Mërgatë

Mustafë Krasniqi: Shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në dhera të huaja (mërgim)

”Takim i sotëm “Shqipja në diasporë” përpos që na inkurajon në misionin e mësuesit, na bënë edhe më të ndërgjegjshëm të ecim të bashkuar për ruajtjen e gjuhës shqipe. Por, ajo që duhet të na shqetësojë, është mosinteresimi i shumë mërgimtarëve shqiptarë për shkollën shqipe, të cilët nuk i çojnë fëmijët e tyre në klasat, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare. Këta fëmijë,  pa fajin e tyre, kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën mëmës, ndërsa në një të ardhme, rreziku është edhe më i madh, kur edhe mund të mos flasin fare  në gjuhën shqipe.

Këtë dukuri e preka qëllimisht, që ta kuptojmë realisht se kemi të bëjmë me një fenomen të shëmtuar, siç është asimilimi i heshtur. Pra, nëse ne (shteti dhe prindi) nuk e marrim seriozisht këtë fenomen, e ardhmja do të jetë e dhimbshme dhe me pasoja të mëdha, për kombin. Ngaqë numri i nxënësve që kemi, apo numri që do të shtohej tutje është një pikë ujë në lum, në krahasim me numrin e atyre që duhet ta vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Kjo na bënë ta pyesim vetën, së pari si individ, prind dhe si shtet, deri kur më me kaq shumë humbje e dhembje?!

Pavarësisht përpjekjeve që bëjmë për sensibilizimin dhe rritjen e numrit të nxënësve, ne si mërgatë nuk do të kemi suksese të dëshiruara për arritjen e qëllimit, misionit dhe vizionit, nëse nuk kemi bashkëpunim të ndërsjellë me institucionet tona. Dhe, pa këtë bashkëpunim gjithmonë do të mbetemi një numër simbolik, sa për të thënë, se funksionojnë shkollat shqipe në diasporë. Andaj, seriozisht duhet t’i qasemi këtij problemi, duke kërkuar përkrahjen e shtetit amë, por edhe shteti do të duhej të marrë  përsipër, seriozisht, organizimin dhe të na përkrahë e të na japë ndihmën e tij, meqë kështu shpëtojmë një pjesë të brezave të rinj që janë e do të jenë në mërgatë. Nëse duam të punojmë e veprojmë, suksesi nuk do të na  mungojë, por kushti i vetëm është, nëse vërtet jemi të vendosur e të bashkuar për këtë qëllim madhor.

Kur flasim për temën si shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë, së pari, duhet të kemi parasyshsfidat, rrugëtimin, qëllimin, bashkëpunimin dhe sensibilizimin.

(Rrugëtimi, qëllimi, bashkëpunimi dhe sensibilizimi)

Gjatë rrugëtimit, ne si mësimdhënës duhet ta kemi si qëllim parësor, qasjen korrekte dhe të dimë se çfarë duam dhe çfarë synojmë, për të arritur deri te realizimi i vizionit dhe misionit tonë. Kështu mund  të marrim mbi vete përgjegjësitë që na takojnë, për një mësimdhënie të unifikuar e të koordinuar në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore. Prandaj kjo është rruga e bashkëpunimit profesional dhe organizues mes mësuesve dhe bashkëkombësve, të cilët jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare, dhe natyrshëm së bashku me institucionet tona përkatëse, si Ministria e Arsimit, Ministria Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve do të bëheshim, faktor kyç për sensibilizimin e shkollës shqipe në diasporë. Po, kur flasim për këtë faktor sensibilizimi, rol të rëndësishëm, kanë edhe mediat, nëse ato na përkrahin  natyrshëm, duke e bërë detyrën e tyre, si mbështetje e përpjekjeve atdhetare. Po, mbi të gjitha shteti, të ketë parasysh dhe t’i ofrojë mundësinë mërgimtarit të jetë ligjërisht më afër atdheut dhe aspak të mos e injorojë.

(Si shembull, modeli dhe mësimdhënia)

Kur flasim për mësimdhënien duhet të kemi parasysh rrethanat, atje ku rriten fëmijët, por të dimë se   ç ‘ njohuri kanë ata,  si duhet ta përshtatim mësimdhënien natyrisht të mbështetur sipas korrikulës, kur kemi të bëjmë me nxënës që nuk e kanë të njëjtën moshë e janë në të njëjtën orë mësimi.

Si shembull konkret ta marrim modelin e shkollës shqipe në Zvicër, e cila ka paraqitur suksese të dukshme profesionalisht, duke e shtuar  numrin e nxënësve dhe duke hapur klasa të reja. Këtë model e kemi edhe te “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari, të cilët rrugëtimin e vet e kanë filluar në bashkëpunim me prindërit, mësimdhënësit dhe me institucionet, konkretisht në koordinimin e ngushtë me konsullatat e dy shteteve tona në Mynih. Kështu “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari  është angazhuar, përpos rritjes së numrit të nxënësve edhe për hapjen e klasave të reja, por edhe për përgatitjen e mësimdhënësve, përmes takimeve profesionale dhe mbajtjes të seminareve.