NJË TRAJTIM MULTIDISIPLINAR I BOTËS SHQIPTARE
Recensë për veprën Shtegtime nëpër Atdhe Pjesët I-II, të autorit Berat LUZHA. Shoqëria LËVIZJA Prishtinë, 2023
Më 15 maj 2023, Prishtinë
- Për autorin
I lindur në Begracë të Kaçanikut më 1953, veprimtari i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i dënuari politik nga regjimi pushtues serbo-jugosllav, Berat Luzha, me profesion gazetar, ka shkruar në një varg gazetash e revistash dhe në shtypin klandestin çlirimtar, “Liria” në cilësinë e anëtarit të organit udhëheqës të OMLK-së. Gjatë luftës ishte drejtues i Drejtorisë për informim publik në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, udhëheqës i themelimit të mediave të luftës, Agjencisë Informative “Kosovapress”, duke qenë drejtor i parë i saj dhe Radios “Kosova e Lirë”. Berat Luzha ka qenë i zgjedhur katër herë deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte kryetar i parë e Shoqatës së Burgosurve Politikë, zëvendëskryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, zëvendësministër i Punës dhe mirëqenies Sociale, si dhe anëtar i Këshillit Ekonomik-Social.
Berat Luzha, përveç librit “Shtegtim nëpër Atdhe” në dy vëllime, është autor edhe i përmbledhjes poetike “Këngë burgu-këngë lirie”, i monografisë “Një histori për Sylë Durmishin” dhe “Arkivi i luftës”, i Agjencisë Informative, “Kosovapress”, në katër vëllime. Ka dhe disa libra të tjerë në dorëshkrim. Për kontribut të jashtëzakonshëm në luftë, Qeveria e Përkohshme e Kosovës e ka vlerësuar me Urdhrin “Adem Jashari”. Më 2008 Berati ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë të Kosovës.
Studim i llojit të vet
Autori Luzha vjen para lexuesit me librin e tij më të ri, voluminoz e interesant dhe me përmbajtje të pasur.
Të përcaktosh gjininë e shkrimit të veprës Shtegtime nëpër Atdhe nuk është e lehtë, sepse kalon kufijtë e një lloji të veçantë. Autori në hyrje të librit “Pak fjalë për lexuesin”, ka shkruar: “Shkrimet nuk janë thjeshtë reportazhe, as udhëpërshkrime, as kronikë dhe as monografi. Ato janë punime gjithëpërfshirëse, që pasqyrojnë, sa është e mundur, karakteristikat dhe veçoritë nga aspekti gjeografik, historik, kulturor, ekonomik. demografik, etnografik të një vendi.” [1] Kurse autori Ymer Kordha (Berat), në vështrimin e tij “Libër unikat me vlera të veçanta”, thotë: “Studimet e paraqitura në libër janë të karakterit historik, gjeografik, social që shtrihet në kohë e hapësirë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme… Për mendimin tim libri ‘Shtegtime nëpër Atdhe’ dallon për mënyrën e trajtimit dhe të shtrimit të lëndës, që qëndron mes një libri udhëpërshkrues dhe të një enciklopedie gjeografike.”[2] Ndërkaq, autori tjetër i shkrimit “Një enciklopedi ndryshe”, Ismet Balaj (Tiranë), duke e vlerësuar që në fillim librin si enciklopedi, vazhdon: “Ky libër, që botohet në disa vëllime, pasqyron në formë të re enciklopedike në bazë vendi e vendbanimi, ku përmblidhen dije nga shumë lëmi të jetës.”[3]
Vetë autori e përjashton mundësinë e vendosjes së librit në kornizën e një lloji të shkrimit, por mund të thuhet se nga të gjitha llojet e përmendura të shkrimeve, libri ka nga pak, duke përcaktuar llojin e vet gjithsesi studiues multidisiplinar të karakterit enciklopedik.
Struktura dhe përmbajtja e veprës
Studimi fillon nga Leskoviku më 28 mars 2018 dhe mbaron në vëllimin e dytë më 30 nëntor 2022. Autori ka shkruar dhe analizuar për 222 vende, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, duke përfshirë hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, pa arritur të trajtojë diasporën shqiptare në Itali, në Greqi e gjetkë, përveç Zarës së Kroacisë. Për secilin nga këto vende ka një zë. Në libër nga 222 zëra gjithsej, në të dy vëllimet janë vendosur nga 111 sish.
Autori përshkon vise të ndryshme të relievit të rrafshët, ultësira dhe male e bjeshkë të thepisura, me shikim të mprehtë vëzhgues të çdo detaji, duke mos lënë asnjë veçanti të vendit, qoftë nga natyra e lashtësia, apo nga pasuritë e vlerat që ka. Ai evidenton si kronist profesionist, regjistron dhe merr pamje në aparatin fotografik bukuri natyrore, monumente kulture e arti, fusha arkeologjike e objekte arkitekture, antike e moderne, duke shkruar histori të vjetra e të reja me përgjegjësinë e kompetencën e historianit. Gjejmë gjithashtu dëshmi, faktografi historike, epope, këngë epike e lirike, valle me koreografi tradicionale e moderne si dhe poezi të poetëve shqiptarë që nga Rilindja e këtej. Hapësirë të konsiderueshme në libër zënë përshkrimet e natyrës shqiptare nga fushat, grykat, lumenjtë e liqenet dhe deri te alpet shqiptare. Ai zgjedh me shije arkitekturë dhe stile shtëpish, prej atyre pa çati në zonat e rrafshëta e bregdetare dhe deri te ato alpine me çati të pjerrëta dhe kulla tradicionale.
Autori i bie kryq e tërthor gjeografisë shqiptare që nga Konispoli e Ksamili piktoresk deri te kulla e Isa Buletinit në Veri; nga skaji jugor në thellësi të Veriut dhe nga Presheva e deri në Ulqinin e Adriatikut.
Deti dhe bjeshkët e larta, fushat dhe malet e lisave të gjatë, lumenjtë dhe liqenet e bukurisë unike, janë bërë bashkë në të dy vëllimet cilësore të Berat Luzhës.
Nëpër faqet e librit shpalosen natyra e bukur, peizazhet mahnitëse, historia e lavdishme e krahinave shqiptare, tradita kulturore, materiale e shpirtërore, ekonomia e etnografia e pasur, arkeologjia e arkitektura. Secili nga shkrimet ilustrohet me pamje të natyrës, të monumenteve natyrore e historike, me lumenjtë, urat, fushat dhe majat e bjeshkëve të larta.
Berat Luzha vetë i ka kapërcyer vendet e hapësirës etnike shqiptare që i përshkruan dhe trajton, por ka shfrytëzuar edhe literaturë e burime të ndryshme studimi. Ai nuk e konsideron të mbyllur këtë vepër të tij, sepse ka premtuar që do ta vazhdojë me vëllimin e tretë.
Libri me formën e përmbajtjen, strukturën mirë të organizuar në të gjithë zërat e tij dhe përgatitjen teknike të nivelit të lartë cilësor, padyshim është publikim serioz akademik.
- Vende, figura, lavdi dhe monumente historike
Me përkushtim të veçantë Berat Luzha paraqet historinë shqiptare që nga antikiteti, mesjeta dhe deri në kohën më të re, me luftëra çlirimtare e mbrojtëse dhe me figura të shquara, strategë luftarakë që nxori populli shqiptar ndër shekuj.
Lexuesi do të ketë rastin të mësojë për lashtësinë edhe të vetë popullit shqiptar, si njëri ndër më të vjetrit në kontinentin tonë.
Autori vë në spikamë trimërinë dhe karakterin luftarak të banorëve të trevave të ndryshme shqiptare, duke sjellë si dëshmi dhe krenari monumente të shumta historike.
Ai shkon në Kuçin e trimit legjendar Zenel Gjoleka, në Kuçin e betejave, të dëshmorëve dhe fitoreve. “Pse lufton a derëzi, as për mua, as për ti, po për gjithë një Shqipëri”.
Autori shkruan: „Nga Vlora Noli i dërgoi letër Kuvendit (të Kuçit-MH), ku , ndër të tjera, theksonte:-Kur lëngon Shqipëria, e nxjerr nga mundimi Labëria.“ [4]
Berat Luzha nga Jugu ngjitet në hartën e Shqipërisë, te Kruja kështjellë e Gjergj Kastriotit, kryeqyteti historik shqiptar, ku ndodhet Muzeu Kombëtar i Skënderbeut.
Gjatë qëndrimit në Dragobinë e bukur dhe epike, ai ndalon te Shpella e Bajram Currit, ku tribuni kishte qëndruar në borën e dimrit alpin, ku e kishte nisur dhe ku e kishte mbaruar, siç thotë Noli i madh. Autori shkruan: „Për fat të keq, kjo shpellë ende nuk ka hyrë në guidat turistike dhe pak kush ka mundur ta vizitojë, sepse ndodhet në një terren të thyer, ku mungon rruga. Po të kishte kushte elementare për ta vizituar, shpella mund të shndërrohet në një vend të vërtetë pelegrinazhi.“[5] Poshtë Valbonës zbardh qyteti i ri i historisë, folklorit e etnografisë, qyteti Bajram Curri, në të cilin bashkë me rrethinë ka 43 monumente historike dhe 19 të tjera kulturore.
Nga aty kalohet në Kosovën martire, ku ndihet ende erë baroti e gjaku, ku të gjitha rrugët të çojnë në Krujën e Kosovës, Prekazin e Adem Jasharit, legjendës së UÇK-së dhe të luftës për liri, në Prekazin e Ahmet Delisë e të Tahir Mehës, në Prekazin ku ndodhet Kompleksi i madh monumental përkujtimor. Pak më tej shfaqet Galica, qendra e “Arbërisë së Vogël”, Galica e Azemit dhe Shotës; kurse më në Juglindje Gryka e Kaçanikut e Idriz Seferit dhe thellë në Veri, Kulla kala e Isa Buletinit, ku luftëtari i paepur dhe arsimdashësi kishte hapur shkollën shqipe më 1899.[6] Do përmendur edhe Manastirin mesjetar, të Alfabetit të gjuhës shqipe, ku ushtria serbe kishte bërë plojë mbi shqiptarët gjatë viteve 1912-1913.
Nuk ka vend ku ndalon studiuesi shtegtar Berat Luzha e të mos ketë histori të lavdishme dhe monumente të qëndresës shqiptare.
Autori nuk i lë anash as krahinat tjera shqiptare të hallakatura nëpër shtetet fqinje, si Plavën e Gucinë e qëndresës heroike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, viset shqiptare në Maqedoninë e Veriut të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Luginën e Preshevës të UÇPBM-së.
Shteg më shteg në gjeografinë shqiptare
Autori i kushton rëndësi të veçantë pasqyrimit të bukurisë së natyrës shqiptare, të vlerave shumëdimensionale të Atdheut dhe potencialit të tij turistik në të gjitha stinët. Bota shqiptare me bukuritë e rralla dhe vlerat që përfaqëson, shumë prej të cilave janë unike në rajon dhe në botë, i ka magjepsur vizitorët e huaj. Autori si një ciceron erudit shpjegon dhe e shëtit lexuesin nëpër gjeografinë shqiptare me relievin e rrafshët dhe të thyer, ku mund të shijojë bukuritë e natyrës me monumentet e saj, vlerat historike, kulturore e fetare, vendbanime të lashta dhe toponimi të larmishme.
Berat Luzha përshkon në Kosovë Grykën e Rugovës, një nga grykat më të bukura në Europë, Prevallën e Brezovicën me ajrin e pastër dhe klimën kurative; Majën magjepse të Lybetenit në vargmalet e Sharrit me emërtimin shqip; Brodin e turizmit të dimrit e të verës, Radacin e burimit të Drinit të Bardhë, me ujëvarat e shpellën e njohur; Shpellën e Mermerit në Gadime, nga shpellat më të vjetra në botë; Rezervatin e gjuetisë të Parkut të Blinajës, Ujëvarat e Mirushës dhe monumentin arkeologjik të Ulpianës së lashtësisë, si dhe Stantergun e pasurive nëntokësore. Autori shkruan: „Brodi njihet si një fshat turistik, me natyrë të bukur, me shtigje të gjata për skijim e për ecje, me male të larta rreth e rreth tij e me tre lumenj të rrëmbyeshëm, që vizitohet mjaft shumë nga turistë vendorë e të huaj.“[7]
Duke kaluar kufirin e imponuar shqiptaro-shqiptar, autori hyn në Parkun Kombëtar të Valbonës, për të cilin shkruan: „Lugina e Valbonës është një kryevepër e natyrës, e mbushur me mrekulli të shumta; rrjedha të ujit, ujëvara spektakulare, pyje të pafund të rrethuara me male të larta alpine që ngritin kokën deri në qiell.“[8]
Nga Valbona kalohet në Thethin e Malësisë së Madhe në Shalë të Alpeve Shqiptare. Për këtë park tjetër kombëtar, autori shpjegon: „Zona e Thethit është vendi ku kanë lindur përrallat e legjendat, ku kanë lindur këngët epike të shoqëruara me lahutë, këngët legjendare të ‘Eposit të kreshnikëve’, që u thurin lavde luftëtarëve për të drejta e liri. Është vendi ku ka lindur ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’, si vepër e veçantë e kulturës trashëgimtare shqiptare. Dhe, është vendi ku lindën legjendat për zanat e orët, si krijesa mitike krenare.“ [9]
Autori zbret në zonat bregdetare, si Plazhi i bukur dhe i pastër i Gjirit të Lalëzit, Ulqini 2500 vjeçar dhe Himara 3000 vjeçare, për të trajtuar Parkun Arkeologjik të Apollonisë, ku ishte qyteti antik i Apollonisë, i dyti pas Dyrrahut në Adriatik. Apollonia e objekteve të vjetra, madje deri në 3000 vjet, shumë prej të cilave të grabitura, si vlera të çmuara muzeore, por edhe të shkatërruara, shkruan me dhembje shpirtërore ai.
Studiuesi Luzha ndalon në Konispolin çam, qytetin më jugor të Shqipërisë, i njohur edhe për shtatë shpellat nga paleoliti e deri te epoka e hekurit. Nga aty ishte Osman Taka, luftëtar që shpëtoi nga varja, me vallen e tij monumentale të kërcyer para litarit. Vazhdon te Butrinti antik „Mikrokozmosi i historisë dhe natyrës shqiptare”- siç e quan autori. Qendra arkeologjike më e rëndësishme në Shqipëri. Afër tij ndodhet Ksamili i vlerave natyrore, arkeologjike, kulturore dhe i plazheve të pastra me ujë Joni; pastaj Laguna e Butrintit, e guidave turistike ndërkombëtare dhe Syri i Kaltër, monument natyror, me burim 70 m thellësi.
Nga lumenjtë e shumtë shqiptarë, Buna është më i veçanti në Gadishullin Ilirik,-thotë autori. Karakteristikë e tij është edhe uji i njelmët i detit, i përzier me ujin e ëmbël. Asaj i bashkohet Drini nga fundi i rrjedhjes së tyre. Me ujërat e shumta që ka Shqipëria, me burime e lumenj, me Liqenin e Ohrit, të Shkodrës e ata të Lurës së bukur, zë vendin e dytë në Europë, pas Norvegjisë.
Me shqetësim të arsyeshëm autori ka vërejtur që shumë nga këto zona të pasura dhe me bukuri përrallore, janë braktisur nga banorët e tyre, për të kërkuar një jetë më të mirë në mërgim. Libri përbën mesazh dhe thirrje që të emigruarit t’i kthehen Atdheut, ku mund të jetohet në mirëqenie dhe në lumturi.
Turisti i pavendosur ku t’i kalojë pushimet, pasi ta lexojë librin e Luzhës, do të bindet shpejt t’i vizitojë trevat shqiptare. Shqipëria ka kushte për turizëm malor dhe detar, por me gjithë investimet kolosale kapitale, infrastruktura lë ende për të dëshiruar.
- Fuqia shprehëse e gjuhës
Gjuha e veprës së Berat Luzhës i përshtatet bukur karakterit dhe llojit të kombinuar të shkrimit midis shkencës dhe publicistikës e reportazhit. Ajo e ruan rrjedhjen e vet, deri në fund të shkrimit, si ato ujërat e kristalta e të rrëmbyeshme që përshkruan autori. Ai i zgjedh e laton fjalët dhe sipas nevojës u jep kuptim figurativ e petk artistik. Duke qenë edhe gjuhëtar, sintaksa e fjalive të tij është ndërtuar shqip dhe drejt, duke evituar edhe gabimet ortografike.
Atë që bëjnë Marin Mema me projektin „Gjurmë Shqiptare“ dhe Ilnisa Agolli me programin „Fshatrat e Shqipërisë“, të cilëve u flet aq bukur kamera e goja, Berat Luzha për pesë vjet rresht hulumtim, hyn akoma më thellë në histori, gjeografi, kulturë, ekonomi e demografi, me fuqinë shprehëse të fjalës së gdhendur artistikisht dhe shkencërisht. Si pjesë të librit janë zgjedhur me shije dhe kriter, vargje poezish dhe këngësh të bukura që e begatojnë më shumë atë.
7. Studiues i apasionuar dhe përkushtues
Që të bënte vetë një libër të formatit të madh në dy vëllime me mbi 440 faqe, me studime specifike për secilin zë, duke shtegtuar fusha e kaptuar bjeshkët, autorit i duhej të kishte kondicion fizik, formim poliedrik me kulturë të gjerë, njohuri e pasion udhëtimi e studimi, vullnet të fortë dhe vendosmëri, por mbi të gjitha dashuri deri në sakrificë për Atdheun. Berat Luzha i kishte këto virtyte e kapacitete, prandaj me bindje ia ngarkoi vetes misionin e studimit të bukurive të natyrës së Atdheut, të historisë shumëshekullore të tij dhe të heroizmit, virtyteve e vlerave tradicionale të kombit shqiptar.
Ai me këtë vepër e vazhdon në një nivel të ri dhe gjithëpërfshirës punën që kanë bërë në këtë plan, Bajroni e Durhami dhe autorë tanë të shumtë për studimin e botës shqiptare.
8. Përfundim
Autori shkruan e përshkruan, sjell informacion të pasur, analizon e shqyrton, studion e paraqet mendimet, idetë, përfundimet, por edhe sugjeron e porosit pushtetin lokal e qendror që të kujdeset më shumë për ruajtjen, konservimin e restaurimin e monumenteve të rrezikuara nga koha dhe për ndërtimin e infrastrukturës që të kenë qasje më të lehtë vizitorët.
Teksti i librit nuk bëhet monoton, jo vetëm pse nuk përsëritet asgjë, por sepse kemi aty kolorit natyre, fusha të ndryshme studimi, poezi e këngë të trevave shqiptare dhe ilustrime. Përgatitja e lakmueshme teknike, ia ka shtuar vlerën botimit.
Këtij libri iu ka kushtuar shumë mund fizik dhe mendor, shumë kohë, mjeshtëri e kulturë e shkrimit shqip. Ai është tërheqës dhe me interes si për vendorët edhe për të huajt.
Berat Luzha ia ka arritur qëllimit të shtruar, duke iu kthyer profesionit të tij të këputur në mes dhe duke dashur të jetë i angazhuar edhe në këtë moshë të tretë në shërbim të Atdheut të vet. “Njihe Atdheun që ta duash më shumë”, është moto e autorit në këtë vepër, por është edhe mesazh edukues për brezat shqiptarë.
Kjo vepër e radhës e Berat Luzhës, ka rëndësi njohëse, si doracak për nxënës e studentë, përbën referencë për studiuesit dhe literaturë për lexues të çdo kategorie. Libri do të duhej përkthyer në gjuhë të huaja për afirmimin e vlerave shqiptare në botë.
Berat Luzha u ka ngritur një monument artistik e shkencor vlerave shqiptare, të cilat kanë aq shumë nevojë për mbrojtjen, afirmimin, por edhe kultivimin e tyre në kohë degradimi dhe erozioni të brendshëm e të jashtëm.
[1] Berat Luzha, Shtegtime nëpër Atdhe, Pjesa I, f. 11.
[2] Po aty, f. 12.
[3] Berat Luzha, Shtegtime nëpër Atdhe, Pjesa II, f. 12.
[4] Berat Luzha, Shtegtime nëpër Atdhe, Pjesa I, f. 25.
[5] Berat Luzha, Shtegtime nëpër Atdhe, Pjesa II, f. 21.
[6] Berat Luzha, Shtegtime nëpër Atdhe, Pjesa I, f. 28.
[7] Berat Luzha, Shtegtime nëpër Atdhe, Pjesa II, f. 18.
[8] Po aty, f. 23.
[9] Po aty, f.70.