Që në fillim, duhet ta pranojmë hapur dhe me mburrje:
Përgëzime të përzemërta elektoratit për kulturën e fushatës, që përfundoj dje, pa as më të voglin eksces. Përgëzime Kosovë, përgëzime. Për këtë mbi të gjitha, meritor është elektorati dhe vetëm elektorati ynë, që nuk u provokua në asnjë çast dhe në asnjë rast!
Aftësia dhe komunikimi me masat është art, por arti nuk do duhej që të paraqesë pjesën më shpotitëse të një ligjërimi joprofesional, madje të rënë në grackat e gënjeshtrave pa mbulesë, në mënyrë krejt naive, të cilave më nuk iu beson askush.
Në fakt, fushata u mbyll, deri më sot u spekulua shumë, dhe nuk e di se ç’ka mbetur për t’u spekuluar edhe më?! Këto figura të njëtrajtshme në portretet e të cilave po afishohen shikime të përhumbura mes premtimeve boshe e gati përçarëse me kilometra larg realitetit të kapshëm, duke dashur ta mbysin zhgënjimin e tyre me një paraqitje të preferencave të momentit.
Lider, këta të cilët nuk janë në gjendje që të konkretizojnë qoftë edhe një ide të vetme, për të bërë fare dhimbshëm historinë e plagosur të një palë zgjedhjeve joshëse, duke mashtruar e yshtur fare hapur, vetën dhe elektoratin mbi atë që nuk u realizua tash e sa vite me radhë, me pretendimin se do ta realizojnë për këto katër javë të fushatës që iku, përfundimi i së cilës po “ lulëzon Kosovën cep me cep, tamam si një nuse!”- apo jo!?…
Thënies së saktë të popullit se: “Po të bënte gjithkush shtëpi, Kola im do i bënte tri!”, sikur nuk i ka ikur vakti- fatkeqësisht!…
Kjo histori e plagosur, e cila në vete ngërthen një revoltë të dështuar mbi dëshmitë e sfidave të një elite fund e krye të çorientuar, ndryshe përfytyrimi i një gjendje të krijuar për këto vite, vështirë së mund të rikuperohet në kujtesën që solli vitet e kohëve të vrara, por edhe të humbura të një krehjeje politike, që po hipte njërin dhe zbriste tjetrin nga timoni i Qeverisë, për të mbjellë forma tjera operimi rehat- rehat mbi kurrizin e kërrusur të nënëlokes Kosovë- tani qytetari shtron me të drejt pyetjen; deri kur do presim?!
Ky mister i kësaj bote të ligë, i cili zbrazi mbi Kosovën e kërrusur “burrat e demokracisë”, qytetarit hallexhi të Kosovës vetëm sa ia ka rënduar barrët e jetës, në fakt populli ynë, këtë kopje “burrështetasish” , nga më të çuditshmit (edhe në nivelin lokal), nuk e kishte imagjinuar kurrë më parë, por ja që e gjeti belaja me ta, dhe si punë e atij hajdutit që thotë:
– E kam zënë hajdutin or babë!
– Po lëshoje or birë- ia ktheu i ati.
– Unë po e lëshoj, por nuk po më lëshon ky mua!…
Kur problemet e pazgjidhura nuk shtrohen drejt, ato nuk kanë se si edhe të zgjidhen drejt. Premtimet e çastit të subjekteve politike para elektoratit, sikur nuk janë serioze, për më shumë, ato herë- herë kalojnë edhe kufijtë e humorit dhe batutave, kur elektorati sheh me sytë e vet, një numër nga pretenduesit, ama, një numër, sikur të zë tartakuti!…
Të gjitha subjektet politike, pozitë- opozitë, kush më shumë e kush më pak, kanë nëpërkëmbur moralin e tyre politik me dashje e vetëdije, dhe kjo do bukur kohë për t’u rikuperuar, nga kjo kohë që tani iku, këtu e 20 vite… zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje, por deri me sot, Kosova, pa zgjidhje ekonomike, politike, etike, filozofike, jetike dhe historike!…
16-10-2021