PETRO NINI LAURASI
(përkujtojmë të ndriturit!)
Jeta dhe vepra e Petro Nini Luarasit
(1865 – 1911)
Petro Nini Luarasi u lind më 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Petro është i biri i Nin Petro Kostallarit, veprimtar i madh i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog – Mësues i Popullit. Ishte nxënës në shkollën e Qestoratit të Koto Hoxhit. Pasi mbaroi shkollimin, Petro punoi mësues i gjuhës greke në fshatrat e Kolonjës. Më vonë ai filloi t’u mësonte fshehurazi fëmijëve të shkruarit e gjuhës sonë të bukur shqipe. Ai me punën e vet atdhedashëse e të palodhur, nën udhëheqjen e Komitetit të fshehtë Patriotik të Korçës, përgatiti për mësues një grup shokësh dhe kështu, si rezultat i punës së tij me shokë, më 7 mars1887 hapen shkollën e parë shqipe të Korçës, mësues i parë i së cilës u emërua Pandeli Sotiri. Shkolla e parë shqipe e Korçës ka rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe politike për të kaluarën dhe të sotmen e popullit shqiptar, rrugë kjo plot me sakrifica deri tek ditët e sotme.
Hysni Myzyri në veprën e tij “Shkolla e parë kombëtare shqiptare, ” thotë: “Hapja e shkollës ishte njëkohësisht kurorë e përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive patriotike të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, pa dyshim të shoqërisë qendrore të Stambollit”. E gjithë kjo peshë, organizimi dhe realizimi, kishte rënë mbi supet e patriotëve të Korçës, pa dallim feje e krahine, për një shkollë laike që nuk do të varej as nga kisha e as nga xhamia. Kjo shkollë njëkohësisht ishte lajmëtare e një epoke të re për kombin tonë, ishte ngritje e ndërgjegjes për një bashkim të mirëfilltë kombëtar kundër tendencave të pareshtura përçarëse të qarqeve greke dhe turkomane, të cilat bënin trysni të hapur kundër përhapjes së gjuhës shqipe.
Duke e gjurmuar hap pas hapi veprimtarinë e Petro Nininit, mitroploi Grigori i Kosturit, i cili kishte dërguar qarkore në Eparhinë e Kolonjës dhe Vakëf që të mos e pranonin Petron si mësues në ato anë, madje duke i kërcënuar ata me shkishërim, ai edhe vetë Petron e kishte anatemuar e shkishëruar. Mirëpo Petron nuk e zmbrapsën këto kërcime. Ç’është e vërteta ai vetëm sa e zgjeroi aktivitetin e tij, duke e hapur madje një shkollë edhe në Ersekë. Një nga detyrat e rëndësisë së veçantë të Petros me bashkëveprimtarët e tij ishte mbrojtja e këtyre shkollave nga armiqtë dhe kisha greke, si dhe nga organet e pushtuesit Otoman, por edhe furnizimin e tyre me libra shqip, si dhe mbajtja e tyre me mjete materiale. Për konkretizimin e tërë kësaj pune, atdhetari i denjë i asaj kohe Hysni Myzyri thotë:
“Lufta për shkollën e shkrimin shqip ishte një luftë për vetë ekzistimin e kombit shqiptar”. Mbi këtë bazë kisha greke ishte kundërshtarja kryesore e shkollës shqipe në Shqipëri, ajo përçonte politiken shoviniste të borgjezisë së Athinës, duke bartur urrejtjen kundër popullit tonë dhe gjuhës sonë shqipe. Do përmendur rasti më eklatant i vrasjes më mizore që është bërë qysh atë kohë, djegien në zjarr për së gjalli(!), të Gjokë Shqiptarit nga Pleshishti i Potkozhanit të Mokrës për shkak se gjatë një kontrolli që i bënë në shtëpinë e tij, i kishin gjetur një arkë me libra shqipe që i kishte sjellë nga Bukureshti.
Dhespoti i Korçës, Filiothesos Konstandinidhis, po bënte plane për zhdukjen e Petros. Diku në fund të viti 1891 Petro mori rrugë për Stamboll, Rumani e Bullgari për të mbledhur atje ndihma për mbajtjen e shkollës nga ana materiale. Atje takoi krerët e vatrave kombëtare si vëllezërit Frashëri, Nikollë Naçon etj. Petro nuk kishte lënë gur pa lëvizur në mënyrë që shkolla shqipe të ishte shembulli më i mirë i një fitoreje të plotë mbi errësirën që po pretendonin ta mbanin grekomanët mbi qiellin shqiptarë. Shkolla shqipe i vuri themelet e kalasë së madhe të diturisë shqiptare. Më pas, duke parë suksesin e kësaj nisme të mbarë, shkollat shqipe u hapën edhe në Pogradec, në Tresekë, Polenë, Luaras, Hereskë, Leskovik, Elbasan etj. Petro Luarasi kishte bërë një punë të Veçantë për hapjen e këtyre shkollave, madje ai mbante tërë barrën e furnizimit të këtyre shkollave me libra shqip të cilat i sillte nga Bukureshti. Ai nuk pushonte së renduri për sigurimin e mjeteve materiale në mënyrë që shkollat shqipet të mbijetonin katrahurat e asaj kohe.
Propagandës shoviniste të grekomanëve Petro Nini Luarasi iu përgjigj në veprën e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit”, në të cilën ai pasqyron në mënyrë argumentuese, dhe me dokumente konkrete mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.
Duke u ndeshur me realitetin, Petro shkruante: “E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…, ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”- (P.N.Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…). Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Atë e helmuan qarqet shoviniste grekomane. Kjo vdekje atëbotë i trazoi shpirtrat përparimtarë e liridashës të kohës, për këtë rast të shëmtuar e kriminal, shkroi shtypi shqiptarë, por edhe ai anglez e amerikan.
Me futjen e psalmeve shqip në kishën e Luarasit, kuptohet në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, Petro polemizoi vendosur dhe në mënyrë argumentuese edhe me dhespotin e Korçës, Grigorin, duke e vu atë para sprovës së madhe të realitetit ku secili popull ka të drejtën e vet për të jetuar i lirë, të ushtroi lirshëm gjuhën dhe kulturën e vet, të kultivoi historinë dhe vlerat e veta. Petro gëzonte përkrahjen e pa kursyer të patriotëve të kohës, në lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe përkitazi me zbatimin e platformës kombëtare, Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane -moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve ishte Gjerasim Qiriazi.
Për veprimtarinë e tij kombëtare Perandoria Osmane, e nxitur edhe nga qarqet ortodokse greke, atij i kishin bërë shantazhe të ndryshme. Mirëpo, kërcënimet nuk po e lëkundnin vendosmërinë e Petro Ninit në misionin e tij kombëtar për përhapjen e gjuhës hyjnore shqipe. Ata provuan që Petron ta blejnë edhe me para, por ai nuk u shit. Si i vetmi opsion mbeti eliminimi i tij fizik. Fillimisht e burgosën, duke menduar se tani e kanë në dorë dhe do ta kushtëzonin me jetë. Mirëpo Petro, diku në prill 1904, u arratis nga burgu ku e kishte mbyllur qeveria turke, për një kohë u strehua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si emigrant politik. Petro Nini Luarasi në Amerikë zhvilloi një aktivitet të gjerë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane : “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Amerikë. Ai themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, udhëheqës i protestantëve shqiptarë atje, për të futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët nga reaksioni shovinist grek, ishin të tërhequr e të frikësuar për ndonjë pasojë të mundshme të familjeve të tyre në atdhe.
Petro Nini Luarasi përçoi kudo frymën atdhetare me moton: “Kombi mbi të gjitha!”.
Më 1908 Petro Nini u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e patriotë të kohës për të luftuar si komitë për çlirimin e vendit. Në atë kohë u shpall Hyrieti, dhe ai filloi veprimtarinë e tij patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë. Andartë grekë, duke parë se atë nuk e ndal gjë nga rruga e tij e shenjtë në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe, vendosën ta helmonin Petron!
Petro Nini vdiq më 17 gusht 1911, por vepra dhe puna e tij nuk do të vdesin kurrë, ai u përjetësua me veprat e tij të pavdekshme për hapjen e shkollës shqipe kudo në tokën shqiptare, ai mbeti i pavdekshëm me punën dhe porosinë e tij të vendosur:
– “Ruamani gjakun, se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…”, dhe “Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi !”. Shovinistet grekë bënë çmos për të ndaluar vrullin e lëvizjes sonë kombëtare për zhvillim dhe përparimin e arsimit shqip. Ata shkuan deri në atë pikë sa shkishëruan patriotët ortodoksë si Papa Kristo Negovanin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Papa Totasin, madje me dorën e tyre të përgjakur ata vranë në mënyrën me çnjerëzore këta burra dhe dijetarë të mëdhenj të atdheut tonë. Andartë grekë më parë patën vrarë edhe Dhaskal Todhrin, patën helmuar Naum Veqilharxhin, Papa Totasin etj. Por armiqtë e kombit tonë nuk arritën kurrë, as sot e gjithë ditën, të vrasin dëshirën e shqiptarëve për shkollim, liri, bërjen e shtetit dhe përparim të vërtetë. Nuk kanë thënë së koti se:
– “Sa më shumë që shtyp një popull, aq më i madh do të jetë shpërthimi i tij për liri!”.
I tillë ishte atdhetari i devotshëm Petro Nini Luarasi, pishtar dhe margaritar i shkollës, arsimit dhe gjuhës së bukur shqipe.
Shtator, 2021