Kulturë\Letërsi

Mehmet Bislimi – Prekazi: UNIVERS (poezi për Heroin e flamurit tonë kuqezi Fazli Graiçevcin)

… Kam dalë dhe prore kam me dalë
Bregoret me sy çiltërie me i soditë
Kurrë kangën time s’kam m’e ndalë
Rrugët e mbara tue i shndritë!…
– kështu kishte shkruar atëbotë i madhi Fazli Greiçevci, me dorën e vet!

UNIVERS
(kushtuar Fazli Graiçevcit)

përditë po i zvogëlojmë borxhet
përball jetës sonë të varfër
shprehimisht 
vitet që na takojnë po zvogëlohen
numra në rënie
shtrëngatat ziliqare na kanë rrethuar

 arkeologu pranë ashtit fosil
gojëhapur e hutuar mbeti
retë ngarkuar plot me shi
ulur por si kësulë e bardhë përmbi sy 
mbi majat e larta të Golashit
atje ku flamuri i ëndrrave tuaja
zhurmshëm po valon

 me zvogëlimin e viteve
dhe borxhit ndaj jetës
pengu i borxhit një ditë
mbetur fashitur brenda vetes
të porta me rrapëllima do na trokasë 
për të marrë hakun e së vërtetës
do t’na thërras

kush (s)më thotë
e kemi zvogëluar borxhin
për vëllain e motrës
për birin e tokës
për Fazliun e nënëlokes
që dashuri i fali atdheut
i fali jetës
i fali tokës
Fazliu ynë
Fazliu i nënëlokes
simbol lirie
simbol i Epokës

Gusht, 2023
Mehmet Bislimi