Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: Dalja e parë në skenë e Adem Shaban Jasharit hapi rrugën drejt lirisë

Dalja e parë në skenë e Adem Shaban Jasharit hapi rrugën drejt lirisë

(Kush e krisi pushkën më i parë, Shabani, Rifati, Hamza dhe Adem Jashari!)

 32 vite më parë, pas përpjekjeve tona shekullore për të realizuar aspiratat tona për liri dhe bashkim kombëtar, që nga Lidhja e Prizrenit, Konferenca e Bujanit, Kryengritja e Shaban Polluzhës dhe pushka e Tahir Mehës, – JASHARAJT, digë e pakapërcyeshme për pushtuesin serb!

 Në vitin 1991, Adem Jashari me shokë ishte kthyer i armatosur dhe i përgatitur nga Shqipëria. Për hir të vërtetës, në Shqipëri në marrëveshje mes LPRK-së dhe të “Qeverisë” Bukoshi në Ekzil, (kishin bashkuar mjetet), dhe kishin dërguar djemtë tanë atje që të përgatiteshin dhe të zotëronin artin ushtarak. Pasi që ishin denoncuar, mbase pa arritur mirë në Shqipëri, policia serbe i kishte pikasur, dhe kishte filluar t’i kërkonte për t’i arrestuar ata, si grupin e Adem Jasharit e të tjerë që kishin marrë rrugë për të shkuar në Shqipëri. Në fakt, grupi i Adem Jasharit, ishte grupi i dytë dhe i fundit që ishte dërguar për të ushtruar në Shqipëri.

Me rastin e ndërrim moteve me 30.12 1991, Adem Jashari rrethohet në orët e hershme të mëngjesit nga forcat e milicisë Serbe. (Tani çdo personazh, që atë ditë ka qenë aty, dikush më herët e dikush më vonë, ngjarjen e rrëfen sipas këndvështrimit të vet, pra, sipas asaj që ai ka parë, për aq kohë sa ai ka qenë i pranishëm brenda rrethimit, apo e ka parë nga distanca, e ka parë duke ikur, apo si e ka dëgjuar nga të tjerët e kështu me radhë!).

Shkaku i gjithë asaj hallakatjeje të tmerruar të regjimit Serbo-Jugosllav, me ushtri e milici, ishte Ademi me Hamzën, Rifatin, bacë Shabanin dhe djemtë e UÇK-së. Kjo hallakatje e përcolli atë pushtet të dhunshëm e gjakatarë, deri në kapitullimin e tij të plotë. Serbia, theu qafën pikërisht në Prekaz në përballje të një pas njëshme me familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe me Ushtrinë tonë të lavdishme Çlirimtare të Kosovës, pra në Prekaz, aty ku edhe e nisi së pari!

Komandanti Legjendar Adem Jashari, edhe për së vdekuri, kishte tmerruar atë regjim gjakatarë, e kishte vrarë moralisht, shpirtërisht, ushtarakisht dhe politikisht, prandaj mbarë shqiptarët dhe ndërkombëtarët e kanë për borxh moral, që në çdo përvjetor të përkulen para varrit të legjendarit ADEM, dhe lapidarit të UÇK-së, që shporren një pushtues gjakatarë- siç ishte Serbia!

Adem Jashari, botës liridashëse i dha shembullin më unikat të sakrificës së popujve që luftojnë për lirinë e vet!
Triumfi mbi diktatorët e vegjël dhe të mëdhenj, me gjithë makinerinë e tyre shtypëse, Ademin e vë në fronin e çlirimtarit të Ballkanit, dhe jo vetëm të shqiptarëve në Kosovë!…
Pa dyshim se; edhe unë e rrëfej atë luftim, nga ajo që kam parë përgjatë asaj dite, duke qenë edhe vet prezent në rrethimin e asaj dite.

Që nga mëngjesi i hershëm, jam i pari që jam takuar me Hamëz Jasharin, diku rreth orës 6 apo 6 e tridhjetë minuta! Rrethimi i familjes Jashari, ka ndodhur me 30 dhjetor 1991, që nga ora 5 e atij mëngjesi!, ku dëgjohej fare qartë zëri i komandës Serbe, përmes një megafoni që gumëzhinte e thoshte:

… “Hamza i Adem, predajte se, ako se ne predate za 5 minuta, podicicemo kucu u vazduh!”… që do të thotë:

… “Hamëz dhe Adem dorëzohuni, nëse nuk dorëzoheni për 5 minuta, do t’ua hedhim shtëpinë në ajër!”.

Ishte një rrethim i hekurt, por në saje të vigjilencës dhe vendosmërisë së burrave të Jasharajve, Ademit, bacë Shabanit, Hamzës dhe Rifatit të cilët shpërthyen rrethin, duke i lënë të plagosur disa nga milicët Serb. Bacë Shabanin me familje kishin mbetur të barrikaduar në kullë e shtëpi.

Bashkëfshatarët u mobilizuan me atë armatim që kishin në posedim atë kohë, dhe ajo ditë filloj me zjarrin e luftës dhe përfundoi me krenarinë e fitores. Ajo ditë dha shkëndijat e para së shqiptarët kishin gati pushkët e lirisë, që më pas kënduan aq bukur në duar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kam takuar së pari me Hamzën tek “Bunari i Tafës”, në fund të lagjes Brahaj, ku ishin të pranishëm Brahim dhe Fidaim Jashari, Enver Hajdari, Xhafer Haxha dhe disa të rinj tjerë. Hamza po dridhte një cigare nga kutia e duhanit të Brahim Jasharit, dhe tymin e nxirrte me furi nga hundët dhe goja, si dikur Gjergj Elez Alia! U përqafuam dhe i thash: “Na qoftë e mbarë kjo ditë e bardhë e lirisë!” Diku pas 20 minutash, unë dhe Hamza u takuam edhe me Ademin, Rifatin, Zymer e Naser Mehën, Xhevat e Ramadan Mehën, Halil Gani Mehën në pyllin përballë shtëpive të Jasharjve, në një vijë ajrore ndoshta jo më shumë së një kilometër. Më vonë erdhën dhjetëra shokë e luftëtarë tjerë si: Sami, Lushtaku, Nuredin Lushtaku, Jakup Nura, Sahit e Musë Jasharin, Zenun e Fadil Kodra, Vesel Selimi e dhjetëra tjerë, të cilët bënë rezistencë atë ditë rrethimi deri në orët e mbrëmjes. Rezistenca e asaj dite, u konkretizua me sinjalet e para se pushkët e lirisë ia lënë edhe pushtuesit serb, dhe kjo tanimë kishte ndodhur.

 Adem Jashari me Hamzën, Rifatin dhe bacë Shabanin, pa dyshim edhe me bashkëluftëtarët  tjerë- bijtë më të mirë të popullit tonë, të cilët më vonë u radhitën në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndezën pushkët e para të lirisë së atdheut kundër pushtuesit gjakatarë serb, dhe kjo ndodhi pikërisht me 30 dhjetor të vitit 1991 në Prekaz.

Diku nga mesdita, mua më rekomandoi personalisht Hamëz Jashari (në prani të luftëtarëve tjer), që të shkoj në Skenderaj për të pritur, sqaruar dhe lajmëruar opinionin mundësisht edhe ndonjë zyrë ndërkombëtare në Prishtinë, për atë që po ndodhte në Prekaz.

Ne, u ndamë me marrëveshjen që të takohemi serish nga ora 16-të e mbrëmjes, pikërisht aty, në vend rrethim. Ajo ditë e rezistencës së pashoqe e të gjithë atyre luftëtarëve, përfundoi pa humbje në njerëz, pavarësisht zjarrit të plumbave që milicia serbe volli tërë atë ditë mbi luftëtarët e lirisë. Me gjithë arsenalin e tyre me autoblinda, tanke e armatim tjetër të rëndë. Nga ana jonë pati vetëm të plagosur, si Halil Gani Mehaj dhe më rëndë ishte plagosur dhe kapur nga policia serbe, Vesel Selimi nga Aqareva e Skenderajit.

Forcat Serbe nga territori i Prekazit u tërhoqën me humbje dhe dështim të plotë, diku nga ora 16: 00 e mbrëmjes, sa po kishte filluar të binte muzgu. Atë moment të tërheqjes së tyre, unë dhe fqinji im, Jakup (Rexhep) Hamiti, ishim mbi lagjen Dushkaj (në vijë ajrore diku rreth 500 metra), duke u kthyer nga Skenderaj dhe nga aty ne i numëruam një nga një:

Ishin gjithsej 16 autoblinda, 4 tanke si dhe mjete tjera përcjellëse me alarme vezulluese dhe alarme burishë, si dhe të shtëna të herë pas hershme gjatë tërheqjes së tyre nga vend rrethimi, drejt lagjes së Jasharajve në drejtim të Skenderajt, në vazhdim drejt Mitrovicës. Në Skenderaj kam shkuar me kërkesën e Hamzës. Atje takova kryesine e LDK-së të asaj kohe, prirë nga Idriz Rrecaj dhe anëtarë tjerë. Më vonë (diku nga ora 14:00), arritën nga Prishtina Fehmi Agani, Zenun Çelaj, Anton Kola dhe shoferi i tyre. Nga ky takim, unë u zhgënjeva për faktin së prisja më shumë nga ata. Jo, ata në një farë mënyre, kërcënuan kryesinë e LDK-së së Skenderajt dhe kryetarin e saj!, duke i thënë decidivisht se:

 Keni për ta parë ju mirë vetëm sa të kalojë kjo, si guxoni të lejoni që njerëzit të ngrehin armët kundër milicisë serbe!” … këtë e tha me gojën e tij, Anton Kola!

Më herët në Skenderaj, kishte qenë edhe Veton Surroi dhe Zekeria Cana, të cilët kishin shkuar drejt e në stacionin e policisë Serbe të Skenderajt për të marrë leje tek Komandanti Ilia, që të lejoheshin për të shkuar tek Jasharajt në Prekaz, njëjtë vepruan edhe këta të dytët, të prirë nga Fehmi Agani dhe Anton Kola!…

Nga Skenderaj u ktheva diku rreth orën 16: 00, sa kishte filluar të errësohej, dhe sa kishin filluar të tërhiqeshin tanket dhe autoblindat Serbe. Diku nga ora 19: 00 e po asaj mbrëmje, unë dhe Xhafer Haxha nga Brahajt e Prekazit, kemi shkuar tek lagja Mehaj për t’i takuar Jasharajt dhe luftëtarët tjerë. Sipas informatave që na i dha nëna e Gani Mehajt, Luftëtarët e lirisë (në krye me Ademin), kishin shpëtuar pa lëndime, pa dëmtime në njerëz, pastaj diku rreth orës 17:00- 18:00, ata kishin kaluar në fshatin Polac në konakun e Gani Kocit, më vonë për në Negroc te Jakup Krasniqi, më pastaj tek Shaban Shala, pastaj tek Elmi Zeka e kështu për disa muaj.

 CH-31-12-2023
Mehmet Bislimi

Postimet e fundit !