Kulturë\Letërsi

Mehmet Bislimi: LAVDI QIELLIT (Poezi)

Lavdi qiellit
(Adem Demaçit)
në motet e largëta
zë i vetmuar

një grusht atdhedashës

përflakur

në ballë të furtunës

bijtë e tokës

bijtë e zotit

bijtë e nënëlokes

Kosovë e Adem Demaçit

Kosovë vatër e zjarrit

Kosovë flakadan lirie

Kosovë e Adem Jasharit

në këtë vend ku nuk kishte teatër
e teatër luhej
as sot
nuk skuqen ata
që do duhej skuqur
shushuritësit u trazuan

bacë Ademi të vërtetën tha
si gjithmonë
të vërtetën
dhe
asgjë më shumë

ai
edhe dje
si sot e nesër
gjërave u thoshte në emër të vet
hajnit i thoshte hajn

tradhtarit- tradhtar
qenit- qen
spiunit- spiun
zagarit- zagar
pushtuesit- pushtues
çlirimtarit- çlirimtar
ai nuk vdiq
bacë Ademi është gjallë

ai ecte vertikalisht

në një kohë
kur shumë të tjerë hiqeshin zvarrë
si hardhucat e përhirta
përmbi zall
mure erë myku e zymtësie përballoi
papërkulur e ballëlartë
në rrugët e jetës marshues
në rolet e imponuara nuk u tjetërsua
me fuqinë e shpirtit
për botën e madhe
dashurinë  përjetësoi
deri në sakrificë e vetëmohim
dashuri për të tjerët
dhuroi

nëse keni dëgjuar deri më tani
ta ketë peshuar dikush
gurin e vuajtjeve të tij shpirtërore
e pra
sa peshoi vuajtja
mbi supet e tij
e thotë dikush të vërtetën
do bënë dikush ndonjëherë llogari
për bijtë e vuajtur
të nënës Shqipëri
 
mbi një çerekshekulli me diellin u mat
sytë nuk iu verbuan
nga klithmat e të trazuarve

si klithma lakuriqesh në shpellat pa hënë
ku jargët e tyre
lakuriqet hanë

lavdi qiellit
çka (s) presim më shumë
nga kryeneçët e kësaj shoqërie të çakorduar
çmendurisht
kryeneçë gërdallë
kur vdes të qajnë
të shajnë sa je gjallë