Botë

MYNIH – Përgjigja ndaj konfliktit në Ukrainë tregon fuqinë e marrëdhënieve SHBA-BRITANI

MYNIH, 19 shkurt /ATSH-DPA/- Përgjigja transatlantike ndaj konfliktit të Ukrainës tregoi forcën e marrëdhënieve midis Londrës dhe Uashingtonit, sipas Rishi Sunak dhe Kamala Harris.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak takoi dje për herë të parë zëvendëspresidenten amerikane Kamala Harris, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Harris i tha Sunak, përpara se të uleshin për diskutimet e tyre dypalëshe, se Britania e Madhe ishte ndër aleatët më të mëdhenj te SHBA-së.

Kryeministri Sunak i tha Harris se ai pajtohej plotësisht me pikëpamjet e saj për rëndësinë e marrëdhënieve BM-SHBA.

“Nuk mund të ketë ilustrim më të mirë për këtë sesa përgjigja jonë e përbashkët ndaj konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë, ku ne qëndruam së bashku dhe udhëhoqëm botën në ofrimin e mbështetjes së palëkundur për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet dhe të zmbrapsi agresionin rus”, tha Sunak.

Udhëheqësi britanik dhe zëvendëspresidentja amerikane diskutuan mundësitë për të përshpejtuar ndihmën ndërkombëtare në Ukrainë, në mënyrë që ata të fitojnë luftën dhe të sigurohet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.//a.i/