Kulturë\Letërsi

Mehmet Bislimi – dy poezi me titull: Gurëzim dhe Kryqëzim

Gurëzim

Këngë
të një kohe tjetër

kur korbat trazuan idilet
me krrokatën e tyre të vjetër

kur moti u hallakat në Debëllde
mbi kodrën e lartë

gurët e dhembjes i ngulen
në tokën tonë
në gjoksin e thatë

rihapen plagë të reja
plagë që kullojnë gjak
në tokat tona

melodinë e fyellit
bariut ia përdhunuan

si në legjendë

në kohën tonë në Debëllde

qeleshet u gurëzuan
gurët mbi gurë tokën rëndojnë
Kosovë e lashtë
gjymtyrët po t’i amputojnë
kaq shpejt plagët harruam
flini, flini gjumë!

 

Kryqëzimi

kryeneçësinë e varën publikisht

që të bashkëjetojmë me frikën
të bashkëjetojmë miqësisht

ta bartim peshën

dhe metaforën e kryqit mbi shpinë

së bashku me hilen

e besimit të rremë në Perëndinë
së bashku me ata që nuk e duan
të bërë
të bashkuar
Shqipërinë

Shtator, 2002