Histori

Mehmet Bislimi: Rrugëtim nëpër kohë!

Po binte një borë e dendur që ta dëshironte shpirti ta shihje. Për një çast i harrova të gjitha brengat dhe rrëshqita në thellësinë e mendimeve të mia, fjollat e dendura të borës që po binin butësisht, kishin joshur një pjesë të memories time që nuk po përmbahej, sa larg rrëshqita, aq larg sa nuk po mund të kthehesha më në pikënisjen e fillimit të kujtesës. Si në ëndërr, po debatoja me vet- vete, një monolog i brendshëm që më kishte ngërthyer e nuk po më linte të kthehesha tek qetësia e para fillimit të rënies së borës. Nuk po më linte të kthehesha aty nga kisha filluar përçapjen shpirtërore, aty ku dikur kisha kaluar këto shtigje me borë të madhe, duke i shqyer mes për mes ato, së bashku me luftëtarët trima të lirisë…
Me barrën e halleve dhe armeve, ngarkuar mbi kurrizin tonë të njomë, tek po zbrisnim bjeshkëve të Shkëlzenit tatëpjetë, për t’i sjellë ato në atdhe, në mënyrë që flakët e lirisë së atdheut të ishte më të mëdha, më të fuqishme, më të shndritshme.

Se mos harrojmë e na vret buka e Kosovës: shumë nga luftëtarët tanë, kanë mbetur statuja roje në ato bjeshkë, kanë mbetur si dëshmi e përpjekjeve tona shekullore për liri, kanë ngrirë atje, dhe nuk zbresin dot nga bjeshkët, ata nuk i joshi as froni i Presidentit, as i Kryeministrit, as i Krye-kuvendarit, jo ata nuk shkrihen pa u bërë shteti dhe liria e përmbaruar!

Duke ecur me hapa të shkujdesur, mes për mes bjeshkës së mbuluar me borën e freskët, ika vetiu, nëpër vitet e hershme, kur miklimi i fjollave të borës më mahniste, më bënte për vete, më joshte që të dilja e të ikja larg e më larg në natyrë, duke ecur derisa ndalej bora. Vendosa të ikja larg, dhe të mos rikthehesha më në kohë, derisa ata të më ftonin. Edhe ftesën vendosa të prisja në ikje, ikje të cilën do ta ndalonte vetëm ftesa!, ftesa për President, ftesa për Kryeministër, ftesa për Krye- Kuvendar, për Ministër, si për habi, rrugëtimin do ta ndalte edhe ftesa për syrgjyn, për internim, për nizam, për degdisje, për jesir, për bedel, pa dyshim edhe për logun ku matet burrëria- ftesa për në Den-Hagë!…

Shumë nga bijtë e atdheut, kanë kaluar nëpër këto sprova, madje kanë kaluar triumfalisht edhe nëpër tehun e shpatës, nëpër hallkat e prangave, nëpër zjarrin e barotit dhe lakun e litarit, si: Arianiti, Gjergji, Oso, Hodo, Ferri, Sylejman, Kosharja, Mici, Curri e Ademi!… o bijtë e shqipes, sa madhështor që jeni,  bota liridashëse do duhej të përkulej deri në gjunjë para sakrificës suaj. Kush e deshi lirinë më shumë se shqiptarët, për të cilën falen edhe jetën!
Pa dyshim së kalvari i vuajtjeve tona vazhdoj deri sot, megjithatë, nuk mbahet mend të jet thyer e rrezuar përdhe ndonjë herë ndonjë lis shtatlartë i shqiptarisë, as para acarit më dhëmbë, as para furtunave të egra, jo. Pa dyshim, edhe këtë kalvar do ta kalojmë e flakim tutje si një leckë të zhubrosur!


Më vonë, shumë më vonë, tani më kur po me joshte diçka e brendshme, prapë ika, ika në heshtje, ika atje lartë tek bjeshkët e Shkëlzenit, atje tek “Varri i mirë”, lartë  mbi luadhet e Hoxhës, rrugëtim i gjatë ky, në rrugën gjarpërore, në drejtim të Staneve, ku bënim një sy gjumë dhe pak pushim pas gjithë atij rrugëtimi të mundimshëm. Këtë radhë, kjo rrugë me lodhi dhe më lëndoj dy herë më shumë, nga atëherë kur ishim së bashku me trimat, kur shkonim e ktheheshim ngarkuar me halle e barot për atdhe, po, për atdhe… dhembje kjo, sa e rëndë, po aq krenare, këto ditë kujtohet rënia e dyzetë e një trimave tanë, prirë nga Kapedani i pavdekshëm Mujë Krasniqi. Dyzetë e një trëndafilave të Kosovës, që nuk vyshkën kurrë, para jush, përkulemi deri në gjunjë- ju jeni meteor të lirisë së Kosovës!…

Nuk po kuptoja, në isha zgjuar apo ëndërr, seç më trembi një zë qortues, dhe prapë mora rrugë, kësaj here, mora një itinerar tjetër, me makinën time, si kalorës dhe jo si këmbësor. Nëpër rrugët gjarpërore të shiritit të zi të asfaltit, mbuluar me borën e bardhë, bardhësi e prajshme kjo, që kishte zënë vend qetësisht mbi fusha e male e cila, kishte vu nën zap gjithë natyrën dhe për një kohë të gjatë nuk po epte shenja se do të trazohej. Me gjithë shqetësimin tim, që po më hante nga brenda, unë, po ikja pa më ndjekur askush, po përgjigjesha pa më ftuar askush, po matesha pa më kërkuar as kush të matëm!….

Në rrugëtim e sipër, gropat e rrugës dhe gropat e shpirtit tim, më sollën në vete. Fillova të mendoja për gjërat që më mungojnë, dhe nuk po ia gjeja fillin, duke trokitur me forcë në portat e kujtesës time, po kërkoja atë që nuk e kisha, dhe natyrisht se nuk e gjeta. E saktë, në mbretërinë e ëndrrave të mia, po mungonte një Fron dhe Pallati ku ta vendos atë Fron!…
Marrëzi kjo që më kishte pushtuar me aq forcë e ironi, kujtesa më dërgoj tek monumentet e lashtësisë sonë, një zë nga brenda më thirri: shpejt, shpejt, tek “Guri i Betimit!”, menjëherë- iu përgjigja, dhe tek kthesa e parë në të majtë, lash asfaltin e mplakur të cilit koha ia kishte brejtur shtatin, dhe ja kishte bërë gropa-gropa. Me tërë forcën time, ika edhe nga kthetrat e mendimeve të mia të cilat më kishin futur thellë, thellë deri në palcën e tokës!

Mora rrugën krejt me gropa në drejtim të “Gurit të Betimit”, gropa të mëdha këto, që ishin mbledhur edhe në gjoksin tim. Shkova atje, dhe rashë në gjunjë për t’i zbrazur pikërisht këtu, dhembjet, brengat dhe tundimet e liga të shpirtit tim që kishin pleksur Fronin!
Mendime këto, që kishin bërë konak në gropën e shpirtit tim. Pas këtij rituali, ndjeve sikur më lehtësoi shpirtin  diçka e padukshme, sikur ma hoqi satanin nga fiksimi ime, po sikur e bukura e dheut, që e pata takuar vetëm një herë, shumë vite më parë, tek gryka e shpellës së thatë! Para këtij guri të madhe, të cilën e nxori nga kronikat e moteve të largëta, biri i Krojmiri!, thonë se kishte rrugëtuar 600 vjet, për ta nxjerr nga palca e tokës këtë gur e për ta sjellë në vendin e vet, ngase i stërgjyshi i tij i lashtë, i kishte thënë:

Biri im: “Guri rëndë peshon n’vend t’vet!”… Këtë gur mitik, ku ishin betuar burrat e dheut, ato kohë të lashta, në emër të zotit, në emër të tokës, në emër të bukës. Këtë gur, thonë së biri i Krojmirit e kishte bartur mbi supe për 600 vjet me radhë, duke u rrëzuar e duke u ngritur përsëri nëpër mote, dhe më në fund për ta vendosur aty, aty, ku guri peshon rëndë në vend të vet!, aty, ku e ka vendin, aty, në zemër të dheut, ky burrat e motit u betuan për atdhe e fe!…

600 vjet rrugëtim, me “Gurin e Betimit”  mbi kurriz, e solli biri i Krojmirit, këtë gurë, para të cilit u betua Mirosh Nikollë Danja, dhe të gjithë ne pas tij, në Koprilian të dheut tonë të lashtë- veç lirisë dhe tokës nënë, nuk i përkulemi askujt!

Biri i Krojmirit, në kronikat e moteve të largëta, po aq sa edhe në portretin e Mirosh Nikollë Danajt, kishte  nxjerrë edhe këtë shënim:

… si për habi, atë kohë, asnjeri nga trimat e Danjajve, nuk kishte kërkuar që të bëhej Kapedan,  ata kishin hezituar. Ishin të tjerët që kishin kërkuar nga trimi i Danjave t’u printe:
“ O Mirosh, na prijë o Mirosh!”, dhe Miroshi, kishte ngurruar, duke ju thënë: …“ Qofshi nderuar trima, por jo, unë jo; të na prij Arianiti, se a ma i dijshme e ma i zoti!”.

Këta ishin burrat e motit- tha kronisti i Krojmirit, që solli në Koprilian “Gurin e Betimit!”.