Shqipëria/Aktualitet

Muharrem Xhafa: Përse shqiptarët po ikin nga Shqipëria

Përse shqiptarët (rinia në veçanti) ikin nga Shqipëria dhe a mund të organizohet më mirë emigrimi i shqiptarëve?
(Mendime të përgjithshme)
1.- Ikja e shumë shqiptarëve, e rinisë sidomos, për të punuar si emigrantë në vende të ndryshme të botës, është një plagë e rendit kapitalist, që ka filluar me ndrrimin e sistemit shoqëror dhe ekonomik, kur PD-ja mori pushtetin në vitin 1992, ka ardhur duke u majisur nga viti në vit, ecën me galop në ditët e sotme dhe është pasojë e politkës së gabuar të shtetit borgjez shqiptar në dëm të zhvillimit të vendit, së pari, sepse ka çuar e çon në çpopullimin e pandërprerë të vendit dhe, së dyti, sepse thellon varfërinë e tij. Në kapitalizëm, parandalimi total i emigracionit është i pamundur, po ai mund të organizohet më mirë dhe të përdoret më frytshëm në dobi të vendit.
2.- Shumë njerëz jo vetëm e kuptuan gabim, po edhe vazhdojnë ta kuptojnë në mënyrë librale të drejtën kushtetuese për të jetuar ku të duan brenda territorit shqiptar, koncept qe ka agravuar e po agravon më tej shpërnguljen e njerëzve e të familjeve shqiptare nga vendbanimet e veta pa u menduar e në rrëmujë, pa kritere shkencorë, aq sa zona rurale të tëra, madje edhe qytete periferikë të shumtë janë çpopulluar e abandonuar, duke mbetur ose me disa shtëpi ose janë boshatisur fare nga banorët. Për punë jashtë vendit si emigrantë, po largohen edhe specialistë të shkolluar, sidomos të fushës së mjekësisë.
3.- U bënë shumë vite që kjo politikë e mbrapshtë është kuptuar se bëhej dhe bëhet për t’i patur njerëzit (familjet) e shpërngulur si mish për top dhe kontigjente votash! Shteti shqiptar “harron” se vendit i duhet të ketë kudo njerëz dhe të jetë i zhvilluar e i fortë në çdo pëllëmbë të tij, se ai
nuk mund të jetë i tillë nëse injorohen fshati e qytetet periferikë të tij, siç ka ndodhur në këto mbi tri dekadat e fundit, nëse neglizhohen industrializimi e transporti, intensifikimi i bujqësisê, shërbimet, arsimi, kultura etj..
4.- Shqiptarët, rinia në veçanti dhe specialistët e shkolluar, që ikin jashtë vendit për të punuar si emigrantë e ndërmarrim këtë veprim, sepse në vendet e tyre të lindjes e në atdheun e vet është shkatërruar gjithçka, s’ka fronte pune për njerëzit e aftë për punë dhe gati-gati nuk prodhohet asgjë. Pagat e shteteve ku shqiptarët punojnë si emigrantë, krahasuar me pagat e vendit tonë, janë më të larta dhe kushtet e punës më të mira, ndonse emigrantët shqiptarë, përjashtuar disa, punojnë në punë të rëndomta e të rënda. E dine që e kanë gabim, po ka njerëz që mendojnë se ata që shkojnë jashtë shtetit mund të merren edhe me “pune” të pista, të vënë pará pa djersitur apo duke shitur trupin e tyre.
5.- Ndoshta u bë “modë” që familjet shqiptare t’i shohin e t’i zgjidhin hallet e tyre me punën e fëmijëve të vet jashtë shtetit. Ky difekt serioz është, më së pari, i prindërve, të cilët, bashkë me bijtë e bijat e tyre, mund dhe duhet t’i kërkojnë shtetit çeljen e fronteve të punës, krijimin e kushteve të përshtatshme për punë, ngritjen e pagave etj. dhe të mos pajtohen për ego me largimin e fëmijëve për punë jashtë vendit. Të paktë janë ata bijë e ato bija, që shkojnë për të punuar si emigrantë pa lejen e prindërve. Nëse pagat e larta të punës jashtë vendit tonë kanë qenë mikluese për prindërit e familjet shqiptare, për shumë shkaqe e arsye, ato nuk do të jenë më të tilla.
6.- Batërdia në vendin tonë mund të ndalet dhe të mos thellohet më tej. Po ashtu, është e mundur që shumë emigrantë shqiptarë të rikthehen në atdheun e vet apo në vendlindjet e tyre, sikurse shumë të tjerë mund ta ndihmojnë vendin e vet në mënyrë tjetër. Ata e kanë kuptuar tashmë se në dhé të huaj nuk i kontribuojnë dot vendit të vet. Që këto të bëhen realitet, shteti duhet të merret seriozisht me emigrantët e me familjet e emigrantëve, t’i njohë e t’i vlerësojë ata e ato, të fitojë besimin e tyre, t’i informojë me realizëm për përparimet e problemet e tij, t’i mbrojë emigrantët, të kujdeset për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të mësimit të saj prej pasardhësve të emigrantëve, të përmirësojë në vijimësi pagat, orientimet dhe politikat e zhvillimit ekonomik e demografik të vendit, të ngrejë nivelin e jetesës, të shërbimeve shoqërore, mjekësore, arsimore e kulturore dhe t’i përafrojë me të vendeve ku emigrantët punojnë e jetojnë etj. Emigrantët kurrë nuk duhet të asimilohen nga popujt e vendeve ku kanë shkuar të punojnë. Emigracioni duhet dalluar qartë nga diaspora. Atij (emigracionit) i duhen vënë rregulla, të jetë i organizuar, jo rrumpallë, spontan, as parësor në zhvillimin e vendit, po në ndihmë tē tij. Shqipëria kurrë nuk duhet të çpopullohet!
7.- Etj., etj..
Më 6 shtator 2022