Shqipëria/Aktualitet

Muharrem Gjafa: 75 vjet Republikë!

Për Republikën e Shqipërisë, për kombin shqiptar në Iliri (Shqipërinë Natyrale) dhe për shqiptarët kudo në botë, 11 Janari duhet të jetë: DITA E REPUBLIKËS, – FESTË KOMBËTARE!

Sot është 11 Janar 2021! 75 vjet më parë, më 11 Janar 1946, Shqipëria u shpall Republikë Popullore! Ishte menduar të organizohej një veprimtari përkujtimore kushtuar 11 Janarit, 75 vjetorit të Shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë… Po, meqë grumbullimet janë të ndaluara me ligj, për shkak të murtajës Kovid-19, po i kujtojmë lexuesit : 1. Shqipëria duhet të ketë 11 Janarin e vitit 1946 Ditë feste Kombëtare të Republikës! Regjimi i sotëm në Shqipëri e di mirë që 11 Janari 1946 është Dita e Republikës së Shqiperisë, po është kundër, sepse ajo ditë është vendosur nga komunistët me Enver Hoxhën në krye. 2. Gjatë LANÇ-it, formalisht Shqipëria ka qenë “Monarki”. Enver Hoxha i kishte premtuar popullit që formën e regjimit do ta zgjidhte pas çlirimit të vendit! Dhe ashtu bëri. Më 2 dhjetor 1945 u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, të drejtpërdrejta, të lira, të barabarta e të ndershme për Asamblenë Kushtetuese, e cila u kthye në Kuvendi Popullor i Shqipërisë dhe, duke shprehur vullnetin e sovranit, e popullit shqiptar, e shpalli Shqipërinë: Republikë Popullore, në prani edhe të përfaqësuesve të fuqive të mëdha : Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik! 3. Janë bërë 75 vjet dhe është fituar një përvojë e pasur në përkujtimin e kësaj date të shënuar për popullin tonë. Me këtë emër, me emrin e lavdishëm, Republika Popullore e Shqipërisë, Shqipëria është pranuar dhe njohur në OKB, në të gjitha organizmat botërorë e nga vendet e botës me të cilat ka pasur lidhje diplomatike, ekonomike e kulturore! Rroftë Republika! Më 11 Janar 2021