SI U SHKRUA LIBRI POETIK „DORËSHKRIMI NGA DHEU“
(Botoi Shtëpia Botuese ROZAFA, Prishtinë 2003
***
SHËNIME MBI DORËSHKRIMIN
(Pjesë nga Parathënia)
HYRJE
Libri „Dorëshkrimi nga dheu“ ka gjithësejt 322 vargje. Vjershën «Kali i Zi», e kam shkruar në vitin 1976, e cila është një satirë për Josip Broz Titon; poemën «Këngët për Albën» më 1979, vargje që i kushtohen pozicionit politik të Shqipërisë dhe Kosovës si dy pjesë të ndara me dhunë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913; ndërsa poezitë e tjera, cikël prej 10 poezive, i kam shkruar gjatë vitit 1980 me titull «Gjeografia e sëmurë», e që bëjnë fjalë për pushtimin dhe shfrytëzimin e Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia.
Në këtë botim hyjnë edhe pesë poezi që nuk u futën në librin «Netëve të verës»., më 1982. Gjithashtu këtu hyn edhe dorëshkrimi i reçensionit miqësor të Jusuf Gërvallës për dorëshkrimin tim «Sportelet e padukshme», më 1978.
Në këtë libër botohet edhe «Akademi solemne për Jusuf Gërvallën», poemë në dhjetë pjesë.
(***)
POEZIA „PAS PUSHTIMIT“ DHE HISTORIA E LIBRIT TIM TË PARË „NETËVE TË VERËS
Në vitin 1980 ndodhi një „mrekulli“. Në konkursin letrar të revistës „Jeta re“, zura vendin e parë me poezin që kishte vetëm 13 vargje me titull „Pas pushtimit“. Poezia ishte e shkruar në vitin 1979 dhe i përkiste ciklit poetik «Gjeografia e sëmurë», prej ku e nxora dhe konkurova në konkurs. Kjo poezi u botua në «Jeta e re» si dhe në përmbledhjen timen të parë «Netëve të verës», Prishtinë, më 1982.
Për shkak të përmbajtjes dhe frymës së poezive, ky libër pati një histori para botimit dhe pas botimit. Historinë e këtij libri para botimi e di më së miri Ali Podrimja*), ndërsa historinë e pas botimit dhe ndalimit të «Netëve të verë» më 1985, bashkë edhe me Antologjinë e Letërsisë më të re në Kosovë «Lulet në Ballkon», ku unë jam i përfaqësuar me një cikël poezish, e di më së miri Agim Mala**). Ai ishte i detyruar me presion, t’i përkthejë në serbisht poezitë e shokut dhe «cimerit» të tij si dhe t’u bëjë komente për të zbuluar se ku gjendet rrezikshmëria e poezive të «kundërrevoluicionarit, irredentistit dhe nacionalistit Mustafë Xhemaili, i cili vepron në mënyrë aktive në emigracionin politik shqiptar në Evropë, kundër Jugosllavisë socialiste-vetqeverisëse dhe vlerave të bashkim-vëllazërimit e fryteve të revolucionit, të kombeve dhe kombësive tona.».
«Netëve të verës» kishte hyrë në botim dhe duhej të dilte më 1981, me titullin «Udha e braktisur». Me shpërthimin e demonstratave gjithëpopullore më 1981, libri u tërhoq nga shtypi dhe iu nënshtrua cenzurës së një grupi të caktuar, të përbërë nga cenzorë shiptarë dhe udbashë profesionistë.
Në dorëshkrimin që është tërhequr nga shtypshkronja (i cili më është dhënë fshehtas nga A. Podrimja, dhe e ruaj në bibliotekën time edhe sot), pothuajse gjysmës së poezive u janë rënë pykëpyetje të kuqe, vija të kuqe dhe të kaltëra duke i anuluar për botim. Si i tillë libri ishte i pabotueshëm për vitin 1981, mbase edhe përgjithmonë.
Me insistimin e mikut tim Ali Podrimjes, që libri patjetër të botohet në një formë, qoftë edhe të cenzuruar, më në fund pranova. Kështu «Udhë e braktisur», u bë «Netëve të verës». Mirëpo, pothuajse të gjitha poezitë tjera, hynë në libër përveç poezive: Ty, Në mensën e studentëve, Deklarative, Kosovarçe dhe Fetsa e çlirimit (imagjinative). Dy poezitë e fundit qenë hequr menjëherë prej redaksisë posa e pata dorëzuar dorëshkrimin me titull «Udhë e braktisur». Poezia Ty, me titull më të gjatë Ty që të burgosën më 1981 dhe me disa vargje të shtuara në fund, është botuar në librin «Fusha e plagosur», Tiranë më 1993, ndërsa poezitë Në mensën e studentëve, Deklarative, Kosovarçe dhe Festa e çlirimit (imagjinative), këtu botohen për të parën herë.
(***)
POEZIA – MATERIAL FRYMËZUES PËR LËVIZJEN ÇLIRIMTARE
Dorëshkrimi «Gjeografia e sëmurë», gjatë viteve 1980-ta, është përdorë për material frymëzues propagandistik në radhët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë, veçanërisht në Komunën e Ferizajt. Dorëshkrimi është shpërndarë nga motra ime Nazife Xhemaili-Beqa, e cila në atë kohë ishte njëra ndër udhëheqëset e organizimit të luftës në Kosovë. Kjo tregonte më së miri se anëtarësia e organizatës kishte nivel dhe kulturë të lartë të propagandës derisa edhe dorëshkrimin me poezi «Gjeografia e sëmurë», me metafora e simbole jo krejt të drejtpërdrejta, ishte bërë ushqim dhe frymëzim shpirtëror. Në fakt, për këtë trajtim të poezisë sime në radhët e Lëvizjes së asaj kohe, edhe tash ndjehem krenar.
Sigurisht se vetëm me dëshira, poezi, tregime e arte nuk çlirohej Kosova. Prandaj, edhe unë, isha organiziuar në këtë Lëvizje, ku veprova si njëri ndër udhëheqësit e saj politik. Por, këtu, nuk është vendi për të folur më gjatë për këtë.
LIBRI I PËRKET NËNË FATIMES
Pas vitit 1984, kur për shkaqe politike i ndjekur nga policia e Serbisë, jam detyruar të arratisem nga Kosova, nga një anëtar i organizatës, dorëshkrimi me poezi «Gjeografia e sëmurë» i është dhënë Nënë Fatimes për ta ruajtur. Ajo e ka mbështjellur me kujdes të veçantë në një masë plastike mbrojtëse dhe e ka futur në një gropë dheu në kopshtin e shtëpisë në Komogllavë.
Vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë, nëna ime e nxjerr dorëshkrimin ku e kishte futur si një pasuri të rrallë.
Kur unë, pas 16 vjet mërgimi politik, në korrik të vitit 1999 kthehem në Komogllavë, Nënë Fatimja, ma jep dorëshkrimin e ruajtur e të padëmtuar nga lagështia, dheu e as nga lufta, si një dhuratë e jashtëzakonshme për mua me rastin e kthimit tim në Kosovë.
Në këtë botim, për kuriozitet dhe interes të lexuesit, në një anë paraqiten të skanuara ashtu siç janë ruajtur poezitë e dorëshkrimit «Gjeografia e sëmurë», ndërsa në anën tjetër të shkruara normalisht.
Kam menduar shumë gjatë dhe, më në fund, kam vendosur që këtij libri t’ia vë titullin „Dorëshkrimi nga dheu“. Por, sa herë kam fshirë «Gjeografia e sëmurë» për ta zëvendësuar me «Dorëshkrimi nga dheu», kam ndier brenda vetes një klithje: Mos! Dheu nuk ka faj! Ai ruan dhe libra dhe eshtra. Duhet shëruar dhe rregulluar gjeografinë e Atdheut!
Me ndihmën e nënës sime, këtë libër po e sjellë si dëshmi të nxjerrë nga dheu, se gjeografia e Atdheut, megjithatë, ka filluar të shërohet!
Prandaj, libri i përket Nënë Fatimes dhe ia kushtoj asaj.
(Zvicër, verë, 2001)
Autori
***
„DORËSHKRIMI NGA DHEU“
Botoi Shtëpia Botuese ROZAFA, Prishtinë, 2003
Redaktorë:
Ali Podrimja
Sali Bashota
Ballinën dhe realizimin kopjuteristik:
Adnan Asllani
***
*) Ali Podrimja (1942-2012)
**) Agim Mala (1951-2007)
add a comment