Shotë Galica- Qerime Halili
(1895 – 1927)
Femra shqiptare në vazhdimësi është përballur me vrazhdësitë dhe ashpërsitë e jetës, mbi të
rëndoi pesha e shekujve të robërisë, varfëria, pesha e kanunit etj. Megjithatë, ajo për asnjë çast
nuk u nënshtrua para sfidave të shumta gjatë rrugëtimit të saj. Gruaja dhe nëna shqiptare, në
vend të parfumeve evropiane, përdori barotin, stolitë e saja ishin koburja dhe gjerdani me
fishekë, ajo ishte dhe mbeti në shërbim të atdheut deri në përjetësi. Gruaja shqiptare si nënë,
atdheut i fali nga shtatë ushtarë lirie, i fali nga shtatë zana mali, që pushtuesit i morën gjak në
vetull si: Teuta, Donika, Nora, Tringa, Shota….. e deri tek Xheva e ditëve të sotme, pa
dyshim nënëmadhja Zahide Jashari – nëna e Komandantit tonë Legjendar!
Nënat tona, gatuan bukën për çlirimtarët, thurën çorapet që të mos ngrijnë ata, i bekuan rrugët
e tyre të përgjakshme, i puthen ata në ballë duke ua dhanë uratën në rrugët tona të vështira,
por të lavdishme të lirisë. Ato i vizituan bijtë e tyre nëpër syrgjynet otomane e kazamatet
serbe, duke u thënë: ”Mbahuni bijtë e mi, mos u ligështoni para dushmanit, mbahuni për hatër
të vatanit!”… Ishin këto fjalët e nënave tona, që na dhanë forcë dhe bënë që populli ynë të
triumfoj fuqishëm mbi tmerrin shekullor të robërisë, mbi planet asimiluese, mbi planet
gjenocidiale që pushtuesit tanë i zbatuan egërsisht mbi popullin shqiptar. Nuset e reja i pritën
trimat e tyre me vite të tëra, nga syrgjynet, nga internimet, nga burgimet… e kujë nuk vunë!
Ato fëmijët nuk i lanë vetëm e shpinën nuk ua kthyen për një copë dashuri. Jo, ato këtë nuk e
bënë kurrë, ato u gjakosen krah burrave për këtë tokë të zhuritur! Ato hynë në histori me
qëndresën e tyre, ato hynë në këngë me bujarinë e tyre, ato u mitizuan për besnikërinë dhe
sakrificat e tyre si Rozafa e kalasë prej guri, si Doruntina… E kur bijtë tanë u kthyen të
gjakosur nga lufta, fjala e nënës ua mikloi plagët e tyre. Ato nuk lejuan që loti të iu shkoj në
faqet e tyre të ndritura- jo as një herë!… O zot, po cilat nëna në botë, janë më të sprovuara,
më të forta, më bujare se nënat tona? Ishte nëna dhe gruaja shqiptare ajo, që i rezistoi të gjitha
këto dhe nuk u dorëzua. Asaj, dhe vetëm asaj i dedikohen të gjitha nderet, para së cilës populli
ynë me respektin më të madh duhet të përkulet deri në gjunjëzim – para qëndresës dhe
heroizmave të NËNËS Shqiptare!
I gjithë ky respekt për nënat tona, sot përcillet në emrin e nënës, në emrin e gruas dhe në
emrin e heroinës sonë kombëtare – SHOTË GALICËS, ky emër kaq i madh që zuri vend po
aq të madhërishëm në historinë tonë kombëtare. Emri Shotë Galica është emër nderi e
krenarie, është emër mburrje dhe emër lirie për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Është dashuri
për atdheun, pasion dhe inspirim i qindra Shotave të reja që ranë me pushkë në dorë rreshtuar
në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato luftuan për çlirimin e atdheut – ashtu si Shotë
Galica dikur, dhe ranë për atdhe sa herë që kërkoi domosdoshmëria e lufta çlirimtare, ato ranë
me emrin e Shotë Galicës në gojë!
Qerime Shotë Galica e inspiruar në bëmat e trimëreshave shqiptare e bindur thellë në të
drejtën e popullit tonë për liri, vuri pushkën krahut dhe për 12-të vite me radhë nuk u nda nga
burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica.
Shota e Radishevës, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të
vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e
ndeja burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir
Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan
Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavin, Fazli Baranin, Emin Latin – Mehën, Shaban
Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën e shumë trima tjerë. Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin
vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia
për trimat tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, po aq sa edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë
mali, sa edhe tmerronte pushtuesin me zërin e kushtrimit: ”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o
heeeej!”…
Nëpër ato ndeja e kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo
në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe
u bë nuse malesh. Në dasmë të saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë
lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e luftëtarëve të lirisë… Shota që nga ai çast
nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarëve të tij. Dhoma e saj nusërisë u bë Çiçavica,
stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë rreth belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja dhe nëna
shqiptare, që nuk u lodh e nuk u hamend kurrë para jetës së vështirë të malit, as para flakës së
barotit, as para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët
serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e po shtohej e
vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës! E tillë ishte Shota dhe si
e tillë vazhdoi këto rrugëtim pa u luhatur, as edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj
Azem Galicës.
Ajo merrte edhe vendime me vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të
komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të
Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me
forcat përparimtare e demokratike të kohës, e Komitetin e Maleve, si me Hasan Prishtinën,
Bajram Currin, Luigjin e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një
zyrtari të lartë të Serbisë. Ajo së bashku me Mehmet Deliun- alias Mehmetin e Vogël, dhe me
dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës!,
dhe me dorë të vet e kishte vrarë atë epror gjakpirës, i cili kishte bërë sa e sa masakra mbi
popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vet. Ajo i tha Azemit më pas;
… “Azem, e vrava! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka
lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës!”…
Azemi e shikoj me butësi e dashuri, duke i thënë: “ Mirë ke bërë moj burrnesha e maleve, dhe
e kishte përqafuar butësisht, duke e uruar për aksionin, atë dhe shokët!”. Shota, gjatë jetës së
saj prej luftëtarit te lirisë, ishte ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Ishin dhjetëra beteja
ku kishin luftuar me orë të tëra dhëmbë për dhëmbë. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë
kishin dalë fitimtarë, megjithëse edhe kishin pësuar edhe goditje të rënda me humbjen e
shokëve. Kjo përballje me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin
dhe bashkëluftëtarët e tyre ishin krijuar mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta
bashkë me gjokun e tij po fluturonte, ose se kur thërret Shota: “Oooo, prite, prite Azem
Galicën o heeej!” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash etj…
Pas vdekjes së Azemit, Shotë Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta për
ballë armikut… Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu
duke u bërë shembull e krenari për ne. Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj
ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit.
Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi
fëmijët e shokëve të rënë për liri të Kosovës. Ajo për as një çast, ata nuk i la vetëm, duke u
bërë nënë e dytë e tyre deri në çastet e fundit të jetës së saj.
Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e
me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë
Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të
ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte
edhe disa fëmijë të shokëve të rënë për liri, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë
përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen
e mbretërisë së Ahmet Zogut, ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si
duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli
ndaj Krajlit të Serbisë i cili Zogun e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i
Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri
demokratike në Ballkan – Qeverinë Noli! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që për 12 vjet
me radhë, kishte dëmtuar rëndë luftën Çlirimtare të Kosovës së bashku me prijësit e saj,
Azemin me shokë, Pashiq në vazhdim kishte bërë kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane
që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj Lëvizjeje, që herë pas herë strehoheshin në Shqipëri,
siç ishte edhe Shotë Galica me këtë rast!…
Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa dhe mjerimi, tmerrësisht
nga inferioriteti i një regjimi arrogant mbretëror zogollian. Ajo u shtrëngua që t’i shkruaj edhe
letër për t’i tërhequr vërejtjen mbretërisë në fjalë si:
… “ Unë jam Shotë Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës.
Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e
luftëtarëve të vrarë për çlirimin e Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke
vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”…
Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë aq të re, më shumë pati për
pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i një regjimi mbretëror antikombëtar
kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej
Shotë Galica e cila kishte vetëm 32 vite!…
Shotë Galicën, shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia
rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme
siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927. Ndërkaq për bustin e saj në
Kukës, nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel
qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal të Vushtrrisë, as kanë vrarë mendjen deri me sot që
eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, ku më në fund pas 80 vitesh, Ajo do të
prehej e qetë pranë varrit të Azem Galicës- burrit dhe bashkëluftëtarit të saj!
A thua vallë edhe Qeveria e Kosovës, pandërgjegjshëm po shndërrohet në një Qeveri
mospërfillëse e kaq inferiore, për të mos thënë zogolliane përballë Dëshmorëve dhe Heronjve
tanë kombëtarë të cilët mbetën harruar e shkapërderdhur baltërave e moçaleve të hapësirave
tona gjeografike gjithë shqiptare?!
Qerime Halil Radisheva – Shotë Galica vdiq më 20 korrik të vitit 1927. Kush vuajti më
shumë se nënat tona, kush i dha lirisë dhe popullit tonë më shumë se ato? Kjo pra ishte Shote
Galica – gruaja dhe nëna shqiptare të cilën me pietet do ta kujtojmë përjetë e mot!
CH- 10 nëntor 2016
me rastin e ditëlindjes së saj
Mehmet Bislimi