Aftësia
për të komunikuar me masat është art, por arti nuk do duhej të paraqiste pjesën
e talljes më groteske të një ligjërimi joprofesional, madje për të mos rënë në
grackat e premtimeve të kaluara që vendnumëruan. Sot e atë ditë, premtimeve nuk
iu beson më as i ati e as i biri, në veçanti tani kur vërshimet, kohë e ftohtë,
kohë skamjesh shpirtërore e materiale, kohë dimri e zhgënjimi, sikur ka rënduar
tej mase gjendjen e popullatës.
E gjitha kjo, përcjellë me pasiguri politike, fizike, klimatike e deri tek loja
me zgjedhje, lojë me elektorat, lojë me fushatë, që nuk po ndalet këtu e dy
vite rresht! Si ta kuptoj qytetari ynë këtë avaz zgjedhjesh e zhbërje
zgjedhjesh, që tri herë brenda një viti e ca! Zgjedhje këto që buxhetit të
Kosovës po i kushtojnë mbi 20 milion euro, shumë e barabartë kjo me ndërtimin e
të gjitha shtëpive që pësuan nga vërshimet këtë herë, më rëndë se në krye të
herëve tjera!…
Fushata elektorale ende pa filluar zyrtarisht, është futur në “zonat e nxehta”,
lagur me ujëra të pista të vërshimeve, që kanë vrarë rëndë rehatinë e qytetarit
gjatë këtij dimri me plot halle. Tanimë, nuk është etike që elektoratin e lagur
e të ngrirë deri në palcë ta gënjejmë prapë, mjaft na ka vrarë moti e zoti, a
nuk mjafton kjo!?
Me atë çka po shohim deri tani, gjithnjë duke u bazuar edhe në atë çka mediat na paraqesin, spekulimet vazhdojnë, tamam si vërshimet gjithandej, rrethuar nga një përmbytje e heshtur shpirtërore, nuk ka më rëndë se humbja e shpresave për një të ardhme më të mirë. Kjo vrasje e dyfishtë shpirtërore, ndër më të rëndat, kur njerëzit kapën për shkume se mos shpëtojnë ndonjë gjë për t’ia hedhur matanë!
Njëjtë
edhe partitë politike, po kapin çka po u vjen për dore, me shpresa të zbehura,
në mos po kapim diçka, për ta kaluar lumin. Dhe sa ta kalojnë lumin, pastaj ta
lodrojnë atkinë: ”Kalova lumin, …!”. Jo, kjo nuk duhej të ndodhte, kjo nuk
duhej të kaloj në ves e përditshmëri, kjo nuk duhet të kalojë në shprehi.
E kuptueshme, dikush duhet të fitoj, fatkeqësisht, shumë herë kanë fituar ata
që kanë ditur të joshin elektoratin më premtime boshe. Dhunti kjo, që në
portretet e premtuesve, afishohet në formë të një shikimi të përhumbur, duke
dashur ta mbysin zhgënjimin e tyre me një paraqitje të preferencave të
momentit, dhe asnjë herë deri më tani në ato të perspektivës. Këta sikur
harrojnë se konkretizimi, qoftë edhe i një projekti të vetëm, për të bërë fare
dhimbshëm historinë e plagosur të një palë zgjedhjeve joshëse, duke gënjyer
vetën dhe elektoratin mbi atë që nuk u realizua tash e shumë vite – ngrehim
zërin këtu edhe një herë: Vetëm brenda këtyre dy viteve të fundit, janë
zgjedhjet e treta, të parakohshme këto, a duhet të skuqet e turpërohet dikush
për ketë, dhe deri kur kështu?!…
Kjo
histori e plagosur, e cila në vete ngërthen një revoltë shpirtërore të dështuar
të një shoqërie politike fund e krye të çorientuar, që dështon në sapo fillim
të qeverisjes!
Ndryshe, përfytyrimi i një gjendje të krijuar enkas për këto vite të tmerrshme
të “suksesit mbi qeverisjen e territ” në Kosovë, vështirë se mund të
rikuperohet.
Ky mister i kësaj bote të ligë, i cili aterroi mbi Kosovën e kërrusur “burrat e
politikes”, qytetarit hallexhi të Kosovës, vetëm sa ia ka rënduar barrët e
jetës. Në fakt populli ynë, këtë kopje “burrështetasish” nga më të çuditshmit,
nuk e kishte imagjinuar kurrë, por ja që e gjeti belaja me ta. Eksperimente të
tejzgjatura këto, që kanë një kosto të cilën po e vuan ky vend pa fajin e tij.
E saktë, përderisa problemet e pazgjidhura nuk shtrohen drejt, ato edhe nuk
zgjidhen drejt. Forca e ligjit në Kosovë ka munguar fatalisht dhe
pashpjegueshëm, prandaj të ligjtë më parë përqafuan të pabërat, pa frikë nga
goditja e dorës së drejtësisë.
Mbetesh pa fjalë, kur në shesh shëtisin keqbërsitë, vrasësit, dhunuesit e
larmishëm etj. madje, krejt lirshëm e pa frikë se do t’i godas ligji. Ata, edhe
imponohen në mënyrë krejt vulgare për të qenë pjesë e politikëbërjes në Kosovë-
ruana zot!…
Sovrani e ka në dorën e vet, që rrahagjoksëve, vulgarëve, dhunuesve dhe vrasësve
të imazhit kombëtar dhe të gjithë atyre që mundohen të përfitojnë mbi
fatkeqësitë e çastit, t’ju tregojnë se nuk do të lejojmë më denigrimin e
dinjitetit të qytetarit.
Unë besoj shumë në këtë, populli ynë do duhej t’ju besojë fakteve, faktet flasin vet, prandaj mund të gënjehet vetëm ai që dëshiron të gënjehet!