Shqipëria/Aktualitet

Ministrja Kushi: Tekst i unifikuar i abetares për nxënësit në të gjitha shkollat

Do të bënit mirë të merreshit vesh edhe me Prishtinën e Shkupin dhe të hartonit, më në fund, një ABETARE unike për shkollën dhe nxënësit shqiptarë në gjithë Shqipërinë (jo vetem per Shqiperine Politike) dhe për shkolla e nxënës shqiptarë kudo në botë… Nxënësit shqiptarë nuk do të duhej të mësonin ABC – në e shqipes sonë nga ABETARE të ndryshme, sepse turperohemi si komb! Nëse deri dje na pengonin pushtuesit, sot e kemi të mundur, meqë kemi dy shtete shqiptare dhe nje Maqedoni edhe tonen… (GL)

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që në të gjitha shkollat në vend të ketë vetëm një tekst të unifikuar të librit të abetares.

Pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha se “sot morëm një vendim të rëndësishëm për përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle të tekstit të abetares. Në arsimin parauniveristar për çdo lëndë ne kemi tekste alternative dhe mësuesit e çdo lënde, në çdo shkollë mblidhen së bashku dhe vendosin të zgjedhin një nga tri alternativat që janë të miratuara në katalogun e Ministrisë së Arsimit”.

Ne, vijoi Kushi, sot kemi vendosur që nga kjo procedurë të përjashtohet teksti i abetares për nxënësit në klasën e parë, që do të thotë që të gjithë nxënësit e klasës së parë në të gjitha shkollat e vendit të kenë një tekst të unifikuar.

“Mësimi i gjuhës amtare është një nga objektivat tanë më të rëndësishëm në arsimin parauniversitar dhe në fakt abetarja është libri i parë që përballet nxënësi kur ulet në bankat e shkollës. Nga takimet që kemi zhvilluar jo vetëm me ekspertë të arsimit në MAS, por edhe me mësuesit e ciklit fillor në të gjitha shkollat e kemi dakordësuar që për abetaren të kemi një tekst të unifikuar, sepse kjo ndihmon të kemi një qasje dhe metodologji të barabartë kudo”, nënvizoi Kushi.

Ministrja Kushi bëri të ditur se në muajt në vijim ne do të punojmë intensivisht për këtë projekt “Një gjuhë, një abetare”, në mënyrë që të fillojmë procedurat për një konkurrim të hapur, të barabartë dhe transparent, në mënyrë që në fillim të vitit shkollor 2022-2023 të gjithë vogëlushët në të gjithë vendin të kenë të njëjtën abetare”.