Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva dy lulet e Pranverës Shqiptare ’81

Në 41-vjetorin e rënies së Naser Hajrizit dhe Asllan Pirevës, në kryengritjen e vitit 1981, sjell këtë fragment nga libri im „BIR I ATDHEUT“ Sot më 2 prill 2022, në orën 12:00 bëhen homazhe në vendin e rënies së tyre, afër Kryeministrisë.
*
Në orën dhjetë, makina e doktorit me dy të rënët, më në fund hyri në oborrin e madh të spitalit dhe u ndal para dyerve të Klinikës së Kirurgjisë. Ekipi kujdestar i mori të dy dhe shkuan urgjentisht në sallën operative. Atë ditë gjithë spitali ishte mobilizuar, duke mbajtur në gjendje gatishmërie sallat dhe personelin, për të plagosurit e shumtë që sa vinte e shtoheshin. Një infermiere tek i shihte të shtrirë dy të rinjtë, ia plasi vajit dhe doli në korridor, duke mbuluar fytyrën. Ekipi emergjent në sallë, duke përfshirë edhe personelin ndihmës, përbëhej nga doktorë specialistë.
Asllani kishte vdekur, kurse Naseri jepte ende shenja jete, por doktori kujdestar, duke fshirë djersën apo lotët, tha se gjendja e tij ishte ante fine. Doktorët bënë përpjekjet e fundit, por shumë shpejt edhe zemra e Naserit pushoi së rrahuri…
I dërguan të dy, ashtu të pandashëm, në morgun e spitalit.
*
Ndajnatë të asaj dite të gjatë, si të ishte polare, u shpall shtetrrethimi. Tanke dhe autoblinda ushtarake qarkullonin me uturimë rrugëve dhe rrugicave të qytetit, duke shtënë me armë të rënda. Mediat njoftuan për ndalimqarkullimin. Hyri në fuqi urdhri që asnjë derë të mos kyçej, qoftë e oborrit, apo e dhomave. Njësi speciale serbe, hynin nëpër shtëpi, bastisnin dhe i rrëmbenin njerëzit e dyshimtë. Gjatë natës i mblodhën shumë nga ish të burgosurit politikë, qytetarë patriotë, të rinj e të reja dhe pasi i torturuan mizorisht i përplasën nëpër qeli të burgjeve. Defilimi i makinerisë ushtarake dhe të shtënat nuk pushuan gjithë natën. Shumë korrespondentë të huaj ia kishin mësyrë Kosovës, por u ndalua për kohë të pacaktuar hyrja e tyre në krahinën nën tym, flakë e terror. Edhe ata që ishin ndodhur që më parë në Prishtinë, u dëbuan dhunshëm. Nuk u lejuan të ktheheshin as kosovarët e degdisur nëpër republika jugosllave, apo nëpër botë. Ndaloheshin në postblloqe, i kthenin mbrapsht ose i qëllonin me armë. Regjimi i orës policore vazhdonte deri në mëngjes, por as ditën nuk lejohej qarkullimi i më shumë se tre qytetarëve bashkë. Uniforma e bënte ligjin, duke i dhënë shtypjes formën dhe përmasat e një gjenocidi.