Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi për Heroin dhe prisin e Bashkimit të organizatave atdhetare

KADRI ZEKA
Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur…
Noli
Nga Vjena në Cyrih, treni ynë gjarpëronte grykave e tuneleve të Alpeve, duke çarë errësirën e asaj nate të qetë të 30 prillit 1979. Me të zbardhur drita e agut alpin, mund të sodisja bukuritë e rralla të maleve me majat plot dëborë dhe ultësirat me gjelbërim e lule. Një vijë e hollë e ndante shtresën e bardhë nga e blerta, sikur prilli që ndan dimrin nga behari. “Gjysmë dimër, gjysmë pranverë, këto Alpet”, thosha me vete. Në rrugëtimin tim nga Prishtina, kufiri shtetëror jugosllav-austriak, si një fije peri, më kishte ndarë nga ankthi, sepse përbënte kalimin nga ndjekja në siguri, nga robëria në liri. Tabllot e natyrës magjepsëse e plot dritë ndërronin pas çdo daljeje nga tunelet e errëta, sikur në faqet e një albumi fotografish artistike.
Sa më shumë i afroheshim Cyrihut e San Gallenit, një ankth tjetër po e pushtonte fuqishëm shpirtin tim. Atje më priste bashkëveprimtari dhe shoku im i shtrenjtë, Kadri Zeka…
Eh! Kadri Zeka…
***
Një natë prilli 1978, nuk u deshën më shumë se dy minuta, që Kadriu të vendoste t’ia kthente shpinën Kosovës së tij të dashur. Atë natë të ftohtë e me shi ai duhej të udhëtonte në Perëndim për dy arsye: Policia jugosllave kishte rënë në gjurmë të veprimtarisë së tij të organizuar kombëtare, prandaj mund të arrestohej në çdo çast dhe së dyti, mërgata jonë kishte nevojë për kuadro si ai, për t’u organizuar më mirë në shërbim të kauzës së lirisë së atdheut.
Në fillim, Kadriu kishte vepruar me një rreth të ngushtë patriotësh për të ndërtuar një strukturë të re dhe efikase organizative, që pastaj të kalonte bashkë me organizatat tjera në veprime të hapura të mërgatës. Kadriu, me përvojën e gjatë, disavjeçare të veprimtarisë çlirimtare, me aftësitë e shquara organizative dhe përgatitjen intelektuale që kishte, arriti të bënte kthesë në jetën organizative e patriotike të mërgatës.
Vlerat morale që mishëronte dhe përkushtimi i tij i pashembullt e bënë Kadri Zekën (Zeqën) të njohur dhe shumë të dashur në radhët e mërgatës sonë, por edhe në qarqe politike e shoqërore të huaja.
Lëvizja jonë Kombëtare e kohës ishte e ndarë dhe e copëzuar, por jo e përçarë, siç mund të dëgjojmë ndonjëherë interpretime të gabueshme. Arsyeja e fragmentarizmit të Lëvizjes së atëhershme ishte konspiracioni i thellë në të cilin organizata të shumta vepronin. Këtë fakt më së miri e ilustron njohja dhe bashkimi i Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, të cilët u bënë shumë shpejt bashkëpunëtorë të ngushtë, për të mos i ndarë as vdekja, ndonëse në mërgim kishin shkuar si veprimtarë të organizatave të ndryshme. Njohja dhe bashkimi i tyre bëhet në një kohë të rëndë dhe për shumëçka vendimtare në situatat nëpër të cilat po kalonte Kosova. Ata e dinin se Atdheut i duhej bashkimi i gjithë potencialit patriotik, për të përballuar sprovat e rënda që e prisnin, prandaj këtij qëllimi madhor ia nënshtruan çdo interes, por edhe vetë jetën e tyre…
***
Pas një rruge të gjatë, më 1 maj 1979, në orën nëntë të mëngjesit, isha bashkë me Kadriun. U përqafuam fort. Kur Kadriu qeshte me shpirt, ose kur gëzohej shumë, nga gryka i dilte një gulç ngazëllimi. Këtë gulç e ruaj me mall në kujtesë, si një tipar të shpirtit të sinqertë të mikut që të do, e nuk di të shtiret. Atë mëngjes të paharrueshëm, të shtrënguar në përqafim vetëm ndjenjat tona flisnin, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja!
Në vazhdim të praktikës në Kosovë, sikur nëpër malet rreth Prishtinës, gjithë ditën duke shëtitur periferisë së San Gallenit, biseduam për organizimin tonë brenda e jashtë atdheut, për lidhjet me Shqipërinë e me miqtë, për zgjerimin e radhëve e të veprimtarisë, për nxjerrjen e organit të shtypit klandestin “Liria”, për gjurmimin, gjetjen dhe bashkimin me të gjithë ata që do të vepronin të organizuar kundër robërisë, për nevojën e organizimit të manifestimeve të hapura dhe të demonstratave etj.
Nëpër rrugët e San Gallenit atë ditë, me rastin e 1 Majit, disa dhjetëra qytetarë të pakënaqur protestonin për çështje sociale. “Demonstratat në Kosovë do të jenë të mëdha dhe të fuqishme, jo si kjo” më thoshte Kadriu…
Në orët e mbrëmjes u ndamë. Duhej t’ia ktheja shpinën Kadriut, për ta lënë syrgjyn gjallë e më vonë edhe syrgjyn vdekur, por duke përjetuar çastet e rënda që ai kishte pasur natën e prillit me shi, kur po ndahej nga Kosova. Me dorën lart para stacionit të trenit, duke i dërguar përshëndetje me gulçima Kosovës së tij të dashur, pamja e Kadri Zekës u fiksua për të fundit herë në kujtesën time për gjithë jetën, me dhembjen dhe mallin e pashuar.
Derisa treni më shpinte drejt Kosovës fillova të mendoja për ndryshimet që kisha vërejtur te shoku im, Kadri Zeka… Vetëm shpirti i tij nuk kishte ndryshuar…
Shpirti i dëshmorit nuk ndryshon kurrë, ai është monument i gjallë dhe i përjetshëm, se jeton në lavdi.