tani mbjellin në radhën e njerëzve tanë anarki dhe sjellin dezinformime në fitim të qeverisë së Beogradit, i ftojmë të heqin dorë nga rruga e tyre e gabuar. Gjaku i derdhur, burgu i zi dhe terrori çnjerëzor që po ushtrohet me bijat dhe bijtë e Kosovës trime, na obligon që atdheut tonë t’i dalim hakut me një dashuri që bëhet, -siç thotë Kadareja, -me ngut, me alarm, me përpjekjet mbinjerëzore të luftëtarëve të vërtetë të lirisë”. A do të mundë të ju thuhet sot ndryshe drejtuesve tanë politikë e shtetërorë, ndryshe nga mesazhi që njëzet vjet më parë ua dërgonte Jusufi!

4.Në lëvizjen politike dhe ushtarake të trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi nga viti 1913 e deri më 1999, anëtarë dhe grupe me pikëpamje të ndryshme programore, ideologjike, arsimore, kulturore, politike dhe ushtarake kanë shkruar dhe bërë projekte e programe me qasje dhe kurorëzime nga më të veçantat dhe nga më të ndryshmet; por, në lëvizjen politike dhe ushtarake të trojeve shqiptare, që nga viti 1913 e këndej, Jusuf Gërvalla është i vetmi intelektual që ka shkruar Programin e veprimit individual brenda Lëvizjes ilegale, i cili në katër faqe të daktilogra-fu¬ara është shpërndarë në Kosovë dhe në diasporë. Jusuf Gërvalla ka bërë programin psikologjik, ideor, intelektual dhe politik të qëndresës individuale, grupore dhe kolektive të popullit shqiptar para presionit policor e ushtarak serb. Ai është themelues i shkollës politike kombëtare, ku janë sintetizuar trashëgimia historike, veçoritë e brezit paraprak (sidomos të grupit të Adem Demaçit); idetë bashkëkohore të luftës çlirimtare, aq sa reflektoheshin nga ideologjia zyrtare e Tiranës, dhe përvoja e anëtarëve të Lëvizjes ilegale, së cilës i takonte edhe vetë. Kështu, ai bëhet autori i programit të qëndresës militante në radhët e lëvizjes ilegale, i cili do të bëhet realitet vetëm me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Ai ishte intelektuali që nuk kishte lakminë e zënies së vetëm një majeje, ai ishte intelektuali, që brenda kulturës së tij rrezatonte fusha të shumta të dijes, rrezatonte kulturë të gjithanshme dhe ishte gati të komuni¬konte me një numër të madh personalitetesh të profileve të ndryshme, pa frikën se do të belbëzojë për temat e shtruara.Vetë hyrja e Jusuf Gërvallës në jetën politike të lëvizjes kombëtare paraqet një vlerë të re të saj. Pas eliminimit, një nga një apo edhe në grupe, të pjesëtarëve të NDSH-së, rreth së cilës ishte tubuar elita kulturore dhe intelektuale e Kosovës në dekadën e parë pas Luftës së Dytë Botërore, pas burgosjes së grupit të Adem Demaçit në mesin e viteve ’70, në radhët e lëvizjes, personalitetet e rëndësishme të kulturës dhe të shkencës mund të vetënumëroheshin. Hyrja e Jusufit në radhët e saj, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, e ngriti lart nivelin intelektual, filozofik e moral të lëvizjes politike kombëtare. Ajo me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën etj., fitoi një dimension tjetër të ri: dimensionin intelektual. Ai është intelektuali që kuptonte filozofinë, politikën dhe kulturën, më thellë se gjithë klasa e heshtur shqiptare. Ky dimension, më vonë do ta bëjë të njohur edhe më të pranueshme lëvizjen kombëtare të Kosovës në sytë e botës perëndimore. Projektet e tij në shkallë grupi, në nivel të lëvizjes dhe sidomos tendenca për të bashkuar ato rreth një programi të përbashkët, kanë pasur rol të veçantë në zhvillimin e lëvizjes politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. E tërë kjo dëshmon se hyrja e Jusufit në jetën politike të ilegales shqiptare, nuk ka qenë rastësi, e aq më pak aksident, sikur duan të thonë disa.Dëshmia e parë u theksua dhe u pa, se Jusufi ishte jo vetëm veprimtar arrivist i Lëvizjes ilegale, por edhe njëri prej ideologëve të shquar të saj.

DËSHMITË

E dhëna tjetër e angazhimit të drejtpërdrejtë të tij në Lëvizjen ilegale edhe në Kosovë, për të cilin është përfolur disa herë në shtypin tonë publicistik dhe shkencor, shihet prej dëshmisë së vëllait të tij, Hysenit dhe pjesëtarëve të tjerë, (në gjykatore), se në Lëvizje kanë hyrë të shtyrë nga Jusuf Gërvalla. Me deklaratat e tyre ata dëshmojnë se Jusufi ishte jo vetëm ideologu, por edhe veprimtari, sikur thuhej ‘i organizuar’, si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë, disa prej të cilëve po i citojmë gjerësisht këtu: (Shih, Aktakuzën për Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën Jugosllavi – Grupi i Deçanit, P. nr. 106/81, f. 561):Hysen Gërvalla: … gjatë vitit 1979 në fshatin Dubovik, KK Deçan, nga Isuf Gërvalla, përndryshe vëllau i tij është njohtuar se ekziston dhe vepron organizata ilegale “Lëvizja NÇK” dhe ka shprehur dëshirën që edhe ai të bëhet anëtarë për çka edhe e ka marr Statutin e organizatës “LNÇK” e libra dhe materiale propagandistike me përmbajtje armiqësore siq janë: “Lidhja Kosovare”, “Kongresi i parë”, “Vetadministrimi jugosllav – teori dhe praktikë kapitaliste”, “Lidhja e shqiptarëve të Prizrenit”, të njëjtat i ka lexuar… (…) Gjatë muajit korrik 1979, pasi që më parë ka marr instrukcione prej vëllaut të tij Isuf Gërvallës, Muharrem Blakajn e Mal Morinën i ka pregaditur e udhëzuar që në disa vende në Pejë e Istog të shkruajnë parullën “Nini rren, Ylli nuk rren”, të cilat parolla këta nën ndikimin e tij edhe i shkruan më 10. korrik 1979,…”

Hydajet Hyseni: Në një takim të “Komitetit drejtues” Hydajet Hyseni i ka informuar antarët se Kadri Zeka ka kontaktuar disa herë me Jusuf Gërvallën, se janë marrë vesh lidhur me koordinimin e bashkëpunimit të veprimtarisë dhe se ka rrjedhur ideja për bashkimin e grupit “ Marksist-Leninist të Kosovës”, të “Lëvizjes nacionalçlirimtare të Kosovës” të cilën e udhëheq Jusuf Gërvalla dhe të organizatës “Fronti i kuq” e udhëhequr prej Ibrahim Kelmendit….”Smajl Haradinaj: Me qëllim të thellimit të mëtejmë të aktivitetit armiqësor e kundërrevolucio¬nar në verën e vitit 1980, personalisht ka shkuar në RF të Gjermanisë, në qytetin e Ludvizburg ku ka qendruar një javë si musafir i Jusuf Gërvallës, të cilin e ka njoftuar për formimin e “Komitetit të vendit…”Nazmi Selmanaj: Pasi që ka qendruar pak kohë në Jugosllavi prapë është këthuer në RF të Gjermanisë në fillim të muajit gusht të vitit 1980 ku përseri takohet me Jusuf Gërvallën me të cilin qendron një kohë më të gjatë, me ç’rast njoftohet me Ibrahim Kelmendin, mëson se Jusufi e udhëheq revistën ilegale, armiqësore anti-jugosllave “Lajmëtari i lirisë” ndërsa Ibrahimi revistën “Bashkimi”, se revista “Lajmëtari i lirisë” është organ i “Levizjes Nacional Çlirimtare e Kosovës’, ndërsa revista “Bashkimi” organ i “Frontit të kuq popullor”, të cilat veproin në bazat e ideologjisë të PPSH, dirigjohen dhe përmbahen nga RPS e Shqipërisë, (…) Në pranveren e vitit 1980, nëpërmes të akuzuarit Nazmi Selmanajt formon lidhjen e përhershme me Jusuf Gërvallën nga i cili furnizohet me “Statut” dhe “Program” të organizatës ilegale kontrarrevolucionare “Levizja nacio¬na¬lçli-ri¬mtare e Kosovës”, merr udhëzime dhe instrukcione se duhet fo¬rmuar Komitetin e vendit prej 5 antarësh për territorin e Komunës së Deçanit, i cili ka për të vepruar në principin e formimit të hallkave, respektivisht të tresheve me detyrë që në këtë komitetit të angazhohen përsonat më të përshtatshem për realizimin e qëllimeve të kësaj levizjeje.Hasan Ukëhaxhaj: Në veren e vitit 1980 shkruan një punim letrar të cilin nëpërmes të akuzuarit Nazmi Selmanaj ia dërgon Jusuf Gërvallës në RF të Gjermanisë dhe furnizohet, lexon, propagandon dhe shpërndanë revistën “Lajmëtari i lirisë” ke antarët e komitetit, hallkat dhe personat tjerë.Për shkak të gjithë asaj që ka bërë me veprën e tij prej organizatori, në të cilën reflektohet personaliteti i tij, sot mund të thuhet se:Jusuf Gërvalla është personalitet i rëndësishëm i lëvizjes historike, kulturore, politike dhe madje ushtarake kombëtare, pa të cilin nuk mund të ndërtohet sinteza programore e lëvizjes politike kombëtare të shekullit XX. Ai është njëri prej heronjve të gjysmës së dytë të shekullit XX, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e re e popullit shqiptar.