TIRANË, 8 gusht /ATSH-I.Vata/ Policia e Shtetit dhe Guardia Di Finanza ka finalizuar me sukses një operacion ndërkombëtarë të koduar “Syri” për kapjen e rreth 1 ton lëndë e dyshuar narkotike.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Gentian Berberi në konferencë për shtyp, së bashku me prokurorin e Prokurorisë Vlorë Anton Pali dhe homologët italianë dha detaje nga operacioni antidrogë i zhvilluar sot në qytetin e Vlorës.
“Finalizohet me sukses megaoperacioni policor ndërkombëtar i koduar “Syri”. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Delta Forcë, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit. Operacioni u zhvillua nga ajri, deti dhe toka. Sekuestrohen rreth 1 ton lëndë e dyshuar narkotike marijuanë. Vihen në pranga nga Policia e Vlorës, 3 shtetas, si dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Gjithashtu, vihen në pranga nga Guardia di Finanza, 2 drejtuesit e mjetit lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike. Sekuestrohen nga Policia e Vlorës, 3 mjete lundruese (skafe) dhe 2 automjete, ndërsa nga GDF u sekuestrua mjeti lundrues në të cilin u gjet lënda narkotike”, theksoi ai.
Po ashtu, Berberi sqaron dinamikën e operacionit të Policisë së Shteti dhe Guardia Di Finanza.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit, për goditjen e tentativave për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe koordinimit të veprimeve me GDF-në dhe Zyrën e Interforcës Italiane, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u finalizua me sukses një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Delta Forcë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, bazuar në informacionet e marra nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit se disa shtetas kishin transportuar drejt një mjeti lundrues, një sasi lënde narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar koduar “SYRI”, tha ai.
Gjithashtu, Berberi u shpreh se në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it.
“Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj. Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit”, tha ai.
Në vijim, Berberi tha se “nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve me iniciale A. S., 31 vjeç, S. I., 22 vjeç dhe Q. P., 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. L., 33 vjeç, të katërt keta banues në Vlorë. Gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale B. S., 43 vjeç dhe S. S., 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase. Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë”.
“Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako. Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. I., në Vlorë, shërbimet e DVP Vlorë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celularë dhe 2 automjete. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike”, tha Berberi në konferencë për mediet.
/j.p/r.e/