Kulturë\Letërsi

Muharrem Blakaj: Sa të paskan hije

SA TË PASKAN HIJE
tregim kushtuar nënës nga: Muharrem BLAKAJ
    E trembur, i hapa sytë. Agimi i purpurt i vjeshtës, sikur trokiti në derën e drunjtë e të mbyllur me shul, duke shtendosur e çarë perden e zezë të natës që po arratisej. Vështrimin e mbërtheva mbi derën e shkallmuar nga goditjet e milicëve një javë më parë. Prapë, po me përsëriten skenat e tmerrit të atij mëngjesi fatal, që e mbushi më zi, lot e tmerr, shpirtin tim të trazuar… ajo fytyrë e vërejtur, ata sy që puliteshin me dhembshuri, e që i bënin hije çehres së tij të vrarë nën flokët krela-krela… ato duar të zgjatura drejt prangave, dhe… prangat… ah, ato pranga vezulluese, që ti lidhën duart e njoma, që ti lidhën ditët e rinise… që ta lidhën shpirtin e dëlirë dhe ëndrrën e dashurisë… Ah, loke, loke… ku je tani o bir? A bëre gjumë sonte o i miri i nënës?! A të lanë të flije katilët, që u sulen si bisha të egra mbi trupin tuaj të lidhur?
Në dhomën matanë u dëgjua një e kollitur dhe fill pas, vaji i një foshnje. Po qanë Albana, mbesa ime e vogël, mendova kalimthi… Po qanë, por jo si unë, me lot, shpirt e zemër të zhuritur.
I fshiva lotët dhe dola në oborr. Vështrimi me iku andej nga burgu, atje ku mbahej i mbyllur biri im… atje ku torturohen bijtë e kësaj toke… atje ku vritet lulja e rinisë, atje ku jeta nuk ka vlerë… atje, ku shfaqet trimëria, burrëria e nderi i virtytshëm i këtyre trojeve të vaditura me gjak ndër shekuj… atje, ku vite më parë, e kishin mbyllur tim atë, të cilin kurrë nuk e pashë, sepse e vranë, e zhdukën pa gjurmë. Kot e kërkuam… trupi i tij u tret, as varri nuk ju gjet.
Dielli, me rrezet e tij të purpurta stisi malet, shkëmbinjtë mbi katund dhe shtëpitë e përgjumura, duke kthyer zhurmën e këndshme të gjallërisë. Oborri u mbush me qeshjet e harlisura të fëmijëve që sa ishin zgjuar nga gjumi. Në rrugë vërshuan tufa të rinjsh që shkonin drejtë shkollës duke lozur e kuvenduar… kurse unë, me lot në sy, po e vështroj dritaren e dhomës së tim bir, te heshtur, të mbyllur, pa shenja jete. Në çast, dëgjova një zë plot dhembshuri nga prapa krahëve: Mos qaj oj nënë, mos qaj… djali do të vij… Do të vij?, pyeta unë kureshtare. Si do të vij? Kurë do të vij?… Kush do ta sjell? Ata që e lidhën? Ata që e vr…a…në?… oh, fjalën e fundit nuk desha ta thosha… nuk desha por, me doli vetë… nuk desha ta thosha sepse me tremb, me tmerron, me ndjell kob, zi, gjak, vdekje…
Dita po thyhej, ashtu siç thyhet zemra e nënës. Prangat vezulluese në duart e birit tim sikur po ma shtrëngonin shpirtin e plagosur. Gjallëria e ditës po venitej. Tutje tehu, andej nga kreshtat e Lugut të Madh sikur po dëgjoja vaje nënash, kuisje motrash, vajtime qyqesh… kurse rreth e rrotull sikur po me vinin të shkapërderdhur zëra ngushëllues burrash…
– E sollën. – thirri dikush me zë të lartë.
– Kë e sollën. – pyeta me tepër vetën se sa të tjerët.
– Kufomën. – u përgjigj një zë i përhumbur.
Ndërkohë, pashë një turmë burrash që po e bartnin një arkivol.
Zemra mu tkurr. Shpirti mu ligështua, derisa në oborr u dëgjua gjëma e dhembjes… e trishtimit… e tmerrit… kurse unë, sikur kisha frikë se po e zgjoja tim bir nga gjumi i rëndë, e thirra me zë të dhembshur. Me duart që po me dridheshin, e tunda lehtë trupin e tij të rënduar nga vdekja… zgjohu o bir… zgjohu, o trimi i nënës…sot, ta paskan lënduar buzëqeshjen, ta paskan plagosur hijeshinë, ta paskan deformuar bukurinë! Ta këputën djalërinë, lulen e rinisë… sa i bukur po më dukësh si n’shtratin e dhëndërisë, o bir… sa të paskan hije, plagët e trimërisë!
Hinwil, vjeshtë e dytë, 2012