TIRANË, 6 maj/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se në muajin korrik do të jetë gati rruga e re që lidh Kthesën e Kasharit me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Pas protestës së banorëve të zonave përreth aeroportit të Rinasit për hapjen me dy drejtime të rrugës, ministrja Balluku pa nga afër situatën në këtë aks, teksa prezantoi edhe ndërhyrjen që do të realizohet për t’i dhënë zgjidhje trafikut në këtë segment.
Ministrja Balluku shpjegoi se ARRSH ka nisur procedurën për ndërtimin e aksit të ri Kthesa e Kasharit-Fshati Ahmetaq-Rinas dhe bëri të ditur se brenda muajit korrik do të jetë gati.
Ministrja apeloi të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Veriut të aksesojnë dy daljet e tjera atë të tunelit të Kamzës ose atë të Vorës, për t’u lidhur me Rrugën e Kombit apo atë të Shkodrës, pasi sipas saj, rritja e fluksit të fluturimeve ka shtuar trafikun në këtë aks duke u bërë jo rrallë herë edhe pengesë për kapjen e orareve të fluturimeve nga ana e pasagjerëve.
Ministrja solli në vëmendje faktin se rruga është ndërtuar nga koncesionari i aeroportit të Rinasit për të lehtësuar pikërisht pasagjerët që do të përdorin këtë aeroport.
Po ashtu, ministrja Balluku informoi se fluksi i fluturimeve në fund të muajit prill dhe fillim të këtij muaji ka arritur nivelet e muajit gusht të vitit 2019, që përkon me vitin para pandemisë, kur edhe Shqipëria kishte arritur nivele të kënaqshme të trafikut.
“Sot në Rinas ulen dhe ngrihen rreth 104 avionë në ditë. Parashikimi është që ky fluks përgjatë muajve të verës të rritet më tepër. Po të llogarisim 170 pasagjerë për avion, ky fluks shkon në 15-16 mijë persona dhe nëse e shumëzojmë me 2.3 që është numri i personave që shoqërojnë udhëtarët, fluksi shkon në rreth 30 mijë. Pra janë 30 mijë pasagjerë që i afrohen aeroportit të Rinasit dhe parkojnë në zonën përreth çdo ditë“, tha Balluku.
Ministrja theksoi se edhe bizneset e ndërtuara përgjatë këtij aksi, si Universiteti “Epoka” apo Tirana Business Park, e kanë shtuar ndjeshëm trafikun.