Shqipëria/Aktualitet

Mr. Delvina Kërluku: Flamuri i Gjergj Kastriotit në kullën e xha Brankos

FLAMURI I SKËNDERBEUT NË KULLËN E XHA BRANKOS
Kronikat dhe rrëfimet e ndryshme, kanë plotësuar boshllëkun e studimeve shkencore të historisë sonë. Bile, në disa raste, edhe kanë bërë korrigjime jo të pakta dhe jo të parëndësishme. Sidomos këto kronika dhe rrëfime kanë luajtur një rol të theksuar në pasqyrimin e jetës së shqiptarëve nëpër viset larg qendrave administrative kombëtare. Këto kronika dhe rrëfime (sidomos ato të përjetuarat) fitojnë në peshë kur vijnë nga troje përtej kufijve administrativë të shtetit.
Gjithsesi se ne e kemi fjalën për historinë tonë kombëtare dhe për shtetin tonë kombëtar. Ka pjesë të historisë sonë dhe ka vise të Atdheut tonë që janë më pak të njohura, mos themi edhe të panjohura, për pjesën më të madhe të popullit. Kështu ndodh edhe me historinë e shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Dibrës dhe me vetë këtë trevë.
Ky tis i errët nuk u zhdavarit deri në ditët e sotme. Kjo pjesë e historisë dhe gjeografisë sonë, në Maqedoni, ishte mollë e ndaluar. Dinim pak për poetin e spikatur Josif Bageri, për ca këngë folklorike dhe ca veshje grash të asaj treve. Le të më falë lexuesi, por unë nuk mund të rri pa treguar kujtimet dhe përjetimet e mia që lidhen për këta njerëz dhe për këtë trevë. Përbëjnë një kronikë, gjithsesi.
Nuk mbaj mend me saktësi se në cilën klasë të fillores isha, por që isha e vogël, nuk dyshohet. Ahere programet në gjuhën shqipe të Televizionit të Shkupit ishin të pakta në kohëzgjatje e të rralla në paraqitje. Kjo ishte arsyeja që popullata shqiptare i konsideronte dhe i përjetonte si ngjarje të veçanta. Mblidheshim ato pasdite para ekranit dhe bëheshim sy e vesh.
Në familjen time gjithashtu. Im atë kërkonte disiplinë. Edhe po të mos kërkonte babai, neve na rrëmbente atmosfera e shihnim e dëgjonim me vëmendje. Qëlloi në njërin nga këto emisione të shfaqet edhe një dokumentar për shqiptarët ortodoks të Rekës. Edhe atëherë kishte gazetarë të guximshëm. Patjetër do ishin të atillë derisa kishin marrë gjithë atë rrezik dhe atë përgjegjësi mbi vete. Ishte kohë me zarar, kohë monizmi. Unë pak gjë kuptoja.
Kur filluan shqiptarët e Rekës të flasin me atë shqipe të konservuar dhe të këndojnë këngët aq melodioze, vërejtja që sytë e prindërve të mi u mbushën me lot. Pas tyre qanë edhe motrat e mia më të mëdha. Në fund, qava edhe unë. Qau gjithë shtëpia. Pasi u qetësua situata, babai na foli gjer e gjatë për këta pjesëtarë të kombit tonë dhe për trevën e harruar nga Zoti, nga shteti, nga ne, por edhe nga vetë rekalinjtë. Mbase do na ketë thënë se kanë qenë të kërcënuar dhe joshur njëkohësisht nga pushteti, duke shfrytëzuar si atu dhe si karrem përkatësinë e tyre fetare të ndryshme nga e jona. Nuk mund të them me siguri, por mbase ishte ky momenti që mua më lindi një dëshirë e pashpjegueshme të mësoj më shumë për vëllezërit dhe motrat tona të një gjaku.
Shumë vite më vonë, pasi kreva universitetin, fare rastësisht dëgjova se po flitej për themelimin e një shoqate për art e kulturë me emrin e poetit Josif Bageri. Ndoshta gjithashtu rastësisht ra propozimi që unë të jem kryetare (kryetarja e parë) e kësaj shoqate. Si i thonë fjalës, nuk prita të më thonë dy herë. Në këto çaste m’u shfaq tabloja familjare me sytë e përlotur. Pranova. Punuam sa e si ditëm dhe sa e si mundëm. Kjo nuk është objekt i këtij shkrimi.
Ndonjë vit më pastaj, në një ditë pranvere, u organizua një farë ekspedite, një farë pikniku me gazetarë e të interesuar të tjerë në Malin e Rekës. Në mesin e tyre edhe unë. Hymë në fshat dhe njeriun e parë që takuam ishte amerikani i Kiçinicës, një burrë në moshë por i mbajtur mirë, një figurë që do ta kishte zili çdo piktor.
Ishte xha Brankoja (Tanashi/Manojllovski), i cili i pari kishte pranuar se ishte shqiptar ortodoks. Këtë e kishte deklaruar para ekraneve televizive. Përngjante në njeri mitik, të cilin nuk e ka ligështuar rrebeshi i kohës, valët e saj që e kanë përplasur brigjeve të oqeaneve. Dukej si “ujk” i vetmuar në bjeshkë. Jetonte në kullën e tij, me mure të vjetruar e me pak fqinj. Shqiptarë ortodoksë në Maqedoni kishte dhe ka me dhjeta e dhjeta mijëra, por kush nga frika e kush nga interesi, përkatësinë kombëtare shqiptare e pranojnë me vështirësi, ose s’e pranojnë fare. (Xha Brankon sot e kemi deputet të popullit në Kuvendin e Maqedonisë.)
Xha Brankoja dukej se kishte dijeni për ardhjen tonë. Me zemërgjerësinë e njerëzve të kësaj ane dhe me mikpritjen e njohur shqiptare, ishte stolisur edhe karakteri i tij. Na ftoi në kullën e tij, që syri i një femre e vëren se aty ka munguar prej kohësh dora e nikoqires. Por aty nuk mungonin librat, fotografitë familjare dhe qiriu i ndezur për shëndetin e anëtarëve të familjes, që ndodhet në Amerikën e largët, shumë të largët. U ulëm si u gjendëm. Pasi u përshëndet me të gjithë, duke na pyetur për shëndetin, xha Brankoja m’u drejtua mua: Bija ime, kullës time në këtë çast e me këtë rast, i mungon nishani kryesor për ta bërë tamam shqiptare.
Eja, të lutem më ndihmo. Xha Brankoja para e unë pas tij ngjitëm shkallët e drunjta, të brejtura nga koha, që të shpien në katin e dytë të kullës. Në ato hapësira ndodhej edhe një dhomë e vogël, e në atë kthinë të vogël – një arkë e madhe, e vjetër, sa s’ tregohet dot. Me duart që i dridheshin nga pak, ai hapi kapakun dhe, mbi teshat e tjera, u shfaq Flamuri kombëtar dhe plisi. Nuk u besoja syve. Po shihja simbolin tonë më të dashur e më të shtrenjtë në shtëpinë e harruar të një shqiptari (ortodoks) edhe më të harruar, e mbi të gjitha – të mohuar. I ndiqja fare e hutuar nga ngazëllimi, lëvizjet e duarve që dridheshin të xha Brankos.
Punën e parë që bëri ai, ishte vendosja e plisit në kokën e tij. Jo vetëm unë, por askush nuk do ta kishte dalluar kufirin ku mbaronin thinjat e tij, e ku fillonte plisi. Pastaj, si me një komandë të padukshme, njëkohësisht të dy, zhytëm duart në brendinë e arkës duke prekur lehtë-lehtë pëlhurën magjike, simbolin tonë shekullor – FLAMURIN KOMBËTAR. Në këtë çast, më tepër se solemn, më tepër se prekës, ne u gjendëm para një vendimi të pamundshëm: xha Brankoja duhej t’i ndalte lotët që i pikonin faqeve të rrudhura nga sytë e skuqur, e unë të ndalja zemrën time që gufonte aq furishëm, të mos më dilte nga kraharori.
Duke u dridhur e duke dënesur, mes duartrokitjeve dhe lotëve të shokëve tanë, e shpalosëm Flamurin në çardakun e kullës të xha Branko Shqiptarit. Kjo kullë e ky ballkon më sollën ndërmend atë të Vlorës ku u ngrit ky flamur më 28 Nëntor të 1912; xha Brankon e përjetoja si Ismail Qemalin. Po unë kush isha: Marigoja, apo ndonjëra nga mbesat e shumta të Plakut të Vlorës.
Dhe brohoritja e fortë nga gjokset tona doli vetvetiu: E PAÇIM PËR JETË!
[27 mars 2017]
***
Edhe Delvina, si shumica e madhe e shqiptarëve, por edhe e bullgarëve dhe e helenëve (“grekëve”) po e kontestojnë dhe po e paragjykojnë përcaktimin etnik të makedonëve, të cilët Kryehero kanë Aleksandrin e Madh.
Kur isha në Makedoni e thosha shkurt e shqip: vetëm kush e vlerëson Aleksandrin e Madh për Kryehero, siç e kanë vlerësuar Gjegjrgj Kastrioti e Sami Frashëri, është pinjoll i Ilirëve, Dardanëve, Makedonëve, Epiriotëve, ndërsa shqipfolësit hibrid vetëm gjuha “shqipe” (nuk e dimë si është quajt në Antikitet) u ka ngel rastësisht…
Prandaj edhe me Delvinën dhe të tjerë, gjatë bashkëveprimtarisë në kuadër të Shoqatës Josif Bageri, shpesh na ka rastis edhe të grindemi. Fatmirësisht kemi mbet të gjithë të miqësuar rreth Rilindasit Josif Bageri dhe Xha Branko Tanashit/Manojlovskit.