Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: 14 – vjetori i vdekjes tragjike të Veteranit të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare Sabit Veseli (1958 – 2010)

SABIT VESELI (1958 – 2010)
(me rastin e përvjetorit të 14-të të ndarjes nga jeta )
Katërmbëdhjetë vite më parë, vdekja tinëzisht të vodhi, ishte goditje e rëndë për ne, ajo mori
nga radha e kolonës së madhe të idealistëve edhe një ushtar Lirie… e po, duhet të pajtohemi,
kjo është e vërteta, duam apo nuk duam ne – jeta është e tillë.
Me këto copëza shkrimi për ty, Sabit, nuk dua që të rëndoj edhe më të dashurit tuaj,
përkundrazi e ndiej si borxh që në emrin tim, në emër të shokëve të vuajtjes, në emër të
atdhedashësve të të kujtojmë me respekt, për të mikluar sadopak plagët e shpirtit.
Sabiti, që i ri ishte i përkushtuar për të njerëzishmen, për të natyrshmen, për të
domosdoshmen siç ishte liria e atdheut. Ai ishte i qetë, i urtë dhe fisnik, fliste rrallë, nuk i
pëlqenin fjalët e tepërta, adhuronte punën konkrete, aksionet dhe veprimet në shërbim të
atdheut. Ai nuk i duronte dot njerëzit e papërgjegjshëm që paraqiteshin me pompozitet,
prandaj herë-herë edhe tregonte ashpërsinë e formës së tij të veprimit, ani pse kishte një shpirt
shumë të butë e njerëzor. E veçanta e tij ishte energjia për jetën, pavarësisht ngjyrave që
natyra na i kishte vënë si sprovë në rrugët e jetës. Ai nuk u luhat as kur u arrestua, as gjatë
vuajtjes së dënimit, as kur mori lajmin e hidhur për rënien e vëllait të tij Bahriut…
Sabiti si ri do të gjendej në ballë të demonstratave të viti 1981 në Mitrovicë, njëri ndër
organizatorët kryesorë të tyre në qytetin e minatorëve. Pastaj do të pasojnë burgosjet,
hetuesitë, torturat, qëndresat heroike të shokëve të idealit, ngritjet dhe përgatitje për rrugë dhe
shtigje të gjata që po na prisnin. Ai kurrë nuk fliste në vetën e parë, ai kurrë nuk thoshte
“unë”, ai gjithmonë thoshte: “shokët!”. Ky ishte njëri ndër virtytet e tij që atë e bënte të
respektuar ndër shokë. Ai gjatë rrugës së kësaj jete kaq të shkurtër kishte pasur fatin që të
takonte dhe të bashkëvepronte me shumë shokë liridashës, të cilët edhe nuk janë më në mesin
tonë, si: Afrim Zhitia, Fadil Vata e dhjetëra martirë tjerë.
… Dhe erdhi një kohë kur Sabiti me shumë shokë u shtrënguan, që me trastën e halleve të
atdheut mbi supe, të merrnin rrugët e arratisjes, rrugët e mërgimit në sy. Ata morën këto rrugë
me zemër të plasur, duke shkelur meridianët e botës për t’i dalë atdheut të zhuritur në ndihmë
dhe mbështetje morale, materiale dhe fizike. Sabiti me shokë, rreshtuar në organizatën e
Lëvizjes Popullore të Kosovës, bënë shumë, dhanë të pamundshmen në shërbim të çlirimit të
atdheut. Për të gjithë ata që patën dhe që kanë dashurinë për atdheun në gji, pa dyshim se do
të prehen të qetë dhe krenar, në mesin e tyre edhe Sabiti ynë!
Emra të shumtë njëjës, që Sabiti ka vepruar me ta, nuk po i përmendi për dy arsye:
1). Nga frika se do harrojë ndonjërin, i cili është meritor për kontributin e tij në shërbim të
atdheut, dhe nëse do harroja ndonjërin – me këtë rast do lëndoja Sabitin.
2). Nga frika se do fusja ndonjëri, i cili me veprimet e tija të pasluftës, nuk është meritor për
t’u përmendur, dhe nëse do përmendja pa meritorët – prapë do ta lëndoja Sabitin!
Ishte një grusht idealistësh, kategori e të dënuarve dhe të persekutuarve nga ish-sistemi
jugosllav dhe shërbëtorët e tij, të sharë, të fyer, të lëçitur e të izoluar me varfërinë dhe
trishtimin e linçimit mbi kurriz, pa strehë e katandi… Këta idealistë, këta burra të dheut, që as
sot e kësaj dite kurrë nuk u qanë për asgjë, që Kosovës në qafë nuk i ranë kurrë, që atdheun

kurrë nuk e vodhën, nuk e përçmuan, nuk e zhgënjyen, nuk e mashtruan, që emrin e
shqiptarisë e ngritën dhe e lartësuan…
Sabit, ti ike, mbrapa ka mbetur vetëm vepra dhe emri yt…, para së cilit, kurrë nuk do të
turpërohet as familja, as shokët e vërtetë, as atdheu, kjo ishte pasuria jote e pavdekshme, kjo
ishte vepra jote para së cilës ne, përkulemi me respekt.
… Dhe vjen një ditë, kur ata ikin në amshim, dhe ne vetëm atëherë kujtohemi: “Ah, mes nesh
pakan qenë e ne nuk i kemi vënë re!”…
… Dhe vjen një ditë, kur ne duhet të themi me shumë dhembje, por edhe me shumë krenari,
për Ju, që ju patëm, fjalën e zemrës nga thellësia e shpirtit – jo për gjithkënd…
… Sabit burri, i lehtë dheu i tokës mëmë! Fli i qetë me dashurinë e atdheut në gji!
Me respekt të përjetshëm për Ty dhe për të gjithë shokët idealit, që nuk janë më!
CH-06-08-2024
Mehmet Bislimi